Papa: feja, shpresa, dashuria, ilaçe të krishtera kundër vetëvlerësimit
R. SH. - Vatikan
Françesku vazhdon serinë e katekizimave kushtuar veseve dhe virtyteve, objekt i reflektimeve të tij në audiencat e përgjithshme të së mërkurës gjatë javëve të fundit. Pasi foli për katër virtytet kryesore: urtinë, drejtësinë, maturinë dhe vetëpërmbajtjen, sot u ndalua tek tre virtytet teologale: feja, shpresa e dashuria, të cilat "karakterizojnë jetën e të krishterit" dhe janë "peng i pranisë dhe i veprimit të Shpirtit Shenjt" ndër to. Dishepulli i Jezusit, pra, nuk është hero, por "nuk është kurrë as vetëm”.
Virtytet kryesore, themel i një jete të mirë
Virtytet kryesore, trashëgimi e mendimit të lashtë, janë gurët e themelit të jetës morale, domethënë të "një jete të mirë". Qysh përpara Krishtit - shpjegoi Papa - ishin të pranishme vlera të tilla si ndershmëria, mençuria, guximi dhe vetpërmbajtja. "Krishterimi nuk e zëvendësoi këtë trashëgimi të njerëzimit - vërejti - por e bëri më të qartë, e vlerësoi, e pastroi, e plotësoi":
“Prandaj në zemrën e çdo burri dhe të çdo gruaje ekziston aftësia për të kërkuar të mirën. Shpirti Shenjt u dhurua në mënyrë që kush e mirëpret, të mund ta dallojë qartë të mirën nga e keqja, të ketë forcën për të bërë të mirën, duke e shmangur të keqen e, duke e bërë këtë, të arrijë në realizimin e plotë të vetvetes”.
Virtytet teologale, dhuratë e Shpirtit Shenjt
Prandaj, i krishteri ka një avantazh shtesë, "ndihmën e veçantë nga Shpirti i Jezu Krishtit" – vijoi Papa - nëpërmjet dhuratës së tre virtyteve: fesë, shpresës dhe dashurisë, që njihen me emrin teologale, "me që priten dhe jetohen në marrëdhëniet me Zoti". E Papa, në vijim, kujtoi përkufizimin e tyre, sipas Katekizmit të Kishës Katolike:
"Krijojnë, gjallërojnë dhe karakterizojnë veprimin moral të të krishterit. Ato - tre virtytet - informojnë dhe gjallërojnë gjithë jetën morale. Këto virtyte Zoti i ngjall në shpirtrat e besimtarëve për t'i bërë të aftë të veprojnë si bijtë e tij dhe të meritojnë jetën e pasosur. Këto tre virtyte - feja, shpresa dhe dashuria - janë pengu i pranisë dhe i veprimit të Shpirtit Shenjt në aftësitë e qenies njerëzore”.
Jo heronj, por dishepuj
Prania e Shpirtit Shenjt sjell një ndryshim rrënjësor - kujton Françesku - ndërsa respektimi i virtyteve kryesore mund të krijojë njerëz heroikë në përpjekjet e tyre për të bërë mirë. I krishteri nuk është kurrë vetëm. Bën mirë - thotë Papa - jo për përpjekje titanike personale, por sepse, si dishepull i përvuajtur, ecën pas Mjeshtrit Jezus”. E vijon:
“I krishteri ka virtytet teologale që janë kundërhelmi i madh i vetëvlerësimit. Sa shpesh burra dhe gra moralisht të patëmetë rrezikojnë të bëhen, në sytë e atyre që i njohin, mendjemëdhenj dhe arrogantë! (...) Krenaria - arroganca – është helm, helm i fuqishëm: mjafton vetëm një pikë për të shkatërruar një jetë të tërë të karakterizuar nga mirësia”. Ndihmë, për të kapërcyer çastet e vështira
E mira - theksoi më tej Papa - ka karakteristika të sakta, "nuk është vetëm synim, por edhe mënyrë". Ndërmjet tyre, takti e dashamirësia, por mbi të gjitha zhveshja “nga ajo prani ndonjëherë tepër e rëndë që është vetja jonë”. E më pas - pohon përsëri Françesku - askush nuk përjashtohet nga rrëzimet dhe gabimet, e virtytet teologale janë ndihmë e madhe në situata të vështira:
“Nëse e humbasim fenë - theksoi në përfundim të audiencës Françesku - Zoti na e rihap zemrën me forcën e Shpirtit Shenjt; nëse jemi të çkurajuar, Zoti na zgjon shpresën; nëse zemra jonë është bërë gur, Zoti e zbut me dashurinë e tij”.