Kërko

Papa, Komisionit Biblik: "t'i prekim me dorë vuajtjet e njerëzimit"

Papa priti në audiencë pjesëmarrësit e seancës plenare të Komisionit Biblik Papnor dhe reflektoi mbi temën e punimeve "Sëmundja dhe vuajtja në Bibël": dhimbja dhe sëmundja duhet të preken me dorë e jo në teori, ashtu siç bëri Jezusi, i cili nuk i "shpjegoi" por u "përkul" drejt të prekurve prej tyre

R.SH. - Vatikan

Ndoshta gabimi më instinktiv para një personi që vuan është t'i thuash një fjalë e cila të synojë t'a bëjë të ndihen më mirë pa pritur e pa kujtuar. Gabimi ndoshta më moderne është të reduktosh vuajtjen e tij në "një tabu sipas të cilës është më mirë të mos flitet", sepse, ndoshta, mund të cenojë "atë imazh të efikasitetit me çdo kusht, që shërben për të shitur dhe për të fituar para". Për Papën kjo "sigurisht nuk është një zgjidhje" dhe këtë e pohoi qartë gjatë audiencës së sotme me pjesëmarrësit e Komisionit Biblik Papnor, të mbledhur në seancën plenare për të diskutuar mbi një temë ekzistenciale: "Sëmundja dhe vuajtja në Bibël".

Dy fjalë kyçe
Vuajtja dhe sëmundja, tha Papa Françesku, "janë kundërshtarë që duhen përballur, por është e rëndësishme ta bëjmë këtë në një mënyrë të denjë për njeriun", domethënë duke ndihmuar për t’i jetuar "në marrëdhënie" me të tjerët, e duke mos lejuar që instinkti njerëzor për t'u rebeluar kundër tyre “të shndërrohet në izolim, braktisje apo dëshpërim”. Në përvojën e krishterë, nënvizon Papa, jo rrallë "pesha e vuajtjes", për shembull kur dikush përjeton një sëmundje të rëndë, mund ta bëjë më të pjekur e më të matur e ta kuptojë më mirë atë "çka është thelbësore në jetë e atë që nuk është". Për këtë duhen mbajtur para sysh dy !fjalë vendimtare”, sipas Papës: dhembshuria dhe përfshirja".

Përkuluni, mos shpjegoni
Shembulli, si gjithmonë, vjen nga Krishti dhe në veçanti nga mënyra e tij e të qenit pranë një të sëmuri ose pranë njerëzve që vuajnë nga ndonjë e keqe.
Jezusi nuk e shpjegon vuajtjen, por përkulet drejt atyre që vuajnë. Ai nuk i afrohet dhimbjes me inkurajime të përgjithshme dhe me ngushëllime të kota, por mirëpret dramën e saj, duke u prekur personalisht.

"Pseja jonë e madhe"
Jezusi pra preket nga vuajtja e njeriut, nuk qëndron indiferent, prek me dorë të sëmurin për ta ngritur dhe shëruar. Vetë Bibla, thotë Papa, “është ndriçuese në këtë kuptim: nuk na lë ndonjë doracak fjalësh të mira apo një libër recetash me ndjenja, por na tregon fytyra, takime dhe histori konkrete, si historia e Jobit. Po Krishti shkon më tej, kur në Kalvar merr përsipër të gjitha të këqijat e vuajtjet e botës, duke na ofruan, kështu, shembullin më të lartë të afërsisë me njerëzit.
Përgjigja e Jezusit është jetike, përbëhet nga dhembshuria që tregon dhe merr përsipër vuajtjen, dhe duke marrë përsipër e shpëton njeriun dhe e shndërron dhimbjen e tij. Krishti e transformoi dhimbjen tonë duke e bërë plotësisht të tijën: duke e përvetësuar, duke e vuajtur dhe duke e ofruar si dhuratë dashurie. “Pse”-ve tona Jezusi nuk u ka dhënë përgjigje të lehta, por në kryq e bërë të tijën “pse-në” tonë të madhe.

Nga dhembshuria në përfshirje hapi është i shkurtër. Ashtu si Jezusi që i afron të gjithë, kjo, nënvizoi Papa Françesku, "çon në qëndrime të një bashkëndarjeje", siç bën Samaritani i Mirë.
Nëpërmjet përvojës së vuajtjes dhe të sëmundjes, ne, si Kishë jemi thirrur të ecim së bashku me të gjithë, në solidaritetin e krishterë e njerëzor, duke hapur, në emër të brishtësisë së përbashkët, mundësi e raste për dialog dhe shpresë.

11 prill 2024, 11:47