Kërko

Global Christian Forum (Accra, 15-20 aprile 2024) Global Christian Forum (Accra, 15-20 aprile 2024)

Papa inkurajon thellimin në fe dhe bashkimin për arritjen e unitetit të të krishterëve

Në një mesazh për pjesëmarrësit në Takimin IV Botëror të Forumit Global të Krishterë, që po mbahet në Akra të Ganës, Papa Françesku inkurajon të gjithë të thellohen në fe dhe të rigjallërojnë dashurinë vëllazërore, duke pasqyruar kështu, unitetin në të cilin thirren të krishterët, ndërsa diskutojnë mbi sfidat me të cilat përballet bashkësia globale e krishterë

R.SH. – Vatikan

Papa Françesku u dërgoi një mesazh pjesëmarrësve në Takimin IV Botëror të Forumit Global të Krishterë, që po mbahet në Akra të Ganës, nga 15 deri më 20 prill. Në këtë mbledhje bashkohen të krishterët e traditave të ndryshme nga e gjithë bota për një periudhë të veçantë lutjeje, adhurimi, dialogu dhe misioni.

Tema, "Që bota ta dijë", vë në qendër të takimit mënyrën e dëshmimit të Krishtit në botën e sotme, me qëllimin që së bashku, gjithë të krishterët, të japin kontributin e tyre, në lavd të Hyjit.

Fjala e Papës

Duke përshëndetur përzemërsisht pjesëmarrësit, Papa vlerëson larminë globale të pranishme në Gana, që pasqyron "një mozaik të bukur të krishterimit bashkëkohor", i cili ka një identitet të përbashkët, pasi të gjithë besimtarët janë ndjekës të Jezu Krishtit. Për anën katolike, në mbledhjen ku marrin pjesë protestantë, ortodoksë e të krishterë të traditave të tjera, foli kryeipeshkvi Flavio Pace, sekretar i Dikasterit për Nxitjen e Bashkimit ndërmjet të Krishterëve, pas leximit të mesazhit papnor.

Duke pasur parasysh temën, marrë nga kreu 17 i Ungjillit sipas Gjonit (17,23b), Papa pohon se të krishterët duhet "të mishërojnë unitetin dhe dashurinë e Zotit Trini në jetën e tyre personale dhe kishtare, në mënyrë që ta dëshmojnë para botës së plagosur nga përçarja dhe rivaliteti".

Për të ndërtuar së bashku Mbretërinë e Zotit, vëren më tej Ati i Shenjtë, gjithë të krishterët kanë nevojë për "një lidhje të brendshme ndërmjet ekumenizmit dhe misionit të krishterë". Papa vë në dukje kontributin e madh dhënë nga Forumi Global i Krishterë në këtë drejtim, gjatë gjithë historisë së tij 25-vjeçare, duke ofruar hapësira ku anëtarët e traditave të ndryshme të krishtera mësojnë “respektin dhe vëllazërimin e ndërsjellë në takimin me njëri-tjetrin, në Krishtin". Në fund të mesazhit, Françesku lutet që Forumi i Ganës t’i përforcojë të gjithë në fe, të gjallërojë dashurinë vëllazërore ndërsa luten së bashku, diskutojnë dhe shkëmbejnë përvoja mbi sfidat me të cilat përballet bashkësia e krishterë globale. “Për të gjithë ju, - këto, fjalët përfundimtare të Papës - kërkoj bekimet e Zotit të Gjithëpushtetshëm dhe lutem që takimi të çojë përpara unitetin e dukshëm ndërmjet gjithë të krishterëve”.

Fjala e kryeipeshkvit Pace

Pasi lexoi mesazhin e Papës, kryeipeshkvi Flavio Pace mbajti fjalën e tij, duke vënë në dukje kontributin e Forumit Global të Krishterë si "mjet i vlefshëm ekumenik", që ndihmon në gjetjen e zgjidhjeve për divergjencat doktrinore, në shkëmbimin e përvojave të fesë, në thellimin e mirëkuptimit të ndërsjellë dhe në forcimin e vëllazërimit. Ai vuri theksin në dëshminë e përbashkët të krishterë dhe shpjegoi impenjimin e Kishës Katolike në këtë drejtim, sidomos gjatë procesit të fundit sinodal, në të cilin janë përfshirë edhe një numër i madh përfaqësuesish nga Kishat simotra të traditave të tjera të krishtera. Sinodi, përfundoi ai, "dha një sinjal të qartë dhe të besueshëm të dëshirës për të udhëtuar së bashku në frymën e bashkimit në fe dhe të shkëmbimit të dhuratave marrë nga Hyji, duke pohuar se çka i bashkon të krishterët është më e madhe dhe më e thellë se çka i ndan ata". Kjo është edhe fryma e takimit në Gana.

19 prill 2024, 09:02