Kërko

Papa Françesku Papa Françesku

“Gëzuar Ditën e Emrit”, urimet më të mira për Papën në festën e Shën Gjergjit

Në Shtëpinë e Shën Martës e në rrjetet shoqërore, lutje dhe shprehje dashurie e mirënjohjeje për Papën Françesku, lindur si Jorge Mario Bergoglio, në ditën e përkujtimit liturgjik të martirit, emrin e të cilit mban

R.SH. – Vatikan

         “Gëzuar Ditën e Emrit Papa Françesku!”

         Bashkohemi edhe ne të redaksisë shqipe në Radio Vatikan / Vatican News me urimet nga e gjithë bota për Papën Françesku, lindur si Jorge Mario Bergoglio, në ditën e përkujtimit të shenjtorit, emrin e të cilit mban. Pikërisht sot, kremtohet shën Gjergji, martiri i krishterë i lindur në Kapadoki, vdekur, sipas disa burimeve, në vitin 303 pas Krishtit, në Lidën e lashtë, në Izrael, për të mos hequr dorë nga feja e tij, gjatë persekutimeve antikristiane të perandorit romak Diokleciani. Urimet Papës ia bënë personalisht në Shtëpinë e Shën Martës, ku banon, por edhe në rrjetet shoqërore, ku njerëz të ndryshëm shprehin ndjenja dashurie dhe mirënjohjeje, ose i sigurojnë lutje Papës: “Zoti e ruajtë!”

Kremtimet e viteve të kaluara

Në vitet e kaluara, Papa Françesku ka dashur ta festojë këtë ditë me nisma të ndryshme: nga mesha në Kapelën Pauline me kardinajtë në vitin 2013, viti i parë i papnisë së tij, deri te shpërndarja e akulloreve në vitin 2018, përmes Lëmoshtarisë Apostolike, në mensat e Romës dhe të zonave përreth, ku hanë më të varfërit e, deri në dërgimin, në vitin 2020, gjatë pandemisë Covid-19, të disa aparateve respiratore në disa spitale në Spanjë, Rumani dhe Itali, prekur veçanërisht nga përhapja e virusit, sërish përmes kardinalit lëmoshtar Konrad Krajewski.

Drama e Covid-it karakterizoi festën e Shën Gjergjit në vitin 2021, kur Papa vendosi ta kremtonte ditën e emrit me një vizitë të papritur për të përshëndetur rreth 600 të varfër dhe të pastrehë, të mirëpritur dhe të ndihmuar nga disa shoqata romake dhe nga motrat e Nënë Terezës. Pasi përshëndeti të pranishmit, Papa shkoi në banakun e madh me biskota, ëmbëlsira dhe lëngje frutash dhe ndau me vullnetarët një vezë gjigante çokollate, dhuratë për Pashkët e atij viti.

23 prill 2024, 10:32