Kërko

Françesku: çdo meshtar thirret të jetë "ikonë e vërtetë" e Jezu Krishtit

Dhurimi vetvetes për të afërmin e afron më shumë çdo meshtar me Zotin. Papa Françesku e kujton këtë në urimin për bashkësinë e Kolegjeve Pio Latinoamerikan, Pio Brazilian dhe Meksikan, të cilët i priti sot paradite në Vatikan

R.SH. – Vatikan

Ashtu si Veronika gjatë Udhës së Kryqit. Çdo meshtar është i thirrur të "veprojë ‘in persona Christi’, pra, të jetë ikonë e vërtetë e Jezusit". Papa Françesku e nënvizoi këtë duke takuar, si çdo vit, anëtarët e kolegjeve Pio Brazilian, Pio Latinoamerikan dhe Meksikan. Të pranishmëve në audiencë, Ati i Shenjtë ua dorëzoi reflektimin e tij, përqendruar në temën themelore të jetës së çdo prifti: Dashuria. “Ta mbajmë gjallë atë është detyrimi ynë kryesor”, thekson Papa: “Zoti na ka besuar një detyrë të veçantë, e cila na afron më shumë me Të: t'ia dhurojmë vetveten të tjerëve”.

Të tjerët, arsyeja për ekzistencën e meshtarit

Vërtet, vë në dukje Papa, të tjerët janë arsyeja për ekzistencën e çdo meshtari, pasi “në ta kryejmë shërbimin, që na kërkon Zoti”. Të bëhesh Veronika e çdo fytyre, e çdo loti, tharë me rrobën priftërore, do të thotë, sipas Atit të Shenjtë, të shohësh në "çdo burrë, grua, fëmijë, një gjymtyrë të atij korpi mistik, kreu i të cilit është Krishti".

Lutja, oferta dhe përvujtëria

Lutja, dhurimi i vetvetes dhe përvujtëria janë mjetet për t'u bërë një ikonë e vërtetë e Krishtit, vijon Françesku. Në lutje, i paraqesim Zotit çdo situatë konkrete, pasi Ai i do ata që vuajnë. Oferta eukaristike e bën çdo meshtar të vetëdijshëm se të realizojë vullnetin e Zotit do të thotë të heqë dorë nga vullneti i tij: "Studimet tona, puna jonë, pushimi ynë, çdo vendim është në funksion të këtij shërbimi", shkruan Papa.

Së fundi, përvujtëria, duke e ditur se është për udhë e ka shumë për të mësuar, e bën meshtarin të ketë nevojë për lutjen e besimtarëve: "Mos e nënvlerësoni fuqinë e ndërmjetësimit të atyre, që Zoti ju ka vendosur në rrugë. Besoni në lutjen e gjithë anëtarëve të Popullit besnik të Hyjit dhe mos harroni të luteni për barinjtë e Kishës”, përfundon Papa.

04 prill 2024, 14:11