Libri me kujtimet e Françeskut për Benediktin XVI: "Për mua ishte si baba"
R.SH. – Vatikan
“Benedikti ishte njeri tejet i ëmbël. Në disa raste, disa njerëz përfituan nga kjo, ndoshta pa ligësi, dhe ia kufizuan lëvizjet. Fatkeqësisht, në një farë mënyre, po e rrethonin. Ishte njeri shumë delikat, por nuk ishte i dobët, ishte i fortë. Me vetveten ishte i përvuajtur e nuk donte të imponohej. Prandaj, vuajti shumë”. Këto janë disa nga fjalët, me të cilat Papa Françesku kujton paraardhësin e tij Benediktin XVI, në librin-intervistë me gazetarin Javier Martínez-Brocal (“El Sucesor”, Editorial Planeta), që publikohet nesër, e mërkurë, 3 prill.
“Më la të rritem dalëngadalë – shpjegon Françesku – pati durim. E, nëse nuk e shihte qartë ndonjë gjë, mendohej tre-katër herë para se të ma thoshte. Më la të bëhem më i matur e më dha lirinë për të marrë vendime”. Ati i Shenjtë tregon për marrëdhëniet, që e lidhën me Papën e nderit gjatë gati dhjetë viteve të bashkëjetesës në Vatikan: “Më linte të lirë, nuk ndërhyri kurrë. Në një rast, kur ishte fjala për një vendim që nuk e kishte kuptuar, më kërkoi shpjegime krejt natyrshëm. Më tha: ‘Shiko, nuk e kuptoj këtë, por vendimi është në dorën tënde’, i shpjegova arsyet dhe u kënaq”. Në libër, Françesku nënvizon se paraardhësi i tij nuk ia kundërshtoi kurrë asnjë nga vendimet: “Kurrë nuk më la pa përkrahjen e tij. Ndoshta, kishte gjëra, me të cilat nuk ishte dakord, por kurrë nuk e thoshte".
Papa kujton edhe rrethanat e lamtumirës së tij me Benediktin XVI, të mërkurën, 28 dhjetor 2022, kur e pa për herë të fundit: “Benedikti shtrihej në shtrat. Ishte ende i vetëdijshëm, por nuk mund të fliste. Më pa, ma shtrëngoi dorën, e kuptoi çka i thashë, por nuk mund të nxirrte asnjë fjalë nga goja. Qëndrova pak me të ashtu, duke e parë dhe duke i mbajtur dorën. I mbaj mend shumë mirë sytë e tij të kthjellët... I thashë disa fjalë me dashuri dhe e bekova. Kështu thamë lamtumirë”.
Lidhur me vazhdimësinë ndërmjet papnive, Françesku pohon: "Ajo që shoh tek papët e fundit... është se çdo pasardhës karakterizohet gjithmonë nga vazhdimësia, vazhdimësi e ndryshime", sepse "në vazhdimësi, secili sjell karizmën e vet personale... por gjithmonë ka vazhdimësi dhe jo shkëputje”.
Françesku tregon një rast të veçantë, kur u mbrojt nga Benedikti XVI. “Pata një bisedë shumë të bukur me të kur disa kardinaj shkuan ta takonin, të befasuar nga fjalët e mia për martesën dhe, ai qe krejt i qartë me ta. Një ditë, u paraqitën në shtëpinë e tij, praktikisht, për të më bërë gjyqin, duke më akuzuar për promovimin e martesës homoseksuale. Benedikti nuk u shqetësua, sepse e dinte fare mirë çfarë mendoj unë. I dëgjoi të gjithë një për një, i qetësoi dhe u shpjegoi gjithçka. Ishte rasti kur pata thënë që martesa është sakrament e nuk mund t'u jepet çifteve homoseksuale, por, në një farë mënyre, duhej dhënë një garanci a mbrojtje civile për situatën e këtyre njerëzve. Pata thënë se në Francë ekziston formula e “bashkimeve civile”, që, në pamje të parë, mund të jetë një opcion i mirë, sepse nuk kufizohet vetëm te martesa. Për shembull - mendoja – mund të bashkohen tre pensioniste të moshuara, që kanë nevojë të ndajnë ndërmjet tyre shërbimin e kujdesit shëndetësor, trashëgiminë, banesën, etj. Doja të thosha se më dukej zgjidhje interesante. Disa shkuan për t'i thënë Benediktit XVI se unë po flisja herezi. Ai i dëgjoi dhe me shumë fisnikëri i ndihmoi t’i dallonin gjërat... U tha: “Kjo nuk është herezi”. Sa më ka mbrojtur!... Më ka mbrojtur gjithmonë”.
Papa i përgjigjet edhe pyetjes së gazetarit për librat, që dolën njëkohësisht me vdekjen e Papës së nderit. Françesku përgjigjet: “Më shkaktuan dhimbje të madhe: që ditën e varrimit u botua një libër, i cili më solli jo pak probleme, duke thënë gjëra të pavërteta, është shumë e trishtueshme. Natyrisht, nuk më prek, në kuptimin që nuk më kushtëzon. Por, më lëndoi fakti që u përdor Benedikti XVI. Libri u botua ditën e varrimit dhe unë e përjetova si mungesë fisnikërie e humanizmi”.
Së fundi, Papa i tregon Javier Martínez-Brocal se ka urdhëruar të rishikohet funerali papnor, duke shpjeguar se vigjëlimi funebër për Benediktin XVI do të mbetet i fundit me trupin e Papës jashtë arkivolit dhe me shtratin e jastëkët poshtë. Papët “duhen ruajtur dhe varrosur si çdo bir tjetër i Kishës. Me dinjitet, si çdo i krishterë”.