Çdo thirrje është diamant i papërpunuar, duhet formim: kështu Papa në ndjetin e lutjes për majin
R.SH. – Vatikan
Në Videon e Papës, me të cilin Ati i Shenjtë paraqet ndjetin për muajin maj, Françesku kërkon lutje për formimin e duhur të rregulltarëve, murgeshave e seminaristëve. I publikuar nga Rrjeti Botëror i Lutjeve të Papës dhe i prodhuar në bashkëpunim me kryedioqezën e Los Anxhelosit, me mbështetjen e aplikacionit amerikan të lutjes Hallow, Bergoglio vë në dukje se "çdo thirrje është një 'diamant i papërpunuar' për t'u lustruar, për t'u punuar, për t’u plazmuar nga çdo anë”.
Formim i gjithanshëm dhe i vazhdueshëm gjatë gjithë jetës
Në Kushtetutën Apostolike “Veritatis Gaudium” mbi universitetet dhe fakultetet kishtare, Papa nënvizon se formimi i gjithanshëm i njerëzve, që kanë thirrje për jetën kushtuar Zotit, duhet të përfshijë çdo lloj përmase: njerëzore, shpirtërore, baritore dhe komunitare. Gjithashtu, duhet të marrë parasysh ndryshimet kulturore dhe shoqërore. Kjo, shprehet Ati i Shenjtë në video, i bën kandidatët për jetën e kushtuar “dëshmitarë të besueshëm të Ungjillit": pra, formimi nuk është vetëm përvetësim njohurish, por edhe përvoja e një takimi të thellë me Jezusin.
Formimi për jetën në bashkësi
Jeta në bashkësi është aspekt qendror i ekzistencës së murgeshave e të rregulltarëve. Për Papën, kjo është një nga pikat kryesore në formimin dhe në përgatitjen e atyre, që e kanë këtë thirrje. Ati i Shenjtë pranon se, nga njëra anë, kjo përvojë pasuron, por, nga ana tjetër, mund të jetë edhe “e vështirë”, “sepse – shton ai – të jetosh bashkë e të jetosh në bashkësi nuk është e njëjta gjë”. Për Françeskun, të jetosh dhe të lidhësh marrëdhënie me të tjerët nuk është gjithmonë e lehtë, por jeta në bashkësi është gjithnjë shkollë shenjtërie, në të cilën secili mëson virtytet njerëzore.
Vite shumë të rëndësishme
Pikërisht jeta në bashkësi ka një rol qendror në pamjet e Videos së Papës për muajin maj. Shihen njëra pas tjetrës lojërat e basketbollit e vaktet e përbashkëta, lutja e studimi në bashkësi, natyrisht, edhe Eukaristia e shërbimi për më të varfërit, veprimtari ku merr pjesë çdo i ri seminarist, murgeshë a rregulltar, që përforcojnë kështu thirrjen e tyre, duke shkëmbyer përvojat, në krahasimin e vazhdueshëm me të tjerët. Vitet e formimit janë shumë të rëndësishme dhe skenat e jetës të filmuara në kryedioqezën e Los Anxhelosit tregojnë për bukurinë e tyre, duke nënvizuar aspekte të ndryshme të mesazhit të Papës: mbi të gjitha, konceptin se formimi është udhë e vazhdueshme dhe se - siç përsërit Ati i Shenjtë - "një prift i mirë, një murgeshë, para së gjithash, duhet të jetë burrë, grua e formuar, e plazmuar nga hiri i Zotit".
Për këtë arsye, gjatë majit, Papa Françesku u kërkon besimtarëve lutje "që rregulltaret, rregulltarët dhe seminaristët të zhvillohen shpirtërisht në rrugëtimin e thirrjes, përmes formimit njerëzor, baritor, shpirtëror dhe komunitar, duke u bërë dëshmitarë të besueshëm të Ungjillit".
Teksti i plotë i Videos së Papës
Çdo thirrje është një “diamant i papërpunuar” për t'u lustruar, për t'u punuar, për t'i dhënë formë nga çdo anë.
Një prift i mirë, një murgeshë, para së gjithash, duhet të jetë burrë, grua e formuar, e plazmuar nga hiri i Zotit.
Njerëz të vetëdijshëm për kufizimet e tyre dhe të gatshëm për një jetë në lutje, me përkushtim për të dëshmuar Ungjillin.
Përgatitja e tyre duhet të jetë e gjithanshme, duhet të fillojë që nga seminari e noviciati, në kontakt të drejtpërdrejtë me jetën e njerëzve të tjerë. Kjo është themelore.
Formimi nuk përfundon në ndonjë moment të caktuar, por vazhdon gjatë gjithë jetës, me kalimin e viteve, duke e pasuruar njeriun nga pikëpamja intelektuale, humane, nga ajo e ndjenjave dhe ajo shpirtërore.
Po kështu, edhe përgatitja për jetën në bashkësi: jeta e bashkësisë pasuron shumë, megjithëse nganjëherë mund të jetë e vështirë.
Sepse të jetosh së bashku dhe të jetosh në bashkësi nuk është e njëjta gjë.
Të lutemi që murgeshat, rregulltarët e seminaristët të zhvillohen shpirtërisht në rrugëtimin e thirrjes, përmes formimit njerëzor, baritor, shpirtëror dhe komunitar, duke u bërë dëshmitarë të besueshëm të Ungjillit.