Kërko

Françesku: “nëse nuk i respektojmë gratë, shoqëria nuk do të ecë përpara”

"Që të njihet në çdo kulturë dinjiteti i grave dhe pasuria e tyre, si edhe të ndalen diskriminimet, nga të cilat ato janë viktima, në anë të ndryshme të botës". Ky është ndjeti i lutjes së Atit të Shenjtë për muajin prill, publikuar nga “Rrjeti Botëror i Lutjeve të Papës". Françesku u kërkon të gjithëve të respektojnë gratë, ndërsa qeverive të punojnë për njohjen e vërtetë të të drejtave të tyre

R.SH. – Vatikan

U kushtohet grave, ndjeti i lutjes që Papa Françesku ia beson gjithë Kishës për muajin prill, përmes Rrjetit Botëror të Lutjeve të Papës. “Për rolin e grave”: ky, titulli i videos së realizuar për këtë temë, që hapet me fjalë të fuqishme denoncimi për gjendjen e femrave në botë:

“Në shumë vende të botës, - pohon Ati i Shenjtë - gratë trajtohen si materiali i parë për t’u skartuar. Ka vende ku grave u ndalohet të marrin ndihmë për të filluar një veprimtari, ose për të shkuar në shkollë. Përveç kësaj, në këto vende, ato u nënshtrohen ligjeve, që i detyrojnë të vishen në një mënyrë të caktuar. E në shumë zona, ende sot, praktikohet gjymtimi i organeve gjenitale”.

Dinjiteti i barabartë i grave nuk njihet me fakte

Shumë gra shfrytëzohen dhe braktisen, janë viktima të abuzimit, vazhdon Papa, por nuk duhet t'i privojmë gratë "nga zëri i tyre". Françesku nënvizon se, me fjalë, të gjithë bien dakord "që burrat dhe gratë kanë dinjitet të barabartë njerëzor", por në praktikë "kjo nuk ndodh".

“Është e nevojshme që qeveritë të impenjohen për eliminimin e ligjeve diskriminuese, në çdo anë të botës, dhe të punojnë për garantimin e të drejtave njerëzore të grave”.

T’i respektojmë gratë

Thirrja e Papës Françesku është e qartë: "T'i respektojmë gratë. T'i respektojmë në dinjitetin e tyre, në të drejtat e tyre themelore. Nëse nuk e bëjmë këtë, shoqëria jonë nuk do të ecë përpara". Pastaj, Ati i Shenjtë propozon ndjetin e lutjes së Kishës për muajin prill:

“Të lutemi që, në çdo kulturë, të njihet dinjiteti i grave dhe pasuria e tyre, si edhe të ndalen diskriminimet, nga të cilat mbeten viktima në anë të ndryshme të botës”.

"Videoja e Papës" për prillin

Një grua aziatike me lot në sy, një indiane pas hekurave të dritares, një grup viktimash të përdhunimit, dëbuar nga fshatrat e tyre në Afrikë, një radhë adoleshentesh, që presin t'i nënshtrohen praktikës së gjymtimit gjenital, dy gra krejtësisht të mbuluara me perçe në Afganistan: videoja, që shoqëron ndjetin e lutjes së Françeskut hapet me pamje dramatike, në vijë me denoncimin e tij të fuqishëm, i cili kujton distancën ndërmjet deklaratave parimore për dinjitetin e barabartë të grave dhe realitetit të fakteve. Papa përmend shembuj konkretë, duke u bërë thirrje qeverive që të sigurojnë respektimin e të drejtave themelore të grave.

Disa të dhëna

Deklarata shoqëruese e videos përmban disa të dhëna, që vënë në pah se gratë nuk kanë as të njëjtat mundësi si burrat. Duke filluar nga tregu i punës: “Më pak se një në dy gra në botë punon dhe ato fitojnë 23% më pak se burrat”. E njëjta gjë vlen edhe për arsimin, nëse marrim parasysh "që në disa vende, gratë e rritura në gjendje të lexojnë e të shkruajnë, janë pakicë: për shembull, në Afganistan ato janë 23%, në Nigeri 27%". E gjithë kjo çon në vështirësi serioze ekonomike, aq sa UN Women, organizata e OKB-së, që ofron programe dhe rrugë në mbështetje të të drejtave të grave, "vlerëson se deri në vitin 2030, 8% e grave dhe vajzave do të jetojnë në kushte varfërie ekstreme, ndërsa 25% e grave nuk do të kenë ushqim të mjaftueshëm”.

Prania e grave është themelore për Kishën

Respekti për dinjitetin e gjithë njerëzve është temë qendrore e krishterimit. Jeta e çdo njeriu është e shenjtë, sepse është krijuar në ngjashmëri me Zotin, pa dallime ndërmjet burrit dhe gruas. Roli i gruas u theksua edhe në dokumentin sintezë të Asamblesë XVI të Përgjithshme e të Zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve në tetor.

Që në fillim, Jezusi i mirëpriti gratë si dishepulle, në kundërshtim me shoqërinë e asaj kohe. Gjatë historisë, gratë kanë sjellë një dinamizëm të vërtetë shpirtëror në Kishë. Mjafton të mendojmë shën Terezën e Avilës, shën Katerinën e Sienës, shën Terezën e Lisieux dhe gra të tjera të shenjta. “Pa pjesëmarrjen aktive të grave, bashkësia e krishterë, po të ishte ndërmarrje, do të kishte falimentuar", nënvizon At Frédéric Fornos S.J., drejtor ndërkombëtar i Rrjetit Botëror të Lutjeve të Papës.

02 prill 2024, 16:07