Papa Françesku do të marrë pjesë në sesionin e G7 për inteligjencën artificiale
R. SH. - Vatikan
Papa Françesku do të marrë pjesë në G7, udhëhequr nga Italia, që do të zhvillohet nga 13 deri më 15 qershor, në Borgo Egnazia të Pulias. Lajmi u konfirmua nga Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë, pas njoftimit të kryetares së Këshillit të Ministrave të Italisë, Giorgia Meloni e cila, në një video, saktësoi se Papa do të flasë në seancën kushtuar inteligjencës artificiale të hapur për vendet joanëtare. "Falënderoj Atin e Shenjtë që pranoi ftesën e Italisë. Do të japë një kontribut vendimtar në rregullimin etik dhe kulturor të AI (Artificial Intelligence). Është hera e parë - saktësoi kryeministrja - që një Papë merr pjesë në një ngjarje të tillë, në të cilën janë të pranishëm edhe Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania dhe Japonia.
“Falënderoj nga zemra Atin e Shenjtë që pranoi ftesën e Italisë. Prania e tij i jep prestigj kombit tonë dhe të gjithë G7-ës”, shpjegoi Meloni, duke nënvizuar se qeveria italiane synon ta vlerësojë kontributin e dhënë nga Selia e Shenjtë në temën e inteligjencës artificiale, posaçërisht me thirrjen “Rome call for Ai ethics 2020”, nxitur nga Shoqëria Papnore për Jetën, në një rrugë “që të çon në dhënien e zbatimit konkret të konceptit të algoretikës, ose, duke i dhënë etikë algoritmeve”.
“Jam e bindur - shtoi ajo - se prania e Papës do të japë kontribut vendimtar për përcaktimin e një kuadri rregullator, etik dhe kulturor të inteligjencës artificiale, sepse në këtë terren, në të tashmen dhe të ardhmen e kësaj teknologjie, do të matet përsëri aftësia jonë, aftësia e bashkësisë ndërkombëtare për të bërë atë që një tjetër Papë, Shën Gjon Pali II, e pati kujtuar në fjalimin e tij të famshëm në Kombet e Bashkuara, më 2 tetor 1979. "Veprimtaria politike, kombëtare dhe ndërkombëtare vjen nga njeriu, ushtrohet përmes njeriut dhe është për njeriun” - shpjegoi më tej Meloni.
Inteligjenca artificiale - shtoi - do të jetë sfida më e madhe antropologjike e kësaj epoke, "teknologji, që mund të krijojë mundësi të mëdha, por që sjell me vete edhe rreziqe të mëdha, me ndikim të pashmangshëm mbi ekuilibrat globale".
“Angazhimi ynë” - nënvizoi - “është të zhvillojmë mekanizma qeverisjeje për të siguruar që inteligjenca artificiale të përqendrohet tek njeriu e edhe të kontrollohet nga njeriu, domethënë ta ketë njeriun në qendër, e njeriun, edhe si qëllimin e saj përfundimtar”.