Papa: paqja e arritur me bisedime është më mirë se lufta pa fund
R.SH. – Vatikan
"Paqja e arritur me bisedime është më mirë se lufta pa fund": kështu pohon Papa Françesku në një intervistë dhënë emitentes radiotelevizive amerikane CBS, dje pasdite, në Shtëpinë e Shën Martës. Ati i Shenjtë përmend Ukrainën, Gazën dhe luftërat, që po trondisin botën. Disa pjesë të intervistës, e cila zgjati rreth një orë dhe u realizua nga Norah O'Donnell, drejtoreshë e "Cbs Evening News", u transmetuan kur në trevat shqiptare kishte kaluar mesnata ndërmjet 24 e 25 prillit. Versioni i gjatë do të transmetohet të dielën, më 19 maj, në prag të Ditës Botërore të Fëmijëve, që do të kremtohet në Romë, më 25 dhe 26 maj.
Papa i fton të gjitha vendet në luftë të ndalin konfliktet: “Përpiquni të uleni në tryezën e bisedimeve. Kërkoni paqen". E pyetur nga gazetarja për termin gjenocid lidhur me ngjarjet e Rripit të Gazës, Papa e përsërit fjalën dhe nënvizon kontaktin e përditshëm, që ka me atë realitet të vuajtjes. "Lutem shumë" për armëpushimin në Gazë, shton ai, duke kujtuar se çdo mbrëmje në orën 19.00 i telefonon famullisë së vetme katolike në vend për të marrë lajme: situata "është shumë e rëndë, shumë e rëndë", nënvizon ai, sepse njerëzit duhet të luftojnë për pak ushqim.
Kur pyetet për pasojat e pushtimit rus të Ukrainës tek fëmijët, Papa Françesku përgjigjet: "Këta fëmijë nuk dinë të buzëqeshin. Unë u them diçka, por ata kanë harruar si të buzëqeshin. E kur një fëmijë harron të buzëqeshë është shumë e rëndë”.
Françesku flet edhe për ndryshimet klimatike, të cilat "ekzistojnë" e nuk janë shpikur nga ndokush, ndërsa për Ditën Botërore të Fëmijëve thekson se të vegjlit "bartin gjithmonë një mesazh": na japin mundësinë "të kemi një zemër më të re". Pyetjes për shëndetin, i përgjigjet duke buzëqeshur: “Jam mirë”.
Së fundi, vëren se ka vend për të gjithë në Kishë: "Do të thosha se ka gjithmonë një vend. Nëse në një famulli, famullitari nuk duket mikpritës, e kuptoj, por shko dhe shiko diku tjetër, ka gjithmonë një vend, gjithmonë. Mos ikni nga Kisha. Ajo është më shumë se tempull... nuk duhet të ikni prej saj”.