Papa: dama, një lojë që stimulon mendjen. Mediat e reja mund ta vënë në gjumë
R.SH. – Vatikan
Nuk është diçka për të cilën flitet shpesh, sepse në dramën e madhe të migrimit dhe të nevojave që ai krijon, është, thjesht, një detaj shumë i vogël. Megjithatë, Papa e nxorri sot në pah, duke i dhënë rëndësi: edhe loja e damës mund t'u ofrojë një çast qetësie atyre, që janë larguar nga atdheu në kërkim të një tjetri, me njëmijë vështirësish. Duke pritur anëtarët e Federatës Italiane të Damës, në 100-vjetorin e lindjes së organizmit, Ati i Shenjtë nënvizoi se loja e damës rezulton se është një nga më të zakonshmet në mesin e emigrantëve, që zbarkojnë në brigjet evropiane dhe se "shumë prej këtyre vëllezërve dhe motrave, në gjendje pasigurie e shqetësimi të madh, gjejnë lehtësim duke luajtur damë".
Lojë për të gjithë, që stimulon mendjen
Kjo lojë, vërejti më tej Papa, "ka dy karakteristika të bukura: stimulon mendjen dhe është për të gjithë". Gjithçka nevojitet është thjesht "një fushë dhe gurët, mjaftojnë dy lojtarë”. “Është mënyrë simpatike për të ndenjur së bashku”. E, pikërisht kjo thjeshtësi, e cila nuk ka nevojë për “mjete dhe struktura të mëdha”, ka çuar në suksesin e lojës në vende të ndryshme të botës, për shekuj me radhë.
Bukuria e sfidave të përbashkëta
Më tej, Papa theksoi se loja e damës kërkon "inteligjencë, aftësi dhe vëmendje". Ajo “ushtron aftësitë logjike dhe për këtë, - ngriti zërin Françesku - kemi shumë nevojë, sepse abuzimi me mediat e reja e bën mendjen të bjerë në gjumë!”. Bindje, të cilën Ati i Shenjtë e përforcon me mendimin e tij të fundit: “Në një botë të karakterizuar nga individualizmi, që, nganjëherë, ka rrezik të kthehet në izolim”, ky “takim i gëzuar, për t’u njohur me njëri-tjetrin dhe për të sfiduar njëri-tjetrin me sportivitet”, bën “të qarkullojë ajër i pastër dhe i freskët”. Papa uroi “të mbahen gjallë çastet e përshpirtërisë, që zakonisht Federata i lidh me ngjarjet më të rëndësishme të organizuara prej saj”.