Kërko

1714288948472.JPG

Françesku: bota ka nevojë për artin, qytet strehimi për të gjithë

Françesku takohet me artistët e Bienales së Artit të Venecias në Kishën e Madalenës, domethënë, në kapelën e Burgut, në Ishullin e Giudecca-s: "Pranë jush ndihem si në shtëpi. Arti nuk u bindet formave të sundimit të dhunës dhe të diskriminimit, për t’i përfshirë dhe për t’i përqafuar të gjithë, duke nisur nga më të fundmit”. Papa thekson "rrezikun që tregu ta grabisë pafajësinë" dhe shpreson se arti do të ndihmojë në vlerësimin e kontributit të grave.

R. SH. - Vatikan

 "Qytet strehimi" për të çliruar botën nga egoizmi dhe refuzimi i tjetrit”. Në takimin me artistët e Bienales së Artit të Venecias, në Kishën e Madalenës, Francesku e quan kështu artin.

Duhet fryma e pajtimit

E rrëfej se pranë jush nuk ndihem i huaj: ndihem si në shtëpinë time. E unë mendoj se në realitet kjo vlen për çdo qenie njerëzore sepse, pavarësisht nga të gjitha qëllimet, arti ka statusin e një "qyteti strehimi", një qyteti, që nuk i bindet regjimit të dhunës dhe të diskriminimit, që do të krijojnë forma të përkatësisë njerëzore, të afta për t’i njohur, për t’i përfshirë, për t’i mbrojtur, për t’i përqafuar të gjithë. Të gjithë, duke filluar nga të fundmit! Imazhi i "qytetit të strehimit" - shpjegoi Ipeshkvi i Romës - është marrë nga Kodi i Përtërirë. Është institucion biblik ‘i destinuar për të parandaluar derdhjen e gjakut të pafajshëm dhe për të moderuar dëshirën e verbër për hakmarrje, për të garantuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe për të kërkuar forma të pajtimit":

 “Do të ishte e rëndësishme nëse praktikat e ndryshme artistike do të mund të krijonin kudo një lloj rrjeti qytetesh strehimi, që bashkëpunojnë për të çliruar botën nga antinomitë e pakuptimta dhe tashmë të zbrazura, por që e kërkojnë sundimin absolut në racizëm, në ksenofobi, në pabarazi, në çekuilibër ekologjik dhe aporofobi, neologjizëm i tmerrshëm ky, që do të thotë ‘fobi e të varfërve’.

Papa me artistët
Papa me artistët

Të mos i bindemi dhunës dhe diskriminimit

Është egoizmi - vijoi Papa - “ai që na bën të funksionojmë si ishuj të vetmuar dhe jo si arkipelagë bashkëpunues”. Arti thirret të jetë një qytet që "nuk i bindet regjimit të dhunës dhe diskriminimit, për të krijuar forma të përkatësisë njerëzore të afta t’i njohin, t’i përfshijnë, t’i mbrojnë dhe  t’i përqafojnë të gjithë":

“Përfytyroni qytete që nuk ekzistojnë ende në hartë: qytete ku asnjë qenie njerëzore nuk konsiderohet e huaj. Kjo është arsyeja pse kur themi "të huaj kudo", ne propozojmë "vëllezër kudo".

Takim në shtëpi, pranë miqve

Takim në shtëpi, me miqtë! ‘Pranë jush nuk ndihem i huaj, ndihem si në shtëpinë time”, u thotë Papa artistëve të cilëve u rrëfen se donte t’i takonte në Bienale “për t’u rikthyer vizitën, siç është zakon i mirë mes miqsh”.  

Kujton, kështu, takimin me artistët në Kapelën Sikstine, më 23 qershorin e kaluar: "tani jam unë ai që do të vij në shtëpinë tuaj, për t'u ndjerë edhe më afër jush dhe ju falënderoj për atë që jeni dhe atë që bëni".

