Kërko

Papa, Shkollave ​​për Paqen: "Të jeni protagonistë, jo spektatorë të së ardhmes"

Papa takon, në Vatikan, mbi gjashtë mijë studentë të rrjetit italian Shkolla për ​​Paqen, i cili përfshin 137 institute në 94 qytete në të gjithë Italinë. Djemtë e vajzat me pankarta bënë thirrje për paqe dhe falënderuan Papën. E Ati i Shenjtë u tha: “Në këtë kohë të tmerruar nga lufta, jini artizanët e paqes”, pastaj përmendi Samitin për të ardhmen e OKB-së në Nju Jork dhe kujtoi ukrainasit e vegjël "që kanë humbur buzëqeshjen" dhe ata në Gaza që "pushkatohen me mitralozë" e "janë të uritur".

R.SH. / Vatikan

 “Jeni të thirrur për të qenë protagonistë, e jo spektatorë, të së ardhmes”. Kjo,  ftesa e Papës për 6000 fëmijët që mbushën sot Sallën Pali VI, në Vatikan, ardhur  nga 94 qytete të 18 rajoneve të ndryshme italiane, si përfaqësues të 137 "Shkollave​​për Paqen". Faleminderit për këtë rrugëtim plot ide, nisma, kurse formimi dhe aktivitete, që synojnë krijimin e një vizioni të ri të botës” - këto fjalët e përshëndetjes së Françeskut, drejtuar 6000 fëmijëve:

“Faleminderit që jeni plot entuziazëm në ndjekjen e qëllimeve të së bukurës dhe të mirësisë, në mes situatave dramatike, padrejtësive dhe dhunës që shpërfytyrojnë dinjitetin njerëzor. Faleminderit, sepse me pasion dhe bujari impenjoheni të punoni në kantierin e së ardhmes, duke e mundur tundimin e strukjes së jetës vetëm tek e sotmja, gjë që ju rrezikon të humbisni aftësinë për të ëndërruar punë të mëdha”.

“Sot, më shumë se kurrë - vijoi Papa Françesku - ndjehet nevoja për të jetuar me përgjegjësi, duke zgjeruar horizontet tona, duke shikuar përpara dhe duke mbjellë dita-ditës ato fara paqeje, që nesër do të mund të mbijnë dhe të japin fryte”.  

Samiti i së Ardhmes

Në vijim Ati i Shenjtë Bergoglio kujtoi se në shtator, në Nju Jork, do të mblidhet Samiti i së Ardhmes, i thirrur nga OKB-ja për të përballuar sfidat e mëdha globale të këtij çasti historik dhe për të nënshkruar "Paktin për të Ardhmen" si dhe "Deklaratën për brezat e ardhshëm". “Është ngjarje e rëndësishme - vijoi- e duhet edhe kontributi juaj, që të mos mbetet vetëm në letër, por të bëhet konkrete dhe të arrihet përmes rrugëve dhe veprimeve të ndryshimit”- kujtoi Françesku:

“Paqja nuk është vetëm heshtja e armëve dhe mungesa e luftës; është  klimë dashamirësie, besimi dhe dashurie, që mund të krijohet në një shoqëri të bazuar mbi marrëdhënie kujdesi, në të cilën individualizmi, shpërqendrimi dhe indiferenca i lëshojnë vendin aftësisë për t'u kushtuar vëmendje të tjerëve, për t'i dëgjuar në nevojat e tyre themelore, për t’u shëruar plagët, për të qenë për ta, mjete dhembshurie dhe shërimi”.

Këtë ua shpjegoi Papa 6 mijë fëmijëve të “Shkollave për paqen”, që sot mbushën përplot Sallën Pali VI, në Vatikan:

“Ky është kujdesi që Jezusi ka për njerëzimin, veçanërisht për më të brishtët, për të cilin shpeshherë na flet Ungjilli” - vazhdoi Françesku - sipas të cilit nga “kujdesi” për njëri-tjetrin “lind një shoqëri gjithëpërfshirëse, e themeluar mbi paqen dhe dialogun”.

Thirrje dhe urime: jini artizanë të paqes!

Në këtë kohë, kur vijon ende lufta, ju kërkoj të jeni artizanë të paqes” - kjo ishte ftesa përfundimtare:

“Në një shoqëri ende të burgosur të kulturës së hedhurinës, ju kërkoj të jeni protagonistë të përfshirjes; në një botë të përshkuar nga kriza globale, ju kërkoj të jeni ndërtues të së ardhmes, në mënyrë që shtëpia jonë e përbashkët të bëhet vend vëllazërimi, solidariteti dhe paqeje. Ju uroj të jeni gjithmonë të apasionuar pas kësaj ëndrre!”. 

Mendoni për fëmijët ukrainas, që  kanë harruar të buzëqeshin!

Mendoni për fëmijët e Ukrainës dhe të Gazës, të cilët vuajnë nën mitralozët” - i ftoi Papa të pranishmit - “Mendoni për fëmijët që janë në luftë! Që kanë harruar të buzëqeshin” - vazhdoi Françesku duke folur lirisht:

“Lutuni për këta fëmijë, strehojini në zemrën tuaj fëmijët, që janë në luftë. Mendoni për fëmijët e Gazës, të mitralizuar, të uritur. Mendoni për fëmijët”.

Më pas, Ati i Shenjtë u bëri thirrje të pranishmëve për një çast të vogël heshtjeje, duke e ftuar secilin të mendojë për fëmijët ukrainas dhe fëmijët e Gazës:

“Duhet kujdes për fëmijët ukrainas, që harrojnë të buzëqeshin”, ishte ftesa e fundit: “Dhe fëmijët e Gazës, që vuajnë nën mitralozët”.

19 prill 2024, 12:27