Françesku, Lindjes së Mesme: mos u dorëzoni para logjikës së pretendimit për luftë
R. SH. - Vatikan
Palestina, Izraeli, Ukraina - edhe një herë në fjalët e lutjet e Papës, me rastin e përshëndetjeve pas lutjes së Mbretëreshës Qiellore nga dritarja e Pallatit Apostolik, në këtë të dielë, nën rrezet e diellit pranveror. Shqetësimi dhe dhimbja e Atit Shenjt janë të pamasë, ashtu si e fuqishme edhe thirrja për të ndjekur udhën e diplomacisë në Lindjen e Mesme dhe për të mos iu dorëzuar "logjikës së pretendimeve”:
“Vazhdoj të ndjek me shqetësim dhe dhimbje situatën në Lindjen e Mesme. Përsëris thirrjen për të mos iu dorëzuar logjikës së pretendimit për luftë, por për të hapur rrugët e dialogut dhe të diplomacisë, të cilat mund të bëjnë shumë. Lutem çdo ditë për paqen në Palestinë e në Izrael dhe shpresoj se së shpejti për ata dy popuj do të marrin fund vuajtjet”.
Mos e harroni Ukrainën!
Ftesë urgjente është edhe të mos harrohet kurrë një tokë tjetër e munduar nga konflikti, Ukraina "e cila vijon të vuajë kaq shumë".
Më pas Françesku kujtoi Atë Matteo Pettinarin e Urdhrit të Misionarëve të Zojës Ngushëlluese, misionar në Bregun e Fildishtë për 13 vjet, që vdiq më 18 prillin e kaluar në një aksident me makinë. Papa e kujtoi "si misionar i palodhur, që la pas një dëshmi të madhe shërbimi bujar”.
Të mbjellim shpresë e të ndërtojmë paqe
Në fillim të lutjes, Françesku përshëndeti meshtarët e rinj të dioqezës së Romës, të shuguruar dje, e shtunë, 20 prill, në Bazilikën e Shën Pjetrit dhe më pas kujtoi kremtimin e sotëm të Ditës Botërore të Lutjes për Thirrjet Meshtarake me temë “Të thirrur për të mbjellë shpresën dhe për të ndërtuar paqen”. Mundësi e bukur, sipas fjalëve të Papës, "për të rizbuluar Kishën si bashkësi e karakterizuar nga një polifoni karizmash dhe thirrjesh në shërbim të Ungjillit".