Ritratto di San Pio X Ritratto di San Pio X

Françesku: Papa Piu X qau kur nisi Lufta e Madhe, “e ndjej fare pranë "

Papa Bergoglio nënshkruan parathënien e Librit “Homazh për Piun X. Portrete bashkëkohore”, vepër e don Lucio Bonora-s, zyrtar i Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, botuar nga shëpia botuese Edizioni Kappadue: Piu X ishte Papë i butë e i fortë, i pëvuajtur e i qartë”.

R.SH. / Vatikan

Papa nënshkruan parathënien e Librit “Homazh për Piun X. Portrete bashkëkohore”, vepër e don Lucio Bonora-s, zyrtar i Sekretarisë së Shtetit, botuar nga Edizioni Kappadue: ishte Papë i butë e i fortë, i pëvuajtur e i qartë”. Teksti i plotë, me fjalët e Papës

PAPA FRANÇESKU

I dashur Don Lucio,

Jam i lumtur që studimi Juaj mbi Piun X po sheh tashmë dritën, pas kaq vjet kërkimesh. Ti e di se unë e dua shumë Piun X dhe se e kam dashur gjithmonë. Kur isha në Buenos Ájres, në festën e tij, më 21 gusht, mblidhja katekistët e kryeipeshkvnisë. Rikthehem me mendimet dhe kujtimet e mia në atë takim, sepse ishte takim që e doja dhe e kërkoja. Më pëlqente ta kaloja me ata, që bëjnë çmos për t’i mësuar fëmijët dhe të rriturit me të vërtetat e fesë, e Piu X është njohur gjithmonë si Papa i katekizmit. E jo vetëm! Papë i butë - e edhe i fortë. Papë i përulur - e edhe i qartë. Papë, që e bëri gjithë Kishën të kuptojë se pa Eukaristinë dhe pa asimilimin e të vërtetave të zbuluara, feja vetjake dobësohet dhe vdes.

E dua Piun X edhe për një arsye tjetër. Sepse, si jezuitë, i kemi borxh Piut ndihmën që dha për lindjen e Institutit Biblik këtu, në Romë, me dobi teologjike e shpirtërore, që shumë shpejt u përhapën në mbarë Kishën.  Piu X qe edhe Papa që qau kur nisi lufta botërore, e i luti të pushtetshmit t’i ulnin armët...  

Piu X, Papa që dëshironte të rrinte me të vegjlit, me të varfërit, nevojtarët, të dëmtuairt nga tërmeti,  e me të gjithë ata, që vuanin nga fatkeqësitë e natyrës a nga mungesat e jetës. Një Papë, që ishte monument i punës baritore, siç e quajti  Shën Gjoni XXIII kur, në pranverë të vitit 1959, dha lejën, në Shën Mark të Venedikut, të nderohej varri ku pushonte në paqe.

Prandaj më pëlqen ky studim i ri mbi Piun. E shoh se është studim i veçantë dhe specifik, sepse synon ta bëjë të njohur Shën Piun në 80 medaljone, me portrete piktorike apo skulpturore bashkëkohore, që artistë të thjeshtë a të famshëm  realizuan për një Papë të shumëdashur në jetë, e më pas,  të nderuar si shenjt, edhe para  lumnimit, nga besimtarët, nga priftërinjtë, nga famullitë, nga nxënës të shkollave katolike të shpërndara nëpër botë e nga shumë fetarë, por edhe nga intelektualë e pushtetarë. Sa piktura dhe pamje të Piut gjinden nëpër botë, që u shumëfishuan kur u lartua në nderimet e elterit, si këto që i sodisim në studimin tuaj, ku mblodhët fotot që pati bërë gjatë gjithë jetës si prift e si papë.

 U dhashë me gëzim të thellë kishave të bukura të Trevisos, Padovës dhe Venecias, lejën për shtegtimin e relikeve të Shën Piut, kufizuar në epokat e kaluara të historisë ose monopolizuar nga grupe të veçanta, sepse i përket Kishës, njerëzve të Kishës, domethënë njerëzve të pagëzuar të të gjitha epokave, të cilët duan të jenë besnikë ndaj Ungjillit dhe Barinjve të tyre dhe i shikojnë shenjtorët si modele të vërteta të jetës dhe si shokë të sinqertë  udhe pas Jezusit dhe Ungjillit, duke u mbështetur në shembujt dhe zgjedhjet e jetës së tyre.

“Rroftë Shën Piu e jetoftë në zemër të Kishës së sotme!”.

18 prill 2024, 09:06