Në Vatikan nisin takimet e prillit të C9
R. SH. - Vatikan
Nisi sot, 15 prill, në Vatikan, në prani të Papës Françesku, mbledhja e Këshillit të Kardinajve, i ashtuquajturi C9. Lajmin e bëri të ditur Salla vatikanase e Shtypit.
Punimet e shkurtit
Sesioni i fundit i punimeve u zhvillua nga data 5 deri më 7 shkurt me pjesëmarrjen e tri grave që dhanë kontributin e tyre lidhur me temën e rolit të femrës në Kishë. Ishte motra Linda Pocher, bijë e Zojës Ndihmëtare e të Krishterëve, profesoreshë e Kristologjisë dhe Mariologjisë në Fakultetin Papnor të Shkencave të Edukimit Auxilium në Romë; Giuliva Di Berardino, murgeshë e Ordo Virginum pranë Dioqezës së Veronës, mësuese dhe drejtuese e kurseve të përshpirtërisë dhe ushtrimeve shpirtërore dhe Jo Bailey Wells, peshkop i Kishës së Anglisë dhe nënsekretar i përgjithshëm i Bashkimit Anglikan. Në qendër të takimeve të kardinalëve me Papën dhe sekretarin e Këshillit, në shkurt u prek tema e shtigjeve sinodale, që po zhvillohen në Kishë dhe ajo e ungjillizimit, me relacionet e kardinalit Luis Antonio Tagle dhe kryeipeshkvit Rino Fisichella, proprefektë të Dikasterit për Ungjillëzimin.
Këshilli i ri Kardinajve (C9 i ri)
Këshilli i Kardinajve, pas përtëritjes së organit nga Papa, më 7 mars 2023, përbëhet nga kardinajtë Pietro Parolin, sekretar i Shtetit; Fernando Vérgez Alzaga, kryetar i Komisionit Papnor të Shtetit të Qytetit të Vatikanit dhe i Guvernatoratit të Shtetit të Qytetit të Vatikanit; Fridolin Ambongo Besungu, kryeipeshkëv i Kinshasës; Oswald Gracias, kryeipeshkëv i Bombeit; Seán Patrick O'Malley,Kryeipeshkëv i Bostonit; Juan José Omella Omella, Kryeipeshkëv i Barcelonës; Gérald Lacroix, Kryeipeshkëv i Kebekut; Jean-Claude Hollerich, Kryeipeshkëv i Luksemburgut; Sérgio da Rocha, Kryeipeshkëv i San Salvador de Bahia. Sekretar është Imzot Marco Mellino, ipeshkëv titullar i Krezmimit. Takimi i parë i C9-së së re u mbajt më 24 prillin e kaluar.
Krijimi i Këshillit të Kardinajve
Këshilli u krijua nga Papa Françesku me kirografin e 28 shtatorit 2013, me detyrë për ta ndihmuar në qeverisjen e Kishës universale dhe për të studiuar projektin për rishikimin e Kuries Romake, kjo e fundit e realizuar me Kushtetutën e re Apostolike Praedicate Evangelium botuar më 19 mars 2022. Takimi i parë i C9 u zhvillua më 1 tetor 2013.