Anëtarë të Komitetit Papnor për Shkenca Historike Anëtarë të Komitetit Papnor për Shkenca Historike   (VATICAN MEDIA Divisione Foto)

Françesku: ideologjitë vrasin, e nevojshme sot diplomacia kulturore

Françesku priti anëtarët e Komitetit Papnor për Shkencat Historike shtatëdhjetë vjet pas themelimit me dëshirën e Piut XII, më 1954. Ata kanë mandatin "t’i shtrijnë marrëdhëniet shkencore dhe njerëzore", duke shmangur tundimet ideologjike dhe çdo formë "mendjeje të ngushtë dhe institucionale". Ftesa për të vazhduar shërbimin në dobi të "qytetërimit dhe të takimit", për t'iu kundërvënë edhe "harbutërisë të ndeshjes".

R. SH. - Vatikan

Në mes të një “konflikti të rrezikshëm global në zhvillim, të cilin ne nuk mund ta shikojmë duarkryq”, ajo që nevojitet, ose më mirë ajo që bëhet urgjente dhe e nevojshme, është “diplomacia e kulturës”, e ushqyer nga takimet dhe bashkëpunimi i studiuesve të çdo kulture me fenë dhe nga dialogu ndërmjet Kishës dhe botës, gjithmonë me respekt për të vërtetën, larg ideologjive “që vrasin”. Kështu e përshkroi Françesku në bisedën me anëtarët e Komitetit Papnor për Shkencat Historike, sot në Vatikan, shtatëdhjetë vjet pas krijimit të tij, mënyrën e mundshme për të parë  rreze drite në këtë epokë të errët të historisë:

“Ju ftoj të vazhdoni punën tuaj të kërkimit historik, duke hapur horizonte dialogu, ku mund të sillni dritën e shpresës së Ungjillit, atë shpresë që nuk zhgënjen”.

Dialog me drejtime e tradita studimore të ndryshme historiografike

Papa i falenderoi një nga një anëtarët e organizatës - themeluar në vitin 1954 nga Piu XII për zhvillimin dhe përdorimin korrekt të shkencave historike dhe vëmendje më të madhe ndaj trashëgimisë arkivore kishtare - që vijnë nga vende dhe tre kontinente të ndryshme, secili me kompetencat e veta “ të vlerësuara” në specialitete të ndryshme". Për Françeskun, konferenca dhe puna editoriale e Komitetit Papnor është pjesë e "një dinamike të frytshme dhe proaktive multikulturore", e karakterizuar nga "angazhimi për kërkimin e së vërtetës historike në shkallë globale, me frymë dialogu e ndjeshmëri të ndryshme historiografike dhe me tradita të shumta studimesh”:

“Është mirë të bashkëpunoni me të tjerët, duke zgjeruar marrëdhëniet tuaja shkencore dhe njerëzore dhe duke shmangur format e mbylljes mendore dhe institucionale”.

E vërteta dhe jo ideologjitë

Papa i inkurajoi të pranishmit ta ruajnë gjithmonë këtë veprimtari  pasuruese, “me dëgjim të vazhdueshëm dhe të vëmendshëm, të lirë nga çdo ideologji - ideologjitë vrasin - dhe respektues ndaj së vërtetës”. E kjo, sepse duke u takuar dhe duke bashkëpunuar me studiues të çdo kulture dhe feje -  ju mund të ofroni një kontribut specifik në dialogun ndërmjet Kishës dhe botës bashkëkohore”.

Fjalët e Palit VI drejtuar historianëve

Duhet kujtuar se ekziston "një marrëdhënie jetike" ndërmjet Kishës dhe historisë - kujtoi Papa - e karakterizuar nga "kërkimi i përbashkët për të vërtetën" dhe "shërbimi i përbashkët ndaj së vërtetës". "Kërkim dhe shërbim", pati thënë Pali VI që në vitin 1967, kur, duke folur me historianët, kujtoi një pikë takimi "ndërmjet të vërtetës fetare, kujdestare e së cilës është Kisha" dhe "të vërtetës historike, shërbëtorë të devoçëm të së cilës jeni ju”:

“Kisha ecën nëpër histori, përkrah grave dhe burrave të të gjitha kohërave...”.

Qytetërimi i takimit dhe "pacipëria e ndeshjes"

Kisha - kujtoi Françesku - "nuk i përket ndonjë kulture të veçantë, por dëshiron të gjallërojë zemrën e çdo kulture me dëshminë e butë dhe të guximshme të Ungjillit, për të ndërtuar së bashku qytetërimin e takimit". Ky i fundit ndeshet me "pacipërinë e përplasjes", ushqyer nga "tundimet e vetëvlerësimit" dhe "afirmimit ideologjik të këndvështrimit vetjak". Ne duhet t'u rezistojmë tundimeve të tilla - këshilloi Papa - dhe "është bukur" – vërejti - që Komiteti Papnor për Shkenca Historike ta bëjë këtë, shtatëdhjetë vjet pas lindjes së tij, "duke e jetuar me pasion, përmes studimeve, përvojën rilindëse të shërbimit ndaj unitetit”.

Jo vetëvlerësimit kishtar

Françesku kujtoi rishtas fjalët e Shën Palit VI shqiptuar "në atë ngjarje të bekuar", që ishte Koncili II i Vatikanit, domethënë paralajmërimi për "çdo lajkë të vetëvlerësimit e të vetëkënaqjes kishtare". Prej tyre - shtoi Françesku - "duhet mbrojtur shërbimi juaj": "Kisha është ndërmjet Krishtit dhe bashkësisë njerëzore, jo e mbyllur në vetvete, jo si një vello e errët që bllokon shikimin, jo si qëllim në vetvete, por përkundrazi, vazhdimisht na nxit të jemi tërësisht të Krishtit, në Krishtin, për Krishtin, të jemi tërësisht ndër njerëzit, midis njerëzve, për njerëzit, ndërmjetëse vërtet e përulur por edhe të ndritur ndërmjet Shëlbuesit Hyjnor dhe njerëzimit".

Shërbëtorë të njerëzimit

Urimi i Jorge Mario Bergoglio për përvjetorin e shtatëdhjetë të Komitetit është të përputhet me veprimet e tij:

 “Studimet historike ju bëfshin mjeshtra të njerëzimit dhe shërbëtorë të njerëzimit!”.

 

20 prill 2024, 11:45