Kërko

Françesku: lironi të burgosurit e luftës, tortura është çnjerëzore

Në përfundim të audiencës së përgjithshme, Papa kujtoi popullsinë e Tokës Shenjte dhe të Ukrainës së rrënuar nga konfliktet dhe bëri thirrje për viktimat e torturave, që "plagosin dinjitetin e njeriut"

R.SH. / Vatikan

Torturimi i të burgosurve është "shumë i shëmtuar" dhe "çnjerëzor" - pohoi Papa, i cili në fund të audiencës së sotme të përgjithshme, mbajtur paradite në Sheshin e Shën Pjetrit, duke kujtuar posaçërisht Tokën Shenjte dhe Ukrainën e martirizuar nga lufta, kërkoi lirimin e të burgosurve të konflikteve dhe dënoi çdo formë torture, që plagos dinjitetin e njeriut.

Pas katekizmit të audiencës së përgjithshme, përqendruar sot tërësisht tek vetëpërmbajtja, virtyt për t'u "kultivuar" në mënyrë që "të jemi në gjendje të kontrollojmë fjalët dhe veprimet tona për të shmangur konfliktet e kota dhe për të promovuar paqen në shoqërinë tonë", siç theksoi në përshëndetjet drejtuar shtegtarëve francezë, Papa Françesku, duke marrë një fletë letre nga duart e bashkëpunëtorit, theksoi: 

"Mendimi ynë në këtë çast, i ne të gjithëve, është tek popullsia në luftë. Të mendojmë për Tokën Shenjte, Palestinën, Izraelin. Të mendojmë për Ukrainën, Ukrainën e torturuar. Të mendojmë për robërit e luftës: u bëftë vullndesa e Zotit për t'i liruar të gjithë”.

"Të mendojmë për të torturuarit..."

E, duke folur për të burgosurit, Papa vazhdoi, "më kujtohen ata, që torturohen". “Tortura e të burgosurve është një gjë shumë e keqe, nuk është njerëzore” - denoncoi Ipeshkvi i Romës:

“Të mendojmë për torturat e shumta që plagosin dinjitetin e njeriut dhe të gjithë njerëzve të torturuar. Zoti i ndihmoftë të gjithë dhe i bekoftë të gjithë”.

Prova e dëshmi

Si në rastin e Ukrainës, ashtu edhe në atë të konfliktit në Lindjen e Mesme, janë të shumta rastet e torturave të të burgosurve të dënuar, nga media ose nga Amnesty International, e cila flet për prova reale - siguruar nga dëshmitë e të burgosurve të liruar ose avokatët e të drejtave të njeriut, si dhe videot dhe fotografitë - të formave të torturës dhe keqtrajtimit, si rrahjet brutale dhe poshtërimi, detyrimi për të mbajtur kokën ulur, plagë me thikë, gjunjëzim i detyruar në tokë etj. Nga viti 1981 e deri më sot, Kombet e Bashkuara numëruan së paku 50 mijë viktima të torturës në vit, në çdo skaj të botës. Ose, besohet, këto janë të dhënat e njerëzve të ndihmuar nga Fondi Vullnetar i OKB-së.

Jo vetëm në Ukrainë e në Tokën Shenjte, por edhe në shumë pjesë të tjera të botës "forma tejet të dhunshme të torturës" janë ende në përdorim edhe sot, madje edhe ato më "të sofistikuarat" si "trajtime degraduese, privimi i shqisave", “ndalime masive në kushte çnjerëzore”. E, si pasojë e  teknologjive të reja, duket se po bëhet më i dendur edhe përdorimi i praktikave moderne të torturës, si tortura psikologjike, për shembull, jo më pak e hidhur se ajo brutale.

Videomesazh i Papës i qershorit 2023

Papa e denoncoi fuqimisht këtë në video-mesazhin e lutjes për muajin qershor 2023 në të cilin, përballë pamjes së të burgosurve lidhur me zinxhirë në një karrige, me kapuç në kokë, e pyeti botën: "Si është e mundur që aftësia e njeriut për mizori të jetë kaq e madhe?”.

“Tortura. Zoti im, tortura! Tortura nuk është histori e djeshme. Fatkeqësisht, është pjesë e historisë sonë sot” - kujtoi Papa në filmin e shfaqur Ditën Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara për Mbështetjen e Viktimave të Torturës, më 26 qershor, e cila shënon hyrjen në fuqi, më 1987, të Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër torturës dhe trajtimeve ose dënimeve të tjera mizore, çnjerëzore e poshtëruese. Marrëveshje e miratuar në vitin 1984, e ratifikuar nga 162 vende, por që pas dyzet vjetësh nuk është zbatuar ende plotësisht. “Ta ndalojmë tmerrin e torturës”, përsërit vazhdimisht Papa. “Është themelore të vihet dinjiteti i njeriut mbi gjithçka tjetër. Përndryshe viktimat nuk janë më njerëz, janë ‘sende’, dhe mund të shpërdorohen jashtë mase, duke u shkaktuar vdekjen ose dëme të përhershme psikologjike dhe fizike për jetën”.

17 prill 2024, 12:24