Lutja e Françeskut për popullsinë e dëshpëruar të Haitit dhe për paqen në botë
R. SH. - Vatikan
Në fund të vizitës baritore në Venecia, Françesku ia kushtoi lutjen e Mbretëeshës Qiellore të gjitha "situatave të shumta të vuajtjeve në botë".
Paqe dhe stabilitet për Haitin
Papa kujtoi para së gjithash Haitin, "ku gjendja është e jashtëzakonshme dhe popullsia, e dëshpëruar për shkak të kolapsit të sistemit shëndetësor, mungesës së ushqimit dhe dhunës, që çon në ikje":
“Ne ia besojmë Zotit punët dhe vendimet e presidentit të ri në tranzicion, i cili mori detyrën të enjten e kaluar në Port au Prince, në mënyrë që, me mbështetjen e përtërirë të bashkësisë ndërkombëtare, të mund ta udhëheqë vendin drejt paqes dhe stabilitetit”.
Paqe, dialog dhe pajtim
Vështrimi i Ipeshkvit të Romës u zgjerua, më pas, në situatat e shumta të vuajtjeve në botë, në skenarë lufte, që minojnë paqen dhe stabilitetin ndërkombëtar:
“Mendoj për Ukrainën e martirizuar, për Palestinën, për Izraelin, për Rohingya dhe për shumë popullata që vuajnë nga lufta dhe nga dhuna. Zoti i paqes i ndriçoftë zemrat, në mënyrë që dëshira për dialog dhe pajtim të rritet tek të gjithë”.
Falënderimet e Papës për Venecien
Në përfundim, Papa shprehu mirënjohjen për Patriarkun e Venecias, Imzot Francesco Moraglia -n, për të gjitha autoritetet civile, për të gjitha forcat e policisë, për bashkëpunëtorët, për vullnetarët dhe për ata, që e lehtësuan realizimin e vizitës së tij baritore:
“Të dashur vëllezër dhe motra, faleminderit përsëri për mirëpritjen. Faleminderit Patriarkut. Po të marr me vete në lutje edhe ty, e mos harro të lutesh për mua, se kjo punë nuk është e lehtë!”.