ISRAEL IRAN CONFLICT ISRAEL IRAN CONFLICT  (AFP or licensors)

Papa: mjaft më luftë! Jo veprimeve që nxisin spiralen e dhunës në Lindjen e Mesme

Në pëfundim të lutjes së Mbretëreshës Qiellore, Françesku shprehu dhimbjen dhe shqetësimin për sulmet e Iranit kundër Izraelit dhe kërkoi të frenohet çdo veprim "që mund të ushqejë spirale dhune". Më pas Papa rikujtoi zgjidhjen me dy shtete: "Askush nuk duhet ta kërcënojë ekzistencën e të tjerëve, të gjitha kombet duhet të radhiten përkrah paqes dhe t’i ndihmojnë izraelitët e palestinezët të jetojnë në dy shtete, në siguri. Është dëshira e tyre legjitime dhe e drejta e tyre"

R. SH. - Vatikan

“Mjaft me luftë, mjaft me sulme, mjaft me dhunë, po dialogut e po paqes”.

Zëri i Papës është solemn, si në të gjitha çastet vendimtare për botën. Në mes të tensionit ndërkombëtar për shkallëzimin e konfliktit në fuçinë e barutit të Lindjes së Mesme, pas sulmit të mbrëmshëm të Teheranit kundër Izraelit me qindra dronësh dhe raketash lëshuara në tri valë, Papa, nga dritarja e Pallatit Apostolik, në përfundim të lutjes së Mbretëreshës Qiellore rinisi një thirrje "të dalë nga zemra" - siç e përcaktoi ai vetë - për paqe dhe negociata.

Jo, një ndeshjeje më të madhe luftarake!

Pas lutjes mariane, Papa ndan me mijëra besimtarët që mbushin përplot Sheshin e Shën Pjetrit, “shqetësimin” dhe “dhimbjen” personale për lajmin që mbërriti orët e fundit mbi “rëndimin” e situatës në Izrael, “për shkak të ndërhyrjes së Iranit”. Më pas u drejtohet atyre që kanë përgjegjësi në këtë situatë:

“Të ndalohet çdo veprim, që mund të nxisë spirale dhune, me rrezikun e zvarritjes së Lindjes së Mesme në një konflikt edhe më të madh lufte”.

Dy shtete, krah për krah, të sigurt

Prej këndej, Françesku përsërti thirrjen për zgjidhjen "me dy shtete" për Izraelin dhe Palestinën, e mbështetur gjithmonë nga Selia e Shenjtë. “Askush nuk duhet të kërcënojë ekzistencën e të tjerëve, të gjitha kombet duket të radhiten nga ana e paqes dhe t’i ndihmojnë izraelitët e palestinezët të jetojnë në dy shtete, krah për krah, të sigurtë”, pohoi Papa.

“Është dëshira e tyre e thellë dhe legjitime dhe e drejta e tyre. Dy shtete fqinje”.

Armëpushim në Gaza, lironi pengjet izraelite

Shikimi i Ipeshkvit të Romës  u përqendrua, në vijim, tek Rripi i Gazës, ku Ministria e Shëndetësisë, e udhëhequr nga Hamasi, njoftoi së fundmi një numër të ri vdekjesh, mbi 33,700 nga 7 tetori deri më sot:

“Të arrihet sa më shpejt armëpushimi në Gaza dhe të ndiqen rrugët e bisedimeve. Bisedime vendosmërisht, që të ndihmohet ajo popullsi e zhytur në një katastrofë humanitare”.

Lutuni për paqe

Papa Françesku, si gjithnjë që nga shpërthimi i konfliktit, përsërti thirrjen për lirimin "e menjëhershëm" të pengjeve izraelite, rrëmbyer gjashtë muaj më parë e edhe sot në duart e Hamasit. Ndërmjet tyre, gra dhe fëmijë. Papa priti një grup familjarësh, të hënën e kaluar, në Pallatin Apostolik. Së fundi, u bën thirrje të gjithë besimtarëve, duke u kërkuar që të mos harrojnë kurrë t'i luten Zotit për paqe:

“Sa shumë vuajtje, le të lutemi për paqe!”.

14 prill 2024, 13:15