Kërko

Papa Françesku me karmelitanet e zbathura Papa Françesku me karmelitanet e zbathura

Papa për karmelitanet e zbathura: merrni vendime bazuar në Ungjill, jo në llogaritje njerëzore

Françesku pret murgeshat kundruese të angazhuara këto ditë në rishikimin e kushtetutave. U nënvizon se të zgjedhësh jetën në kuvend nuk do të thotë të strehohesh “në ndonjë ngushëllim shpirtëror intimistik apo në ndonjë lutje të shkëputur nga realiteti”, përkundrazi, siç thotë shën Tereza e Avilës, "bashkimi mistik dhe i brendshëm, me të cilin Zoti e lidh shpirtin pas vetes" nuk çon në shkëputje nga punët e përditshme, por ushqen apostullimin dhe shërbimin për Kishën

R.SH. – Vatikan

“Gjetja e gjuhëve, mënyrave dhe mjeteve të reja” për t'i dhënë hov të ri jetës rregulltare kundruese: kjo, ftesa e Papës Françesku për karmelitanet e zbathura, të cilat, këto ditë, janë mbledhur për të reflektuar mbi rishikimin e kushtetutave. Murgeshave të pritura në audiencë në Pallatin Apostolik, Ati i Shenjtë u foli kastilianisht, duke u kujtuar se "thirrja për të qenë kundruese nuk është ruajtje e hirit, që mbetet nga zjarri, por ndezja e një zjarri, që digjet në mënyrë gjithnjë të re dhe ngroh Kishën e botën”.

Prandaj, dokumentet themeltare, mbi të cilat bazohet kongregata e tyre, janë “pasuri, që duhet t’i hapë dyert për sugjerimet e Shpirtit Shenjt, për risitë e Ungjillit, për shenjat që na jep Zoti përmes jetës dhe sfidave njerëzore”. Kështu ruhet thirrja e murgeshave, nënvizoi Papa, i cili vuri në dukje se ajo nuk ndryshon, por dëgjon dhe hap rrugë për atë që dëshiron Zoti, çdo çast. Jeta e murgeshave kundruese, të cilat luten për gjithë botën të mbyllura në kuvendet e tyre, nuk është ndonjë fshehje nga sytë e botës për “ndonjë ngushëllim shpirtëror intim apo për ndonjë lutje të shkëputur nga realiteti”, vërejti Françesku.

“I juaji është një rrugëtim, gjatë të cilit ndikoheni nga dashuria e Krishtit deri sa bashkoheni me Të, në mënyrë që kjo dashuri t’ua përshkojë gjithë ekzistencën dhe të shprehet në çdo gjest dhe në çdo veprim të përditshëm. Dinamizmi i kundrimit është gjithmonë dinamizëm dashurie, është gjithmonë një shkallë, që na larton tek Zoti, jo për të na shkëputur nga toka, por për të na bërë ta banojmë atë thellësisht, si dëshmitarë të dashurisë, që kemi marrë”.

Kuptojeni të ardhmen, përmes shenjave, që jep Zoti

Françesku kujtoi mësimet e Shën Terezës së Avilës, që e konsideron "bashkimin mistik dhe shpirtëror, me të cilin Zoti e lidh një shpirt me vetveten, gati duke e "vulosur" me dashurinë e tij", si diçka që "e shndërron gjithë jetën, pa u shkëputur nga detyrat e përditshme". Sipas saj, heshtja dhe lutja janë burim apostullimi, pra impenjimi në botë, duke plotësuar detyrat, që Zoti kërkon nga secili, në shërbim të Kishës. Në këtë dritë, shpjegoi Ati i Shenjtë, duhet parë edhe ndryshimi i statuteve themeltare, që duhet t’u bëjnë ballë sfidave të shtruara nga problemet konkrete të kuvendeve e nga jeta në bashkësi, gjithnjë me shpresën në Ungjillin e në intuitën shpirtërore të themeluesve të Kongregatës.

“Shpresa e Ungjillit është e ndryshme nga iluzionet e bazuara në llogaritjet njerëzore. Do të thotë ta lëshojmë veten në duart e Zotit, të mësojmë t’i interpretojmë shenjat, që Ai na jep për të kuptuar të ardhmen, të dimë si të bëjmë zgjedhje të guximshme dhe të rrezikshme, megjithëse në atë çast, horizonti drejt të cilit do të na çojë Hyji duket i panjohur. Të mos mbështetemi vetëm në strategji njerëzore, në strategji mbrojtëse, kur vjen puna për të reflektuar mbi një kuvend për t’u shpëtuar ose për t’u braktisur, mbi format e jetës në bashkësi, mbi thirrjet”.

Nostalgjia nuk funksionon

Strategjitë mbrojtëse nuk janë tjetër, veçse "kthim nostalgjik në të kaluarën", paralajmëroi Françesku, por "nuk funksionon kështu, nostalgjia nuk funksionon". Është shpresa ungjillore, që "dhuron gëzim për historinë e jetuar deri tani" dhe "aftëson për të parë drejt së ardhmes, duke u nisur nga rrënjët. Kjo do të thotë ta ruash karizmën, entuziazmin për të ecur përpara e kjo funksionon”. Së fundi, Papa u bëri thirrje murgeshave karmelitane të shkojnë drejt së ardhmes "me shpresë ungjillore, me këmbë zbathur, pra, me lirinë e lëshimit në dorën e Zotit", ta shikojnë të ardhmen, duke pasur parasysh “rrënjët e së kaluarës”.

18 prill 2024, 12:02