Kërko

Papa: bujari e solidaritet, si përgjigje individualizmit dhe indiferencës

Papa, duke pritur në audiencë anëtarët e organizatës, që mbështet projekte të ndryshme arsimore, bamirëse dhe apostolike të Kishës, edhe bursa studimi për laikë, priftërinj dhe rregulltarë që studiojnë në Romë, i falënderoi përzemërsisht për kontributin e tyre. Programet tuaja, u kujtoi, nxisin lidhjen shpirtërore dhe vëllazërore me njerëz të shumë kulturave, gjuhëve dhe viseve të ndryshme.

R.SH. / Vatikan

Papa Françesku i falënderoi anëtarët e Papal Fondation, të pritur në audiencë, në Sallën Klementine të Pallatit Apostolik, me rastin e shtegtimit në Romë, për mbështetjen nga organizata bamirëse "të projekteve arsimore, bamirëse dhe apostolike" gjë që ndikon shumë mbi "zhvillimin integral", veçanërisht  "të të varfërve, refugjatëve, emigrantëve" dhe "të një numri njerëzish në rritje, të prekur nga lufta dhe nga dhuna”.

Përmes bursave, Fondacioni ndihmon  "laikë, rregulltarë, seminaristë dhe priftërinj nga vendet në zhvillim" të vazhdojnë studimet e tyre në Universitetet Papnore të Romës. Në më shumë se njëzet vjet, 1700 njerëz përfituan  prej tij, duke sigurusar kështu "mjetet e nevojshme të dëshmimit me sukses të Ungjillit si në vendet e tyre të origjinës, ashtu edhe në vise të largëta e të panjohura ".

“Nëpërmjet këtyre nismave, të ndryshme dhe të lavdërueshme, ju vazhdoni t'i ndihmoni Pasardhësit e Pjetrit të mbështesin Kisha të shumta lokale dhe të kujdesen për shumë njerëz të varfër, si përgjigje e udhëzimeve që Zoti ia pati besuar Apostullit. Për gjithë bujarinë tuaj, ju shpreh mirënjohjen time të përzemërt”.

Solidaritet i nxitur nga feja katolike

Fondacioni Papnor është vepër, që "e gjen burimin dhe frymëzimin" në fenë katolike e cila - nënvizoi Françesku – duhet të ushqehet vazhdimisht nga pjesëmarrja në jetën e Kishës, nga Sakramentet dhe nga koha e kaluar në heshtje në praninë e Zotit, në lutje dhe në adhurim".

“Mos harroni të adhuroni: lutjen e adhurimit e kemi lënë pas dore; duhet ta rimarrim rishtas. Të adhurojmë, në heshtje”.

Lidhje vëllazërore me një mori njerëzish

Papa kujtoi se Kisha po përgatitet të festojë Jubileun e 2025-ës me Vitin e Lutjes. Duke ngulmuar në lutje, bëhemi "pak nga pak një zemër e vetme dhe një shpirt i vetëm” si me Jezusin, ashtu edhe me të tjerët", shtoi, dhe kjo "shndërrohet në solidaritet e ndarje të bukës sonë të përditshme": “Programet e Fondacionit Papnor nxisin lidhje shpirtërore dhe lidhje vëllazërore me njerëz të shumë kulturave, gjuhëve dhe rajoneve të ndryshme që marrin ndihmë. Shërbimi juaj është edhe më i nevojshëm në kohën tonë, të pushtuar nga individualizmi dhe indiferenca”.

Angazhimet e reja të fondacionit

Fondacioni Papnor njoftoi se këtë vit do të dhurojë 14.7 milionë dollarë për bursa studimi dhe ndihma humanitare, në shërbim të Papës dhe të Kishës Katolike nëpër botë. Do të japë edhe një ndihmë prej 9,921 mijë dollarësh, për të mbështetur 118 projekte për më të varfërit në mbi 60 vende e do të sigurojë 819 mijë dollarë bursa, që do të mundësojnë më shumë se 100 priftërinj, murgesha dhe seminaristë të studiojnë në Romë, me Programin e Bursave të Shën Gjon Palit II.

Së fundi, Fondacioni do të ofrojë edhe ndihmë humanitare përmes Fondit të tij të Misionit, duke rezervuar 4 milionë dollarë fonde emergjente për kohë krize, për të ushqyer të uriturit, për të mjekuar të sëmurët dhe për t’u siguruar strehë të pastrehëve.

12 prill 2024, 12:28