Kërko

Papa përshëndet pjesëmarrësit në kapitujt e përgjithshëm të Canossian Sons of Charity dhe Vëllezërve të Shën Gabrielit Papa përshëndet pjesëmarrësit në kapitujt e përgjithshëm të Canossian Sons of Charity dhe Vëllezërve të Shën Gabrielit   (Vatican Media)

Papa: në një botë të përçarë nga egoizmi, ta ndajmë dhuratën e larmisë

Françesku priti sot Bijtë e Bamirësisë dhe Vëllezërit e Shën Gabrielit dhe i këshilloi të parët të shikojnë kryqin dhe varrët e të varfërve, siç bëri themeluesja Magdalena e Canossa-s; të dytët, të mbrojnë ndërkombëtaritetin e larmishëm, që e dallon urdhërin: uniformiteti vret, harmonia, fryt i Shpirtit Shenjt, të rrit.

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku takohet me Bijtë e Bamirësisë “Kanosianët” dhe me Vëllezërit e Shën Gabrielit dhe u drejton fjalën, me rastin e kapitujve të tyre të përgjithshëm dhe përvjetorëve të lindjes së themeluesve: 250 vjetorin e Shën Magdalenës së Kanosës dhe 350 vjetorin e Shën Luigjit. Maria Grignion de Montfort. Ua rilexon përvojën e tyre, parë në dritën e bashkëkohësisë, karakterizuar shpesh "nga egoizmi dhe partikularizmi": Larmia - kujton Papa - është dhuratë e çmuar, për t'u ndarë.

Kapitujt e përgjithshëm, ngjarje sinodale hiri

Të dy urdhrave fetarë Papa u kujtoi rëndësinë e kapitujve të cilët, duke cituar të Lumin Pironio, janë ngjarje "familjare", por edhe ngjarje të Kishës e ngjarje "shëlbuese", "ngjarje sinodale" të vërteta, me veçori të sakta:

“Çast hiri! Kapitulli është çast hiri, që duhet jetuar para së gjithash me bindje ndaj veprimit të Shpirtit Shenjt, duke kujtuar me mirënjohje të kaluarën e duke i kushtuar vëmendje së tashmes - në dëgjimin e anasjelltë dhe në leximin e shenjave të kohës (shih Gaudium et spes, 4) – e edhe duke shikuar me zemër të hapur dhe të sigurt drejt së ardhmes, për verifikimin dhe përtëritjen personale dhe komunitare, domethënë të shkuarën, të tashmen, të ardhmen”.

Rregulltarët nuk janë "zjarrfikës"

Françesku, siç e ka zakon, bëri një shaka, për të nënvizuar mesazhin e tij:

"Ai që nuk digjet, nuk ndez zjarr". Më vjen keq kur shoh rregulltarë, që ngjajnë më shumë si zjarrfikës, se sa si burra e gra me zjarr, që të ndez flakë. Ju lutem, jo ​​zjarrfikës; na mjaftojnë këta që kemi!”.

Shikoni kryqin e hapini krahët drejt të fundmëve

Duke kujtuar se kanosianët janë të pranishëm në shtatë vende, me anëtarë të dhjetë kombësive të ndryshme dhe se ndihmohen nga motrat Canossiane në një realitet laik gjithnjë e më aktiv dhe përfshirës (ky aspekt i përfshirjes së laikëve në një institut, është shumë i rëndësishëm për Papën, që e nënvizon duke folur lirisht), Françesku i nxit të shikojnë guximin e themeluesit që punoi "në një botë jo më pak të vështirë se e jona", për të "bërë të njohur dhe të dashur Jezusin, i cili nuk duhet, sepse nuk njihet”: “Shën Madalena ju tregoi se si t'i kapërceni vështirësitë: me sytë drejtuar nga Kryqi dhe krahët e hapur drejt të vegjëlve, të varfërve dhe të sëmurëve, të kujdesesh, të edukosh dhe t'u shërbesh vëllezërve me gëzim dhe thjeshtësi. Kur shtegu të bëhet i vështirë, atëherë, bëni si ajo: shikoni Jezusin e Kryqëzuar dhe sytë dhe plagët e të varfërve dhe do të shihni se përgjigjet do të hyjnë ngadalë në zemrat tuaja me qartësi gjithnjë e më të madhe”.

Përdorni guximin

Në kapitull, besimtarët e Shën Gabrielit reflektojnë mbi temën "Të dëgjosh dhe të veprosh me guxim". E edhe Papa ndalohet tek këto fjalë, duke theksuar në veçanti guximin për të cilin flitet: “Parrezinë apostolike”. Është guximi "që ne e lexojmë, për shembull, në Veprat e Apostujve. Ai guxim. Dhe është Shpirti Shenjt atje, për të na e dhënë atë guxim që duhet ta kërkojmë".

“Janë dy qëndrime - dëgjimi dhe guximi - që kërkojnë përvujtëri dhe besim, dhe që e pasqyrojnë mirë shpirtin dhe veprimin e Saint Louis Marie dhe Atë Deshayes, të cilët ju lanë një triptik të çmuar si busull për vendimet tuaja: ‘Vetëm Zoti’. ‘Kryqi’ - i skalitur në zemër - dhe ‘Maria’. ‘Vetëm Zoti’, ‘Kryqi’ - i skalitur në zemër - dhe ‘Maria’.

Ndërkombëtariteti i bën mirë apostullimit

Vëllezërit e Shën Gabrielit janë më shumë se një mijë rregulltarë, të angazhuar në ndihmë baritore, promovim njerëzor dhe social dhe edukim - veçanërisht për të verbrit dhe të shurdhërit - në 34 vende. Papa përsërit sërish se është Shpirti Shenjt që e krijon harmoninë, sepse është “mjeshtër” i saj. Përsërt dhe këmbëngul, përsëri duke folur lirisht: "Uniformiteti në një institut fetar, në një dioqezë, në një grup laik, vret! Larmia në harmoni çon në rritje. Mos e harroni këtë. Larmi, në harmoni". Kështu lindi ftesa për të qenë profetë të mirëseardhjes dhe të integrimit:

“Edhe ju, pra, Provania ju dha pasurinë e ndërkombëtaritetit të larmishëm: ajo do t’ju ndihmojë për rritjen dhe apostullimin tuaj, nëse dini si ta jetoni,  duke mirëpritur dhe duke ndarë si duhet larminë ndërmjet jush dhe me të gjithë”.

29 prill 2024, 14:04