Kërko

Audienca e Papës me pjesëmarrësit e Asamblesë Plenare të Akademisë Papnore të Shkencave Shoqërore Audienca e Papës me pjesëmarrësit e Asamblesë Plenare të Akademisë Papnore të Shkencave Shoqërore

Papa: jeta është gjithnjë e denjë, asnjë logjikë nuk e justifikon keqtrajtimin e saj

Thirrja e Françeskut drejtuar pjesëmarrësve në seancën plenare të Akademisë Papnore të Shkencave Shoqërore, të cilët i priti në audiencë: mos ia jepni vlerën ekzistencës njerëzore mbi bazën e "kritereve utilitare dhe funksionale". Kemi nevojë për "kulturën e përfshirjes", kundër rrezikut për t’i konsideruar "barrë" fëmijët e palindur me aftësi të kufizuara, ose të moshuarit në fazat e fundit të jetës

R.SH. – Vatikan

 Përballë kulturës së hedhurinave, “që nuk ka kufij”, duhet të promovojmë “kulturën e përfshirjes”. Papa e bën sërish këtë thirrje në takimin me pjesëmarrësit e Asamblesë Plenare të Akademisë Papnore të Shkencave Shoqërore, me temë "Të ndryshohen kushtet shoqërore dhe të krijohet një kulturë e re e përfshirjes". Sot, 11 prill, ishte dita e fundit e punimeve në Vatikan. Për herë të parë që nga themelimi i Akademisë, 30 vite më parë, asambleja plenare u kushtohet njerëzve me aftësi të kufizuara, për të cilët Papa Françesku vuri në dukje izolimin dhe mënjanimin, që vuajnë ende në shumë vende të botës.

“Kultura e hedhurinave, në fakt, nuk ka kufij – nënvizoi Ati i Shenjtë. - Ka nga ata, që mendojnë se mund të vendosin kur jeta ka vlerë dhe ia vlen të jetohet, mbi bazën e kritereve utilitare dhe funksionale. Kjo lloj mendësie mund të çojë në shkelje të rënda të të drejtave të njerëzve më të dobët, në padrejtësi dhe pabarazi të mëdha, aty ku udhëhiqemi kryesisht nga logjika e fitimit, e rendimentit apo e suksesit”.

Kultura e vdekjes, e abortit dhe e eutanazisë

Papa Françesku sheh edhe një rrezik tjetër, më pak të dukshëm, por shumë më tinëzar për njerëzit me aftësi të kufizuara, që është “prirja për ta konsideruar ekzistencën si barrë për veten dhe për të afërmit”. Kjo mendësi, paralajmëron Papa, "e shndërron kulturën e hedhurinave në kulturë vdekjeje".

“Kjo është shumë e rëndësishme, dy skajet e jetës: fëmijët e palindur me aftësi të kufizuara abortohen dhe të moshuarve në fazën e tyre të fundit u jepet një vdekje e ëmbël, eutanazia. Një eutanazi e maskuar, gjithmonë, por në fund të fundit është eutanazi”.

Të mbështetet përfshirja

Ati i Shenjtë përvijon udhën drejt kulturës së përfshirjes si mënyrë për të "luftuar kulturën e hedhurinave", sepse vetëm kështu mund të krijohen e të forcohen ato lidhje në shoqëri, që e bëjnë njeriun ta ndiejë përkatësinë në të.

“Protagonistët e këtij aksioni solidar janë ata që, duke u ndierë bashkëpërgjegjës për të mirën e secilit, punojnë për një drejtësi më të madhe shoqërore dhe për të shembur barrierat e llojeve të ndryshme, që pengojnë shumë vetë të gëzojnë të drejtat dhe liritë themelore”.

Të përkrahen vendet më të varfra

Në krahasim me vendet e pasura, në vendet më të varfëra, denoncon Papa, kushtet për njerëzit më të brishtë janë ende për t’u realizuar. Françesku i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare t’i përkrahë si qeveritë, që punojnë në këtë drejtim, ashtu edhe organizatat e shoqërisë civile, që impenjohen në fushën e solidaritetit. “Susidiariteti dhe pjesëmarrja janë dy shtyllat e përfshirjes së vërtetë”, këshilloi Ati i Shenjtë rrugën ku duhet ecur për t’u bërë ballë sfidave në këtë drejtim, të cilat Papa i rreshton një e nga një.

“Mendoj për teknologjinë dhe implikimet e saj në punën kërkimore e në fusha si mjekësia dhe tranzicioni ekologjik; mendoj për komunikimin dhe zhvillimin e inteligjencës artificiale - një sfidë e vërtetë! – si edhe nevojën për të gjetur modele të reja ekonomike”.

Këto, detyrat para Akademisë Papnore të Shkencave Shoqërore, të cilën Ati i Shenjtë e nxiti të bëhet zë i impenjimit të Kishës për njerëzit më të brishtë, sipas shembullit të Jezu Krishtit, që tregohet nga Ungjijtë.

11 prill 2024, 12:15