Kërko

 Papa me krerët kombëtarë të Shoqatës së Prijësve Katolikë dhe Skautëve Italianë, në takimin e shkurtit të kaluar (Vatican Media) Papa me krerët kombëtarë të Shoqatës së Prijësve Katolikë dhe Skautëve Italianë, në takimin e shkurtit të kaluar (Vatican Media)  (Vatican Media)

Papa: në një botë me armë dhe me pak lindje, të punojmë për dinjitetin e jetës

Françesku pret në audiencë Lëvizjen Katolike të Skautëve të Rritur Italianë, në 70-vjetorin e themelimit të saj dhe ndalohet tek dimri demografik, tek angazhimi për të ndërtuar një shoqëri të drejtë dhe paqësore dhe tek ruajtja e mjedisit: jemi "të burgosur të stileve të jetesës dhe të sjelljeve po aq egoiste", të shurdhër ndaj çdo thirrjeje të arsyes së shëndoshë, kemi nevojë për një "stil të matur, të respektueshëm dhe të kursyer" si ai i skautëve.

R. SH. - Vatikan

 Vazhdoni të jeni "bashkësi e hapur, e vëmendshme, e gatshme për të mirëpritur, për të dëgjuar dhe për të shoqëruar" të tjerët, "profetike në shpalljen me guxim të Ungjillit dhe të etur për të lënë rrethin e tuaj e për të takuar të tjerët, veçanërisht ata që jetojnë në periferitë ekzistenciale të kohës sonë": për Papën Françesku kjo duhet ta dallojë rrugën e Lëvizjes Katolike të Skautëve të Rritur Italianë (MASCI), e cila, e themeluar më 20 qershor 1954, sivjet mbush të shtatëdhjetat. Një përvjetor me rastin e të cilit u desh audienca pranë Papës, e kremtuar me sloganin "Më shumë jetë për jetën" dhe me tre projekte që "prekin vlera të rëndësishme": dhurimi i një djepi termik Qendrës së Ndihmës së Parë dhe Pritjes në Lampeduzë; ndërtimi i një punishteje të zdrukthtarisë detare, në Zambi; mbjellja e një pylli në Argenta të Romagna-s. Françesku ndalohet në secilën prej tyre, për të reflektuar mbi vlerën e jetës, të mirën e përbashkët dhe mbrojtjen e planetit.

Dashuria e jetës

Në këtë "kohë të rënies dramatike të lindjeve", njerëzit duket se e "kanë humbur shijen për vazhdimësinë e jetës dhe për të kujdesur të tjerët. Madje, ndoshta, edhe shijen për të jetuar", ndërsa djepi i dhuruar Lampedusës të kujton "gëzimin, për jetën që lind". Françesku vëren: "është gëzimi i lindjes së një fëmije, kujdesi që të rritet mirë, ëndrrat e shpresat për të ardhmen e tij". Dhe përsëri "djepi na flet për familjen, fole mikpritëse dhe e sigurt për të vegjlit, bashkësi e themeluar mbi dashurinë pa asnjë interes", si dhe "për vëmendjen ndaj jetës në çdo fazë, veçanërisht kur kalojnë vitet ose kur vështirësitë e udhëtimit e bëjnë njeriun më të ligshtë dhe më nevojtar”. Prandaj, për Papën, dhurata për Qendrën e Ndihmës së Parë dhe të Pritjes në ishullin sicilian është domethënëse.

E dashuria për jetën, gjithmonë e mirëpritur dhe universale, dëshiron të mirën e të gjithëve, pavarësisht nga origjina a çdo kusht tjetër.

Shndërrimi i dhuratave të Zotit në mjete të së mirës

Përsa i përket zdrukthtarisë, "simbol i dashur" për të krishterët, sepse Jezusi "e zgjodhi si vend ku do të përgatitej për misionin e tij" duke punuar atje me përvujtëri, ajo na kujton -  theksoi Françesku - se sa shumë të mira mund të bëjë njerëzimi, ndërsa sot " ne flasim shumë - ndoshta edhe tepër - për të prodhuar armë e për të bërë luftë" dhe "investimet që sjellin më shumë të ardhura" janë fabrikat e armëve.

“Të investosh, për të shkatërruar; të fitosh me shkatërrim - thirrja jonë na kujton thirrjen themelore të njeriut për t'i shndërruar dhuratat e Zotit jo në mjete vdekjeje, por në mjete të së mirës, ​​në angazhimin e përbashkët për të ndërtuar një shoqëri të drejtë dhe paqësore, ku të gjithëve u krijohet mundësia për jetë dinjitoze. Dinjiteti i jetës! Të punosh për dinjitetin e jetës”.

Respekti për natyrën është vlerë, që duhet rizbuluar

Më në fund, pylli, projekti i tretë i Lëvizjes Katolike të Skautëve të Rritur Italianë, i projektuar në kujtim të Don Giovanni Minzonit, "famullitar i guximshëm, i cili, në rrethana armiqësie të dhunshme dhe mbizotëruese, luftoi, edhe nëpërmjet skautizmit, që të formonte" të rinj “për një jetë vërtetë të krishterë” kushtuar shoqërisë, pikënisje e Papës për të nxitur “përgjegjësinë ndaj shtëpisë së përbashkët, që Krijuesi ua besoi duarve tona” dhe për të na i orientuar mendimet drejt ekologjisë integrale: “Respekti, dashuria dhe kontakti i drejtpërdrejtë me natyrën janë karakteristika të veçanta të skautizmit, që nga origjina e tij. E edhe vlera, që na duhen kaq shumë sot, teksa ndjehemi gjithnjë e më të pafuqishëm përballë pasojave të shfrytëzimit të papërgjegjshëm dhe dritëshkurtër të planetit, ne të burgosur të stileve të jetesës dhe sjelljeve që jemi po aq egoistë të shurdhër ndaj çdo thirrjeje të arsyes së shëndoshë, pasi ato janë tragjikisht vetëshkatërruese; sjellje të pandjeshme ndaj britmës së një toke të plagosur, si dhe ndaj zërit të shumë vëllezërve dhe motrave të përjashtuara padrejtësisht nga shpërndarja e drejtë e të mirave materiale”.

Gjithë kësaj, Françesku i kundërvë "stilin e matur, të respektueshëm dhe të kursyer të skautëve" si “shembull të shkëlqyeshëm për të gjithë", duke inkurajuar lëvizjen e lindur nga Robert Baden-Powell, për të këmbëngulur "semel scout semper scout"!

13 prill 2024, 13:17