Kërko

Papa me shtegtarët nga Hungaria Papa me shtegtarët nga Hungaria

Françesku, hungarezëve: paqja fillon çdo ditë në portën e shtëpisë

Papa pret një grup të madh shtegtarësh hungarezë dhe përkujton udhëtimin apostolik në tokën e tyre, rreth një vit më parë. U bën thirrje të fuqishme për të qenë burra dhe gra të paqes, duke ndjekur shembullin e shenjtorëve: "Ju falënderoj, sepse ua keni hapur zemrën refugjatëve ukrainas"

R.SH. – Vatikan

         Shtegtar, vëlla dhe mik. Kështu u paraqit sot Papa para rreth 1200 shtegtarëve hungarezë, të cilët i takoi në Sallën Pali VI, në Vatikan. Ati i Shenjtë kujtoi udhëtimin apostolik në vendin e tyre, një vit më parë. Ashtu si atëherë, Françesku theksoi se rruga për t’u ndjekur është paqja, por jo çdo lloj paqeje. Nevojitet paqja, që u jep Krishti dishepujve, kur i takon pas ringjalljes.

“Të mos harrojmë, vëllezër e motra, se realizimi i kësaj dhurate të madhe fillon në zemrën e secilit prej nesh; fillon para derës së shtëpisë, kur para se të dal, vendos nëse dua ta jetoj atë ditë si burrë apo grua paqeje, pra, nëse dua të jetoj në paqe me të tjerët. Paqja vjen kur vendos të fal, pavarësisht se është e vështirë, e kjo ma mbush zemrën me gëzim”.

Falënderimet e Papës për pritjen e refugjatëve ukrainas

Duke folur për paqen, Ipeshkvi i Romës pati një mendim për ata, që jetojnë të mënjanuar nga shoqëria, si edhe për Ukrainën, fqinjë me Hungarinë.

“Ju falënderoj, sepse e keni zemrën të hapur për refugjatët ukrainas, që u larguan nga vendi i tyre, për shkak të luftës. E, vlerësoj edhe përpjekjet tuaja për të integruar ata, që jetojnë në periferi të shoqërisë”.

Të ndërtojmë një të ardhme me shpresë

Papa Françesku përsëriti lutjen e shqiptuar një vit më parë në Budapest, "një qytet i bukur me ura dhe shenjtorë". Përmendi disa shenjtorë, si Shtjefnin, Ladislavin, Elizabetën, Emerikun dhe kërkoi lutje për Evropën, "për dëshirën që të kontribuohet në arrijen e paqes, për t'u dhënë brezave të rinj një të ardhme shprese, jo lufte; një të ardhme plot djepa, jo plot varre; një botë vëllezërish, jo muresh”. I nxiti të gjithë të ndjekin shembullin e shumë heronjve të fesë, që dolën nga populli hungarez dhe që dëshmuan "stilin e Zotit", stilin e butësisë, të afërsisë e të dhembshurisë. Ndër ta, i Lumi Vimos Apor, që e pagoi me jetë mbrojtjen e grave refugjate; prifti i ri János Brener, i cili pa dyshuar se ishte kurth, i shtyrë nga zelli apostolik, shkoi për t'i dhënë Kungimin një të sëmuri dhe u vra barbarisht.

Kërkoni rrënjët që të ndërtoni themele të forta për të ardhmen

Më mirë të japësh sesa të marrësh, tha Papa hungarisht - "Jobb adni mind kapni" – duke i nxitur të pranishmit ta dëshmojnë fenë "në ekumenizmin e jetuar, në marrëdhëniet me fqinjët, në mikpritjen bamirëse të të tjerëve, në respektin për çdo jetë njerëzore dhe në kujdesin e përgjegjshëm për ambientin”. Papa shpjegoi rëndësinë e rrënjëve, sidomos për të rinjtë hungarezë.

“Dua t'ju inkurajoj të ecni në dialog me brezat që ju paraprinë. Flisni me gjyshërit, me të moshuarit e popullit tuaj; për të kërkuar rrënjët, sepse në këtë mënyrë do të vendosni themele të forta për të ardhmen. Duke ruajtur rrënjët, do të jeni në gjendje të shikoni përpara me besim, duke përforcuar vlerat që japin jetë: familja, bashkimi, paqja”.

Para audiencës në Sallën Pali VI me shtegtarët hungarezë të shoqëruar nga Primati i Hungarisë, kardinali Péter Erdő dhe nga kryetari i Konferencës Ipeshkvnore Hungareze, imzot András Veres, Papa Françesku priti sot në mëngjes presidentin e Republikës së Hungarisë, Tamás Sulyok.

25 prill 2024, 13:53