Kapelani i Giudecca-s: Papa tek të burgosurat, gjest humanizmi, që i bën të lume
R.SH. - Vatikan
Katër të burgosura do të jenë udhërrëfyese për vizitorin kureshtar që dëshiron t’i shikojë me sytë e vet veprat e artit dhe shfaqjet, që do të mund t’i shijojë në Pavijonin e Selisë së Shenjtë të Bienales së Artit të Venecias, e cila deri më 24 nëntor do të mund të vizitohet në një vend të veçantë, si burgu i grave, në ishullin Giudecca. “Gratë janë shumë të lumtura që u përfshinë në një punë të tillë kulturore, e cila ndikon fuqimisht edhe për rikthimin e tyre në jetën normale - pohon për Vatican News Don Antonio Biancotto, kapelan i shtëpisë së burgut – është bast për humanizmin e tyre, që e rifitojnë gjatë periudhës të shlyerjes së dënimit. Prandaj do të thosha se është një përvojë me vlerë të lartë kulturore, por mbi të gjitha, njerëzore”.
E, për ta kurorëzuar këtë ëndërr të pabesueshme, këtu do të jetë edhe Papa Françesku, që dëshiron ta shohë, këtë herë me sytë e vet, pavijonin e titulluar "Me sytë e mi", nën kujdesin e Chiara Parisi-t dhe Bruno Racine- si dhe të prefektit të Dikasterit për Kulturën dhe Edukimin, kardinalit José Tolentino de Mendonça. Ati i Shenjtë do të jetë aty për të admiruar veprat e artit të nëntë artistëve të përfshirë në këtë ngjarje krejt të pazakontë, por mbi të gjitha, për t'i takuar personalisht 80 të ftuarit e këtij institucioni penal.
Të huaj jashtë, të ftuarit brenda
Tema e këtij edicioni të Bienales, përkujdesur nga braziliani Adriano Pedrosa, drejtor artistik i Muzeut të Artit të São Paulo, është "Të huaj kudo", gjë që të kujton një gjendje, të cilën mund ta jetojnë të gjithë, veçanërisht në burg, vend ku hyn si i huaj e perceptohesh si i huaj edhe nga jashtë. “Këtu të burgosurit ndihen si mysafirë, jetojnë si në një strehim të përkohshëm, përpara se të rikthehen në shtëpitë e tyre dhe në familjet e tyre - kujton kapelani - por ka edhe nga ata që duhet të vuajnë një dënim të gjatë, ndoshta me vite e vite, kështu që ai vend duhet të perceptohet edhe si vendi i tyre, vend ku mund të përmirësohen dhe të rifitojnë lirinë jashtë këtyre mureve”.
“Me sytë e mi” - shikimi mbi të fundmit
Ekspozita në pavijonin e Selisë së Shenjtë i kushtohet të drejtave të njeriut dhe botëve të të shpërfillurve, periferive, ku jetojnë të fundmit. “Për të burgosurat kjo do të thotë vëmendje për gjendjen e tyre - vazhdon Don Antonio - që e provojnë ata, të cilët e kanë këtë përvojë burgu sepse gabuan, por edhe pse janë të varfër, të nëpërkëmbur që nga lindja ose nga vendi ku patën fatin e keq të jetojnë që në foshnjëri. Megjithatë, sytë e ngulur mbi të përjashtuarit janë akt dashamirësie ndaj tyre, janë mundësi për t'i vënë në qendër të një bote, që normalisht nuk dëshiron t'i shohë". Për më tepër, në fazën e gjatë përgatitore të pavijonit, të burgosurit mundën të merrnin pjesë aktive në krijimin e veprave të artistëve. Madje disa prej tyre u frymëzuan nga fotografitë, poezitë ose koreografitë e veçanta. “Ato punuan me gëzim – shton kapelani – sepse duan të jenë protagoniste të jetës së tyre dhe së shpejti, edhe të shoqërisë, që i pret jashtë”.
Art në burg, përvojë gjithëpërfshirëse
Të çosh artin në burg është akt revolucionar. Do të thotë të çosh bukurinë në një vend tradicionalisht të shëmtuar. Për më tepër, krijon mundësinë për një përvojë shumë të veçantë, sepse për të vizituar, për shembull, Pavijonin e Selisë së Shenjtë në Giudecca, celularët duhet t’i lini jashtë, si për çdo vizitë në një institucion penal. “Nëse heq dorë nga teknologjia dhe të gjitha superstrukturat që të shoqërojnë, siç duhet të bësh domosdoshmërisht këtu, të habit me të vërtetë puna që ke përballë: e kjo është mënyra e duhur për ta kuptuar e edhe për ta vlerësuar artin, sipas mendimit tim” - pohon Don Biancotto.
Hera e parë e një Pape në Bienale
Të dielën Françesku do të jetë në Venecia, në Bienalen e Artit: vizitë e pashoqe, që nga pjesëmarrja e parë e Selisë së Shenjtë në këtë veprimtari, në vitin 2013, falë punës së kryetarit të asokohshëm të Këshillit Papnor për Kulturën, Kardinalit Gianfranco Ravasi. “Të burgosurit i shprehin Papës mirënjohjen për këtë vizitë, të cilën ata e shikojnë si dashamirësi ndaj tyre nga ana e një Pape, i cili është treguar gjithmonë i ndjeshëm ndaj botës së burgjeve dhe i kujdesshëm ndaj të fundmëve - përfundon kapelani - që janë shumë të vëmendshëm ndaj këtyre gjesteve plot humanizëm, “në veçanti, ndaj Papës, që vjen për t'i vizituar, gjë që i bën të ndihen plotësisht pjesë e këtij njerëzimi”. Atëhere nisin e shpresojnë se ndoshta, për disa prej tyre, mund të hapen edhe dyert e burgut, siç pati ndodhur për Jubileun e të burgosurve, më 2016, kur me kërkesën e Papës për një akt mëshire ndaj të burgosurve, u hapën dyert e burgjeve, si në botën e lashtë, që përshkruhet në Besëlidhjen e Vjetër”.