Françesku: i ardhtë dhurata e paqes botës së plagosur nga lufta
R. SH. - Vatikan
Në të Hënën e Engjëllit, kur gëzimi i Pashkëve vazhdon, Françesku falënderoi për urimet që mori në këtë kohë, në zemër të vitit liturgjik. Papa uroi edhe që dhuruesi i paqes ta ndriçojë botën ende të tmerruar nga konflikti shkatrrimtar dhe nga plaga e varfërisë:
“Të dashur vëllezër e motra, u përsëris të gjithëve urimin e Pashkëve dhe i falënderoj nga zemra ata që, në mënyra të ndryshme, më dërguan edhe mesazhe afrimi e lutjeje. Këtyre njerëzve, familjeve dhe bashkësive të tyre u arriftë nga Zoti i Ngjallur dhurata e paqes. E do të dëshiroja që kjo dhuratë paqeje të arrijë atje ku ka më shumë nevojë: te popullatat e rraskapitura nga lufta, nga uria, nga çdo formë e shtypjes”.
Papa, më pas, përshëndeti përzemërsisht "turmën e shtegtarëve nga vende të ndryshme", mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit për lutjen e Mbretëreshës Qiellore. Para lutjes mariane, Papa kujtoi se "ringjallja e Jezusit nuk është thjesht lajm i mrekullueshëm, por ngjarje që na e ndryshon jetën".
Lajmet e fundit mbi situatën në Gaza dhe në Ukrainë
Në Lindjen e Mesme, forcat izraelite janë larguar nga spitali al-Shifa i Gazës. Ministria e Shëndetësisë e Rripit, udhëhequr nga Hamasi, pohoi se kishte zbuluar dhjetëra trupa, pasi ushtarët izraelitë u tërhoqën nga institucioni shëndetësor. Në programin e sotëm është edhe një video-konferencë e përfaqësuesve të Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara për të diskutuar planin mbi ofensivën tokësore izraelite kundër Rafahut.
Në Ukrainë u regjistruan, në 24 orët e fundit, bombardime intensive në rajonin Kherson. Gjatë këtyre operacioneve të reja ushtarake, humbën jetë, u dëmtuan shtëpi dhe infrastruktura. Rusia këmbëngul menjëherë për pistën ukrainase të sulmit terrorist të Moskës, që shkaktoi 139 viktima: sipas hetuesve rusë, edhe provat janë gjetur.