Çelësi i fjalëve të Kishës: "religjioni"
R.SH. / Vatikan
Sot do të flasim për një term shumë të përdorur, kuptimi i të cilit shpesh nuk është aq i njohur, sa mund të mendohet. Fjala është për “religjionin”, i cili duhet dalluar nga “feja”, që ka të bëjë me besimin, me lëshimin e vetvetes në duart e dikujt, - për besimtarët, në duart e Zotit.
Ndërkaq, termi “religjion” vjen nga fjala latine “relìgio”, etimologjia e së cilës nuk është sqaruar dhe aq mirë. Sipas Ciceronit (106 p.K. – 43 p.K.), fjala e ka zanafillën në foljen “relegere”, që do të thotë “ripërshkim”, ose “rilexim”, duke nënkuptuar sistemimin e saktë të të gjitha nocioneve, që kanë të bëjnë me kultin e zotave. Më vonë, shkrimtari romak Latancio (250-327), duke korregjuar Ciceronin, pohon se zanafilla e “religjionit” vjen nga folja “religàre”, që do të thotë “të lidhësh”, me nënkuptimin e lidhjes së njeriut me hyjninë. Që në shekullin e katërt, ky interpretim u lidh ngushtë me kultin e krishterë e me nevojat e bashkësive të para të besimtarëve. “Religjioni” pra ka të bëjë me ritin, me ekzekutimin e “aktit religjioz”, me rileximin, respektimin e kujdesin për normat fetare.
Është interesante të vërehet historia e konceptit të “religjionit” në Perëndim. Në gjuhën greke, “religjioni” quhet “θρησκεία (thrēskeia)” e rrjedh nga fjalë, që do të thonë “frikë” – pra, “frika e Tënzot” – ose “thërret”, “frikësohet”. Në kulturën e lashtë greke, fjala nuk ekziston. Kuptimi i “θρησκεία (thrēskeia)” ka të bëjë me mënyrën formale të kremtimit të kultit në favor të zotave.
Koncepti romak i “religjionit” i korrespondon kujdesit për kremtimin e ritit në favor të zotave, që për traditë, duhet përsëritur derisa të mos rezultojë i përsosur. Përkufizimi i parë i termit “religjion” bëhet pikërisht në Romën e lashtë, nga Ciceroni, i cili në veprën e tij “De intentione”, shkruan: “Religjion është gjithçka ka të bëjë me kujdesin e me nderimin për një qënie superiore, natyrën e të cilit e quajmë hyjnore”.
Që atëherë, fillojnë kritikat kundër kuptimit të religjionit si diçka, që e nënshtron njeriun, përmes frikës, siç dëshmojnë shkrimet e Lukrecit, epikur (98 p.K. – 55 p.K.). Kritika që në histori do të zhvilloheshin aq, sa ta bënin Marksin ta quante “religjionin”, opium për popujt. Duhet vërejtur këtu se Marksi nuk përdor termin “fe”, siç është përkthyer në gjuhën shqipe, kuptimi i së cilës ka të bëjë me përshpirtërinë.
Më ardhjen e krishterimit në botën perëndimore, duke filluar nga shekulli IV, termi “religjion” u përdor sipas kuptimit që i pati dhënë shkrimtari Latancio, të cilin e përmendëm më parë. “Religjioni” ishte për bashkësitë e para, udha e vetme për shëlbimin e njeriut. Ndryshimet ndwrmjet kuptimeve të termit dhe domethënien me të cilën e përdorim edhe sot, e shpjegon mirë historiani zviceran i feve, Mishel Despland: “Pasi Perandoria (romake) bëhet e krishterë, gjejmë tre përdorime të fjalës nga të krishterët.
Religjioni është rend publik i perandorit të krishterë, që zbaton në tokë ligjin e Zotit (ideja perandorake). Mund të jetë edhe dashuria e çdo shpirti për Zotin (ideja mistike). E së fundi, “religio” mund të përkufizojë disiplinën e të pagëzuarve, që kanë bërë kushtet e përsosurisë dhe janë kthyer në eremitë, ose në cenobitë (monakizmi)”.
(Religione. Storia dell'idea in Occidente, në Dictrionnaire des Religions (përgatitur nga ). Paris, Presses universitaires de France, 1984)