Françesku: sporti mund të edukojë shoqëri solidare e pa paragjykime
R. SH - Vatikan
Argjentinasi Fernando Belasteguín, lojtari më i fortë i padelit, u mirëprit në Vatikan sot në mëngjes, e diel, 7 prill, nga Athletica Vaticana me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Sportit për Zhvillim dhe Paqe, shpallur nga Kombet e Bashkuara. Belasteguín - së bashku me gruan dhe tre fëmijët e tij - u takua për herë të parë me bashkësinë e ambulancës pediatrike “Santa Marta” që ndihmon familjet e varfra me fëmijë të vegjël. U prit nga drejtoresha e Dispanserisë, motra Anna Luisa Rizzello dhe nënkryetarja e Athletica Vaticana, Valentina Giacometti.
Kampioni argjentinas i padelit Fernando Belasteguín, me Sportistët Vatikanas
Një vizitë domethënëse, pas fjalëve të Papës Françesku sot, në lutjen e Mbretëreshës Qiellore: “Dje ishte Dita Ndërkombëtare e Sportit për Zhvillim dhe Paqe. Të gjithë e dimë se si praktikimi i sportit mund të edukojë një shoqëri të hapur, solidare, pa paragjykime. Por për këtë duhen drejtues e trajnerë që nuk synojnë vetëm fitoren apo fitimin. Ne promovojmë një sport që krijon miqësi shoqërore dhe vëllazëri”.
Belasteguín, numri 1 në renditjen botërore për 16 vjet radhazi, kujtoi: “Prania zyrtare e Federatës së Vatikanit në botën e padelit është e rëndësishme pikërisht sepse kujton vlerat themelore si solidariteti dhe përfshirja përmes sportit e, mbi të gjitha, përmes një disipline popullore si padeli”. Në veçanti, inkurajoi "impenjimin për t'i lënë të luajnë vajzat dhe djemtë me aftësi të kufizuara si dhe njerëzit më të ligësht", duke iu kushtuar nismave të ardhshme. E pikërisht të premten, më 5 prill, Athletica Vaticana organizoi ndeshje padeli, ku përfshiheshin të rinjtë me autizëm e me sindromën Down si dhe familjarët e tyre.
Kampioni argjentinas vizitoi Kopshtet e Vatikanit dhe Bazilikën e Shën Pjetrit, me një stil vëllazërimi sportiv. Shoqërohej nga drejtoresha e Vatikan-Padel, Alessandra Turco dhe nëndrejtoresha, Barbara Carusi si dhe sekretari i përgjithshëm, Fabrizio Peloni.
Vizita e Belasteguin në Vatikan pati një "prolog" në Romë: pasditen e së shtunës, 6 prill, ishte në fushat e lojës, në prani të presidentit të Federatës Ndërkombëtare të Padelit, Luigi Carraro.