Mesha e Françeskut: Venecia, gjithëpërfshirje, kujdes për Krijimin e bukuri për të gjithë
R.SH. – Vatikan
“Venecia është e thirrur të jetë shenjë e bukurisë për të gjithë, duke filluar nga më të fundmit, shenjë vëllazërimi dhe kujdesi për shtëpinë tonë të përbashkët”: kështu Papa, para rreth 10.500 besimtarëve të mbledhur në sheshin e Shën Markut të qytetit, për meshën shenjte. Gjatë veprimtarisë së fundit të vizitës së tij gjysmëditore në Venecia, Françesku kryesoi meshën në sheshin e mrekullueshëm të Shën Markut, duke kujtuar temën e vizitës së tij: "Të mbetemi të bashkuar në dashurinë e Krishtit".
Të bashkuar në Krishtin
"Vetëm duke qëndruar të bashkuar në Krishtin", nënvizoi ai, ne mund t'i çojmë frytet e Ungjillit në realitetin ku jetojmë: frytet e drejtësisë dhe të paqes, frytet e solidaritetit dhe të kujdesit të ndërsjellë; vendimet e marra me kujdes për të ruajtur trashëgiminë tonë mjedisore dhe njerëzore.
Duke komentuar Ungjillin e sotëm sipas Gjonit, Papa vuri në dukje shëmbëlltyrën e përdorur nga Jezu Krishti, i cili është hardhia e vreshtit të Zotit, ndërsa besimtarët shermendet e saj.
“Në sfondin e imazhit të përdorur nga Jezusi, mendoj edhe për historinë e gjatë, që e lidh Venedikun me punën në vreshta dhe me prodhimin e verës, me kujdesin e shumë prodhuesve të verës dhe me vreshtat e shumta, lindur në ishujt e lagunës, në kopshtet e rrugëve të qytetit, në ato vende, që i impenjuan murgjit për të prodhuar verë për bashkësitë e tyre. Në këtë kujtesë, nuk është e vështirë të kapet mesazhi i shëmbëlltyrës së hardhisë dhe shermendeve: besimi në Jezusin, lidhja me Të nuk i vë prangat lirisë sonë, përkundrazi, na e hap zemrën për të mirëpritur limfën jetësore të dashurisë së Zotit”.
Jezusi na bën të lirë
Shëmbëlltyra ungjillore e së dielës së sotme, e pesta pas Pashkëve, vuri në dukje Papa, i shkon për shtat “ketij qyteti të ndërtuar mbi ujë, i njohur për veçantinë e tij si një nga vendet më piktoreske në botë”. “Venecia është një me ujërat mbi të cilat ngrihet. Pa kujdesin dhe mbrojtjen e këtij mjedisi natyror, ajo mund të mos ekzistojë më. Në mënyrë të ngjashme, jeta jonë është gjithnjë me themele në burimet e dashurisë së Zotit”, theksoi Ati i Shenjtë.
“Vëllezër dhe motra, kjo ka rëndësi: të mbetemi në Zotin, të banojmë në Të. Dhe kjo folje - të mbetemi - nuk duhet interpretuar si diçka statike, sikur të donte të na thoshte të rrimë pa lëvizur, të parkuar në pasivitet; në të vërtetë, na fton të lëvizim, sepse të mbetesh në Zotin do të thotë të lidhim marrëdhënie me Të, të komunikojmë me Të, ta mirëpresim Fjalën e Tij, ta ndjekim Atë në rrugën drejt Mbretërisë së Hyjit”.
Kush rri me Krishtin, sjell fryte
Jezu Krishti na bën thirrje të impenjohemi vazhdimisht, vijoi Papa. Kjo do të thotë të bëhemi dishepuj të Tij, të përqafojmë mësimet e Tij, të mishërojmë dashurinë e Tij dhe të japim fryte drejtësie, paqeje dhe solidariteti në bashkësitë tona.
Në sfondin e bukurisë unike të Venecias, Françesku bëri thirrje urgjente për veprim, duke theksuar sfidat e shumta me të cilat përballet qyteti, nga ndryshimi klimatik dhe degradimi i ambientit, te fragmentimi social dhe erozioni kulturor. Ati i Shenjtë kërkoi të merren vendime të kujdesshme, për ta ruajtur trashëgiminë mjedisore dhe njerëzore të këtij qyteti.
“Kemi nevojë që bashkësitë tona të krishtera, lagjet e qytetet tona, të bëhen vende mikpritëse, të banueshme, gjithëpërfshirëse. E Venecia, e cila ka qenë gjithmonë vend takimi dhe shkëmbimi kulturor, është e thirrur të jetë shenjë e bukurisë për të gjithë, duke filluar nga më të fundmit, shenjë vëllazërimi dhe kujdesi për shtëpinë tonë të përbashkët”.
Në përfundim të meshës, pas falenderimeve të Patriarkut të Venecias, imzot Francesco Moraglia, Papa hyri privatisht në Bazilikën e Shën Markut për të nderuar reliket e shenjtit ungjilltar, Pajtor i qytetit. Më pas, me motoskaf, shkoi në heliportin e Kolegjit Detar “F. Morosini” e, pasi përshëndeti autoritetet civile e fetare, u nis për në Vatikan. Përfundoi kështu, vizita e tij apostolike në qytetin italian.