Kërko

Zoti  Johnny Briceno, Kryeministër i Belize, në takim me Papën Zoti Johnny Briceno, Kryeministër i Belize, në takim me Papën  (Vatican Media)

Papa priti në audiencë kryeministrin e Belize-s

John Briceño u prit në Pallatin Apostolik të Vatikanit, i shoqëruar nga një delegacion: 25 minuta bisedë me Papën. Takimi me Imzot Gallagher në Sekretarinë e Shtetit, ku u fol për angazhimin e Kishës Katolike lidhur me arsimin, migrantët dhe çështjet aktuale sociopolitike të Vendit

R. SH. - Vatikan

Zgjati 25 minuta sot paradite, e shtunë, 20 prill, biseda private e Papës Françesku me kryeministrin e Belizes, John Briceño, i cili u prit në audiencë, në Pallatin Apostolik të Vatikanit, me bashkëshorten dhe shoqëruesit.

Shkëmbimi i dhuratave

Në përfundim të dialogut me dyer të mbyllura në Sallën e Bibliotekës, u shkëmbyen, si zakonisht, dhuratat. Papa i dhuroi kryeministrit Briceño një basoreliev prej bronzi, titulluar "Kujdesi i Krijimit", së bashku me vëllimet e dokumenteve të Papnisë: Mesazhin për Ditën Botërore të Paqes të këtij viti dhe librin mbi Statio Orbis të 27 Marsit 2020, redaktuar nga LEV.

Nga ana e tij, kryeministri i dhuroi Papës një pikturë me bojë vaji, të një artisti të Belizes.

Bisedimet në Sekretarinë e Shtetit

Pasi përfundoi takimi me Papën, delegacioni u zhvendos në Sekretarinë e Shtetit, ku Kryeministri Briceño u takua me Imzot Paul Richard Gallagher, sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare. Gjatë diskutimeve të përzemërta në Sekretarinë e Shtetit – njofton një notë e Sallës së Shtypit të Vatikanit - "u shpreh kënaqësia për marrëdhëniet e mira ndërmjet Belizesë dhe Selisë së Shenjtë. Më pas palët u ndalën veçanërisht në angazhimin e Kishës Katolike në fushën e arsimit dhe në vëmendjen ndaj emigrantëve”.

“Në vazhdim të bisedës - vijon njoftimi për shtyp - u diskutua për disa çështje aktuale socio-politike në vend, duke nënvizuar kontributin që Kisha Katolike dhe vlerat e krishtera, të pranishme në shoqërinë Belizeane, mund të ofrojnë për të mirën e përbashkët të popullsisë".

20 prill 2024, 15:31