Kërko

2024.04.04 Partecipanti al Colloquio promosso dal Dicastero per il Dialogo Interreligioso 2024.04.04 Partecipanti al Colloquio promosso dal Dicastero per il Dialogo Interreligioso

Papa: të kultivohet harmonia midis feve, grupeve etnike dhe kulturave

Françesku takohet me pjesëmarrësit në Kolokiumin e Parë midis Dikasterit për Dialog Ndërfetar dhe Kongresit të Udhëheqësve të Feve Tradicionale dhe Botërore dhe denoncon se brutaliteti i konflikteve në vende të ndryshme të botës po vret mijëra njerëz. Çdo përpjekje është e nevojshme për të qenë në gjendje për të dialoguar dhe për të arritur harmoninë mes popujve, thotë ai, duke kërkuar respekt për diversitetin dhe mbrojtjen e mjedisit

R. SH – Vatikan

Shumë, shumë zëra sot flasin për luftë. Fatkeqësisht, retorika e luftës është kthyer në modë. Kjo është një e keqe. Por ndërsa fjalët e urrejtjes përhapen, njerëzit vdesin në brutalitetin e konflikteve. Në vend të kësaj, duhet të flasim për paqen, të ëndërrojmë paqen, t'i japim kreativitet dhe konkretitet pritshmërive të paqes, që janë pritshmëritë e vërteta të popujve dhe njerëzve. Në këtë kuptim e drejtim duhet bërë çdo përpjekje, në dialog me të gjithë.

Papa Françesku kërkon që të angazhohemi në mënyra të ndryshme, që të bëjmë gjithçka që është e mundur për të promovuar paqen dhe të kërkojmë mënyra të dialogut, në mënyrë që luftërat që po vrasin me mijëra njerëz, në pjesë të ndryshme të botës, të marrin fund. Pas apelit të bërë dje gjatë audiencës së përgjithshme, në Vatikan, Papa edhe një herë sot, na fton të veprojmë sa më shpejt që të ketë më pak dhunë dhe tmerr, në fjalimin drejtuar pjesëmarrësve të Bisedimeve të Para ndërmjet Dikasterit të Vatikanit për Dialog Ndërfetar dhe Kongresit të Udhëheqësve të Feve Tradicionale e Botërore, - një platformë e lindur në Kazakistan që përfshin liderë fetarë dhe eksponentë të botës së politikës, kulturës dhe mediave - një takim i cili, "në respektimin e diversitetit dhe me synimin" për të "pasuruar reciprokisht njëri-tjetrin", shpreson se do të jetë një “shembull për të mos e parë tjetrin si kërcënim, por si një dhuratë dhe një bashkëbisedues të çmuar për rritjen e ndërsjellë”.

Kultivoni harmoninë midis feve dhe kulturave

Nisma, me temën "Shtëpia jonë e përbashkët: një dhuratë hyjnore për të dashur dhe për t'u kujdesur për të", është "fryti i parë domethënës i Memorandumit të Mirëkuptimit të nënshkruar ndërmjet Qendrës Nazarbayev" e Dikasterit të Vatikanit për Dialogun Ndërfetar, që përfshin edhe Senatin e Republikës së Kazakistanit, që kujton udhëtimin apostolik të Papës në Kazakistan, nga 13 deri më 15 shtator 2022, gjatë të cilit Ati i Shenjtë pati marrë pjesë në Kongresin e VII të Udhëheqësve të Feve Tradicionale dhe Botërore në Astana, si dhe vizitën në Vatikan, janarin e kaluar, të presidentit të Senatit dhe kreut të Sekretarisë së Kongresit Maulen Sagathanuly Ashimbayev, njëkohësisht, në këtë rast, kreut të delegacionit të Kazakistanit.

Është e nevojshme të mbështesim njëri-tjetrin në kultivimin e harmonisë ndërmjet feve, grupeve etnike dhe kulturave, harmoni me të cilën mund të krenohet vendi juaj i madh.

Laicizmi i shëndoshë që dallon fenë dhe politikën

Duhet të kultivohet edhe “respekti për diversitetin” dhe “përkushtimi ndaj “shtëpisë së përbashkët”, shton Papa, aspekte këto që karakterizojnë realitetin e Kazakistanit.

Për sa i përket respektimit të diversitetit, një element thelbësor i demokracisë - i cili duhet promovuar vazhdimisht - fakti që shteti është "laik" kontribuon shumë në krijimin e harmonisë. Padyshim që po flasim për një laicizëm të shëndoshë, i cili nuk përzien fenë me politikën, por i dallon për të mirën e të dyjave, dhe që njëkohësisht njeh rolin thelbësor të feve në shoqëri, në shërbim të së mirës së përbashkët.

Në vendin aziatik, drejtësia dhe barazia midis grupeve të ndryshme etnike, feve dhe kulturave "për sa i përket punës, qasjes në zyrat publike dhe pjesëmarrjes në jetën politike e shoqërore" favorizojnë "paqen dhe harmoninë sociale", pohon Papa Françesku, sepse "askush nuk ndihet i diskriminuar ose i favorizuar për shkak të identitetit personal.

Mbrojtja e krijimit

Sa i përket mbrojtjes së krijimit, ajo është një "pasojë e domosdoshme e dashurisë për Krijuesin, për vëllezërit dhe motrat me të cilët ndajmë së bashku jetën në planet", vazhdon Papa, veçanërisht "për brezat e ardhshëm" për të cilët "ne jemi" të thirrur t’ua transmetojmë një trashëgimi për t'u ruajtur, jo një borxh ekologjik për t'u paguar”. Nga këtu shpresa që Bisedimet e Para ndërmjet Dikasterit të Vatikanit për Dialog Ndërfetar dhe Kongresit të Udhëheqësve të Feve Tradicionale dhe Botërore mund të japin "një kontribut të rëndësishëm në këtë kuptim".

04 prill 2024, 12:06