Kërko

Bazilika e Shën Pjetrit Bazilika e Shën Pjetrit 

Papa: lëshojuni në dorë të Zotit, për të fekonduar me shpresë edhe tokat shterpe

Duke pritur bashkësinë e Seminarit të Burgos, në Spanjë, Françesku foli për rëndësinë e ndërtimit të bashkësive të përbëra nga Kisha e populli. Qëllim, i cili mund të arrihet nëse "është grup heterogjen, që e njeh mikpritjen dhe pasurimin reciprok.

R. SH. - Vatikan

Për ta mbushur tokën me Zotin e për të ndërtuar një bashkësi, të përbërë nga Kisha e nga populli, janë të nevojshme bamirësia, gatishmëria, braktisja dhe besimi. Këtë ua kujtoi Françesku ipeshkvijve, priftërinjve dhe seminaristëve të Seminarit të Burgosit, në Spanjë, pritur sot në audiencë. Papa u kujtoi fjalët e Shën Lukës për t'i ftuar "ta bëjnë Zotin të pranishëm" ndërmjet besimtarëve:

“Para së gjithash, ky qëllim arrihet nëse jemi një grup heterogjen, që dimë ta mirëpresim dhe ta pasurojmë njëri-tjetrin. Pa bamirësi ndaj Zotit dhe vëllezërve tanë, pa ecur "dy nga dy", - siç na e kujton ungjilltari - nuk mund ta sjellim Zotin mes nesh”.

Shpresa i plehëron arat djerre

Të pranishmëve, të cilët i quajti "mozaik racash, kulturash dhe epokash, që u mblodhën për t'iu përgjigjur së bashku thirrjes së Jezusit për shërbimin meshtarak", Papa u foli për rëndësinë që ka formimi në "España vaciada", "Spanjën e zbrazur”, troje të pafundme, që vuajnë nga shpopullimi, ndonëse të njohura “për historinë dhe traditën e tyre të pasur”, për “popullin energjik, “për klimën dhe zakonet e tij”.

Françesku citoi, më pas, "Cantar de mi Cid", të cilën - shpjegoi - e kujtoj sa herë flitet për Burgos, cituar në poemën epike, e cila i kujtoi Papës një ngjarje lidhur pikërisht me qytetin spanjoll:

“Kam qenë atje e, në vitet 1970, takova kryeipeshkvin e asokohshëm që ishte i afërm i një xhaxhait tim politikan. Prandaj e kujtoj Burgos-in”.

Për Zotin - shpjegoi në vijim Papa - ka "shumë rëndësi” të dëshmojmë se jemi të  gatshëm edhe përballë një pune që mund të duket "tejet e madhe", për më tepër është e nevojshme ta braktisim veten dhe të besojmë, në mënyrë që "zbrazëtia të na krijohet në zemra për të mirëpritur Zotin dhe vëllanë tonë, duke na çliruar nga siguritë e rreme njerëzore”:

“Zoti brenda nesh na mbush me paqe, një paqe që mund ta komunikojmë, që mund t'ua përcjellim gjithë popujve dhe qyteteve, ta dëshirojmë për çdo vend. E në këtë mënyrë do t’i mbushni përplot me dritën tuaj fushat që tani duken shterpe, duke i fekonduar me shpresë”.

27 prill 2024, 12:02