Kërko

Fumo dopo i bombardamenti su Khan Yunis, nel sud della Striscia di Gaza Fumo dopo i bombardamenti su Khan Yunis, nel sud della Striscia di Gaza

Papa: është luftë kudo. Kërkojmë paqe për Ukrainën, Tokën Shenjte dhe Mianmarin

Në përfundim të audiencës së përgjithshme, në Sheshin e Shën Pjetrit, Françesku kujtoi “vëllezërit dhe motrat” që “vuajnë aq shumë” nga konfliktet: “Të mos i harrojmë”. Afërsi për popullsinë e Kazakistanit të prekur nga një përmbytje masive, që shkatërroi qytete të tëra dhe detyroi mbi 96 mijë njerëz të shpërngulen: "Lutemi për ata, që po vuajnë pasojat e kësaj fatkeqësie natyrore"

R.SH. / Vatikan

“Lufta është kudo… Zoti na dhëntë paqe”

Edhe sot, si në çdo audiencë të përgjithshme të së mërkurës, nuk mungoi shprehja e dhimbjes së Papës për territoret e tmerruara nga egërsia e konflikteve e barra e rëndë e vdekjeve dhe e dhunës: Ukraina, Palestina, Izraeli… e këtyre Françesku u shton edhe Mianmarin, ku vijon tragjedia e minoritetit Rohingya.

Një mendim për Ukrainën dhe Tokën Shenjte

Në çastin e përshëndetjeve në italisht, duke u larguar nga teksti i shkruar dhe duke iu drejtuar mijëra besimtarëve në Sheshin e Shën Pjetrit, i shoqëruar nga kënga e erës në sfond, Papa kujtoi:

“Mendimet e mia shkojnë në Ukrainën e martirizuar, në Palestinë e Izrael”.

Papa lutet, pasi sulmet me dronë vazhdojnë në Ukrainë dhe numri i civilëve dhe ushtarëve të vdekur rritet. E nga Gaza, vetëm pak orë më parë u fol për një sulm ajror izraelit, që në mbrëmje goditi një shtëpi në qendër të Rripit, në qytetin Zawaida, duke vrarë të paktën 11 persona, ndërmjet të cilëve, shtatë gra dhe katër fëmijë. Pamjet nga agjencitë ndërkombëtare treguan një burrë duke mbajtur trupin e pajetë të një vajze të vogël dhe duke e vendosur atë së bashku me trupat e fëmijëve të tjerë të vdekur, në dyshemenë e spitalit kryesor në Deir al-Balah aty pranë.

Mos e harroni Mianmarin

“Zoti na dhëntë paqe”, lutet Papa Françesku. “Lufta është kudo”, pohon dhe, duke folur përsëri lirisht, jashtë tekstit të shkruar, shton: “Të mos e harrojmë Mianmarin”. Eshtë vendi aziatik, i vizituar në dhjetor 2017 dhe i përfshirë gjithmonë në lutjet dhe thirrjet e Atit të Shenjtë, duke kujtuar veçanërisht pakicën e popullsisë Rohingya, pakicë myslimane e diskriminuar dhe e lënë pas dore.

Lajmet e fundit, dhënë nga agjencia Fides, flisnin për rekrutimin e detyruar të burrave Rohingya në ushtrinë birmaneze e cila, e shkatërruar nga humbjet në terren, i dërgon ata në vijën e parë të betejës me Ushtrinë Arakan, në shtetin Rakhine. Rreth një mijë të rinj, kryesisht të zhvendosur, të rrëmbyen nga fshatrat, tregjet, fushat, u dërguan në bazat e ushtrisë për stërvitje ushtarake. "I lypim Zotit paqe" - këmbëngul Françesku:

“E të mos i harrojmë këta vëllezër e motra tona, që vuajnë kaq shumë në këto zona lufte. Të lutemi së bashku dhe gjithmonë për paqe”.

Afërsia për popullin e Kazakistanit prekur nga përmbytjet

Papa Françesku më pas tërheq vëmendjen e botës drejt Kazakistanit, dëmtuar nga një përmbytje e papërballueshme - më e keqja në 70 vitet e fundit - e shkaktuar nga shkrirja e shpejtë e borës, e cila bëri që lumenjtë masivë të fryheshin përtej kapacitetit të tyre dhe detyroi rreth 96 mijë njerëz të evakuoheshin. Përsëri në fund të audiencës së përgjithshme, Papa shprehu "afërsinë shpirtërore" me popullin kazak dhe i ftoi "të gjithë të luten për  ata që po vuajnë pasojat e kësaj fatkeqësie natyrore":

“Edhe në çaste vështirësish,  kujtojmë gëzimin e Krishtit të ringjallur dhe  kërkojmë për ju dhe për familjet tuaja, dashurinë e mëshirshme të Perëndisë, Atit tonë”.

Përmbytjet në vendin e Azisë Qendrore u shkaktuan nga reshjet e dendura të ditëve të fundit dhe temperaturat mbi mesataren, të cilat e shpejtuan shkrirjen e borës dhe të akullit. Përmbytjet prekën veçanërisht rajonet perëndimore, veriore, qendrore dhe lindore, ku u shpërngulën mbi 96 mijë njerëz, sipas njoftimit të Ministrisë së Emergjencave të Kazakistanit. Banorët e qytetit vërshonin nëpër rrugë si të ishin lumenj.

Përmbytja e ujit ka prekur dhjetëra vendbanime në malet Urale, në Siberi dhe në zona të Kazakistanit pranë lumenjve si Ural (lumi i tretë më i gjatë në Evropë) dhe Tobol i cili, sipas zyrtarëve lokalë, u fry me metra në pak orë, duke arritur nivelet më të larta të regjistruara ndonjëherë. Ndërkaq digat dhe argjinaturat u forcuan për t’i bërë ballë rreziqeve të mëtejshme.

10 prill 2024, 12:30