Kërko

Vatican - Regina Coeli prayer Vatican - Regina Coeli prayer

DBF, Papa, fëmijëve: ju pres në Romë, lutuni për kë vuan nga lufta

Në lutjen Mbretëreshës Qiellore Papa përsëriti ftesën për të marrë pjesë në Ditën e parë Botërore të Fëmijëve, më 25 dhe 26 maj: "Kemi nevojë për gëzim, dëshirë e për një botë më të mirë". Një mendim për bashkëmoshatarët e tyre që paguajnë pasojat e konflikteve në Ukrainë, Tokën Shenjte, Mianmar dhe vende të tjera të botës. E edhe një kujtim kushtuar Ditës së 100-të të Universitetit Katolik

R.SH. - Vatikan

"Ju pres!". Ftesë e drejtpërdrejtë kjo e Papës drejtuar gjithë djemve e vajzave të botës për të marrë pjesë në Romë, në Ditën I Botërore të Fëmijëve, që Kisha do ta kremtojë më 25 dhe 26 maj. Nismë, që vijon në gjurmët e Ditëve historike Botërore të Rinisë, duke i vendosur të vegjlit në qendër. Në përfundim të lutjes së djeshme të Mbretëreshës Qiellore, nò Sheshin e Shòn Pjetrit nò Vatikan, Papa u kërkoi besimtarëve “të shoqërojnë rrugëtimin drejt kësaj ngjarjeje” dhe i falenderoi ata që po punojnë për suksesin e saj. Më pas shprehu dëshirën që të marrin pjesë sa më shumë fëmijë.

“Kemi nevojë për gëzimin dhe dëshirën tuaj për një botë më të mirë, një botë në paqe”.

Një lutje, për ata që vuajnë

Dhe pikërisht me paqen në mendje, Papa nuk i harroi - pas një thirrjeje të gjatë dhe themelore për Lindjen e Mesme - të miturit e shumtë që vuajnë dhe paguajnë më shumë se të tjerët pasojat e konflikteve. Disa prej tyre, të ardhur nga vendet martire të luftës, ndodheshin në Sheshin e Shën Pjetrit së bashku me një grup prej qindra fëmijësh të shoqëruar nga Atë Enzo Fortunato, koordinator i DBF-së dhe Aldo Cagnoli, zëvendës i tij, nga Kooperativa Auxilium dhe Bashkësia e Shën Egjidit.

“Lutemi për fëmijët që vuajnë nga luftërat. Ka shumë në Ukrainë, në Palestinë, në Izrael, në pjesë të tjera të botës, në Mianmar. Ne lutemi për ta dhe për paqen”.

Duke u kujdesur për të vegjlit

Lutja e paqes për fëmijët e tokave të plagosura nga dhuna, do të jetë në qendër të kësaj ngjarjeje globale, të cilën Papa e shpalli "me gëzim" më 8 dhjetor 2023, në Engjëllin e Solemnitetit të Zojës së Papërlyer. “Nisma i përgjigjet pyetjes: çfarë lloj bote duam t'ua lëmë trashëgim fëmijëve që po rriten? Ashtu si Jezusi, duam t’i kemi fëmijët në qendër dhe të kujdesemi për ta” - kujtoi Papa.

Kremtimi, në Romë

Veprimtaria drejtohet nga Dikasteri për Kulturën dhe Arsimin, i cili  e ofroi patronazhin e tij për ngjarjen e madhe të 6 nëntorit, titulluar "Të mësojmë nga djemtë dhe vajzat", në praninë e Papës, rrethuar nga 7500 fëmijë nga pesë kontinentet, në Sallën Pali VI.

Një takim muzike dhe dëshmie, prelud i asaj që do të jetë DBF e Romës,   lindi pikërisht nga një fëmijë, Alessandro, 9 vjeç, i cili në episodin e dytë të Popecast, podkasti i Papës me mediat e Vatikani, sugjeroi këtë ide që u mirëprit me simpati nga Jorge Mario Bergoglio. Dita Botërore do të nisë më 25 maj në stadiumin Olimpik, me përshëndetjen e delegacioneve të huaja. Do të vazhdojë me të ftuar me famë kombëtare dhe ndërkombëtare, deri në çastin e shumëpritur të dialogut të të gjithë fëmijëve, djem e vajza. me Papën. Pas Meshës, Papa do të vijojë me përshëndetjen e për të gjithë të vegjlit në botë.

Falënderimi i Komitetit organizues

 “Falënderojmë Papën Françesku për vëmendjen atërore që i kushton Ditës Botërore të Fëmijëve. Ne besojmë se është një nga ditët më domethënëse në historinë e Kishës” - theksoi komiteti organizativ i DBF-së pas fjalëve të Papës. “Regina Caeli e djeshme ishte thirrje e fortë dhe dramatike për paqen. Të fuqishmit e botës duhet ta dëgjojnë Papën Françesku” – i bën jehonë Atë Fortunato.

15 prill 2024, 11:20