Papa, për librin e dy jezuitëve: jep materiale formuese për bisedën në Shpirtin Shenjt
R.SH. – Vatikan
Papa Françesku shkruan një parathënie tjetër, kësaj radhe, për librin e dy jezuitëve, titulluar "Biseda shpirtërore, shoshitja dhe sinodaliteti", i cili publikohet tani edhe nga Shtëpia Botuese e Vatikanit LEV, që e nxjerr në librari nesër, 30 prill. Vëllimi, i shkruar nga Át Juan Antonio Guerrero Alves dhe nga Át Óscar Martín López, u botua vitin e kaluar në spanjisht, me titullin origjinal "Conversación espiritual, discernimiento y sinodalidad" (Editorial Sal Terrae, Grupo de Comunicación Loyola).
Që në fillim të parathënies, Papa u drejtohet sivëllezërve të vet me shumë dashamirësi e duket që i njeh mirë. “Shoh që Oscar ia ka dalë ta largojë partnerin e tij nga bota e ekonomisë, në të cilën e kishim bllokuar në këtë shtëpi, për ta kthyer në tema më shpirtërore”, shkruan me shaka Ati i Shenjtë, duke iu referuar faktit se nga viti 2019 deri më 2022, Át Juan Antonio Guerrero ka qenë prefekt i Sekretarisë së Vatikanit për Ekonominë. Tani, ai është drejtor i Qendrës Shpirtërore të Shën Injacit të Lojolës, në Salamanca, e nënshkruan librin e tij të dytë me një tjetër jezuit, Óscar Martín, që aktualisht bashkëpunon me Qendrën Shpirtërore “Santos Mártires de Asunción”, drejton revistën Acción dhe është pjesë e një ekipi të caktuar nga Konferenca Ipeshkvnore Paraguajane për të inkurajuar procesin sinodal në vend.
Libri, siç vë në dukje Papa, lind nga biseda ndërmjet tyre mbi tema shpirtërore, kur u takuan pikërisht në qendrën “Santos Mártires de Asunción”. Françesku thekson faktin se libri trajton metodologjinë e përdorur në rrugën sinodale, pa u ndalur vetëm në metodën dhe në funksionimin e saj: “E ndiejmë se rruga sinodale, që kemi ndërmarrë si Kishë, është përvojë shpirtërore personale, komunitare dhe kishtare, prandaj, i kërkon secilit një punë individuale nga brenda".
Parathënia nxjerr në pah temat e rëndësishme të librit, ato që mund të favorizojnë bashkimin dhe misionin për të cilin synon Sinodi: “Më duket veçanërisht thelbësor kapitulli mbi dispozitat e brendshme shpirtërore. Siç e kam thënë në më se një rast, qëllimi ynë nuk është të mbledhim një parlament apo të bëjmë ndonjë sondazh. Duam të ecim së bashku si motra dhe vëllezër, duke dëgjuar Shpirtin Shenjt. Ai është protagonisti i vërtetë i Sinodit – shkruan Françesku. - Dëgjimi i Shpirtit kërkon një qëndrim të caktuar të brendshëm. Biseda e zemrës me Shpirtin Shenjt, shoshitja dhe sinodaliteti mund të ndodhin vetëm nëse përpiqemi të boshatisemi për t'u mbushur me këtë Shpirt, nëse liria jonë na çliron nga ankorimet materiale, ideologjike dhe emocionale, në mënyrë që ta lejojmë Shpirtin të na udhëheqë me më tepër fryt; nëse kultivojmë në vetvete përvujtërinë, mikpritjen e, njëkohësisht, lëmë mënjanë vetëmjaftueshmërinë”.
Bisedat e autorëve të librit u kanë dhënë shkas shtatë kapitujve. Fillimisht, ata dallojnë të folurin nga mënyrat e tjera të komunikimit dhe mungesën e tij në një shoqëri të polarizuar, që siç e nënvizon edhe Papa në parathënie, ka nevojë të dëgjojë. Vërtet, dëgjimi është baza e procesit sinodal. Pjesa e dytë e vëllimit e lidh bisedën shpirtërore me sinodalitetin, për t'i lënë vendin çastit të tretë, që ka të bëjë me shoshitjen e diskutimin e përbashkët, sipas modelit të bisedimeve e të shqyrtimit të ndërgjegjes së jezuitëve të parë, në vitin 1539. Pjesa e katërt përshkruan mënyrën e bashkëndarjes dhe të dëgjimit të Shpirtit Shenjt. E pesta analizon dispozicionin e mëparshëm shpirtëror të pjesëmarrësve, "kusht i domosdoshëm për bashkimin dhe shoshitjen e përbashkët”. Nga një reflektim më teologjik, pjesa e gjashtë kalon në kapitullin e fundit ku përvijohet mënyra e përgatitjes së bisedës shpirtërore dhe roli, që duhet të luajë moderatori.
Siç nënvizon Papa në parathënie, dokumenti sinodal “Instrumentum laboris” e vë në dukje nevojën e formimit për bisedimin e brendshëm me Shpirtin Shenjt. “Më duket – vëren Françesku - se libri juaj jep materiale të vlefshme për këtë qëllim. E vlerësoj shumë përpjekjen tuaj dhe jam i sigurt se do të jetë një ndihmë e shkëlqyer në shumë ambiente kishtare”.