Papa takohet me artistët e Bienales
Papa takohet me artistët e Bienales

Vështrimi soditës i artit

Françesku reflekton për titullin e pavijonit: Me sytë e mi. “Ne të gjithë – vëren ai - duhet të shikohemi dhe të guxojmë të shikojmë vetveten. Jezusi është Mjeshtri që i shikon të gjithë me intensitetin e një dashurie që nuk gjykon, por di të jetë afër dhe të inkurajojë":

Titulli i pavijonit ku ndodhemi është “Me sytë e mi”. Të gjithë kemi nevojë të shikohemi dhe të guxojmë të shikojmë veten. Në këtë, Jezusi është Mjeshtri i përhershëm: Ai i shikon të gjithë me forcën e një dashurie që nuk gjykon, por di të jetë pranë dhe të të japë guxim.

Arti na edukon me këtë lloj vështrimi, jo posedues, jo objektivizues, por jo indiferent apo sipërfaqësor; na edukon me një vështrim soditës – kujtoi Papa – që në vijim  u kërkon artistëve atyre ta dallojnë artin nga tregu: “Sigurisht, tregu promovon dhe kanonizon, por gjithmonë ekziston rreziku që ai të "vampirizojë" krijimtarinë, të vjedhë pafajësinë dhe, së fundi, të udhëzojë ftohtë se çfarë duhet bërë”.

Papa takohet me artistët e Bienales
Papa takohet me artistët e Bienales

Duke dëgjuar zërat femërore

 Së fundi, nga kapela e dekoruar e burgut të grave në Giudecca, e zbukuruar me instalimin e skulpturave prej pëlhure të varura, Ati i Shenjtë kujtoi femra artiste si Frida Khalo, Corita Kent apo Louise Bourgeois: “askush nuk ka monopol mbi dhimbjen njerëzore, por ka gëzim e  vuajtje” - vë në dukje Françesku - “të cilat bashkohen në gjininë femërore në një formë unike, ndaj duhet t’i dëgjojmë, sepse kanë diçka të rëndësishme për të na mësuar”:

“Uroj me gjithë zemër që arti bashkëkohor të na hapë shikimin, duke na ndihmuar ta rrisim në mënyrë të përshtatshme kontributin e grave, si bashkëprotagoniste të aventurës njerëzore. Papa u bën artistëve ‘një pyetje’ që na shtyn drejt së ardhmes’, për t'u mbajtur në zemrat tona. Është pyetja që Jezusi u drejtoi turmave, lidhur me Gjon Pagëzuesin: Çfarë shkuat të shihni në shkretëtirë? (Mt 11, 7-8)”.

Papa me artistët
Papa me artistët

Përshëndetje nga Kardinali Tolentino

Papën, sapo mbërriti në Kapelën e Burgut, e përshëndeti kardinali José Tolentino de Mendonça, prefekt i Dikasterit për Kulturën dhe Arsimin dhe drejtues i Pavijonit të Selisë së Shenjtë në Bienalen e Artit të Venecias. Vizita e tij - tha kardinali, duke kujtuar atë që është përkufizuar si divorc ndërmjet artit dhe kishës në epokën bashkëkohore - "përuron një epokë të re në marrëdhëniet ndërmjet Kishës dhe arteve" duke "bërë të dukshme dëshirën për të zbatuar një stil të ri, në të cilin gërshetohen konvergjencat pluraliste, liria dhe pjesa e rrugëtimit të vërtetë, që mund ta bëjmë së bashku.

Ky pavijon - vazhdoi Tolentino de Mendonça – është dëshmi për këtë. Nuk kërkuam artistët më komodë. Nuk donim të ndërtonim llogore, apo të izoloheshim në një vegim! Përkundrazi, ftesa është që të gjithë ta shohin me sytë e tyre. Në këtë kuptim, deshëm të jemi qiramarrës dhe fqinjë, më mirë sesa i zoti i shtëpisë”.

28 prill 2024, 11:45