Kërko

Audienca e Papës Françesku me pjesëmarrësit në Kapitullin e Përgjithshëm të Vëllezërve të Edukimit të Krishterë Audienca e Papës Françesku me pjesëmarrësit në Kapitullin e Përgjithshëm të Vëllezërve të Edukimit të Krishterë   (Vatican Media)

Papa: t’u kthejmë buzëqeshjen fëmijëve të prekur nga lufta

Ftesë për të qenë burim shprese, në një botë të shpërfytyruar nga lufta, indiferenca dhe përjashtimi i të ligshtëve. Françesku ua drejtoi 64 pjesëmarrësve në Kapitullin e Përgjithshëm të Vëllezërve të Shkollave të Krishtera të Ploërmelit, duke i pritur sot në mëngjes në Sallën e Koncistorit me rastin e kapitullit të tyre të përgjithshëm. Ftesa e Papës: "Punoni që fëmijët të rifitojnë aftësinë e tyre për të buzëqeshur"

R. SH. - Vatikan

Me sytë e atit! Papa Françesku i shikon kështu viktimat e shumta të pafajshme, që humbën aftësinë e buzagazit për shkak të luftës. E  Vëllezërve të Edukatës së Krishterë të Ploërmelit  u kërkon ta shikojnë me sy atëror botën, ku "tërbohen varfëria, papunësia e të rinjve dhe krizat shoqërore të të gjitha llojeve”.

Të jesh atë

Kapitulli i Përgjithshëm i Institutit Rregulltar, në shërbim të zhvillimit të gjithanshëm njerëzor në vende të ndryshme të botës, zhvillohet në kuadrin e dyqindvjetorit të themelimit të tij nga i nderuari Jean-Marie de La Mennais dhe Atë Gabriel Dashaye.

Aty, ku të tjerët nuk shkojnë

Papa u kërkon pjesëmarrësve në audiencë të jenë "etër" në shërbim të të rinjve, në një botë që ndryshon vazhdimisht, "gjithnjë të kthyer nga Krishti, rregull suprem i jetës suaj"; i nxit të shkojnë atje ku të tjerët nuk shkojnë, “në periferi”, drejt “të refuzuarve”, “të plagosurve nga jeta”, “viktimave”:

“Prania juaj le të jetë gurrë shprese për shumë njerëz. Në frymën tuaj të vëllazërisë dhe të mirëseardhjes, ata shohin një fytyrë tjetër të njerëzimit të shpërfytyruar nga luftërat, indiferenca dhe  flakja e më të ligshtit”.

Ëndrrat e copëtuara të fëmijëve

Mendimet e Ipeshkvit të Romës rikthehen tek fëmijëria, tek “ëndrrat e coptuara” të shumë fëmijëve dhe të rinjve: “uroj t’i ndihmoni të rijetojnë ëndrrat e tyre, të besojnë në to e edhe t’i realizojnë”- theksoi:

“Fëmijët luajnë edhe nën bomba, ndër vendet në luftë. Në fotografitë e këtyre vendeve, shikojmë edhe fëmijë që luajnë; por një gjë më bën përshtypje: fëmijët nga Ukraina të zhvendosur këtu, që jetojnë këtu, që vijnë këtu në Romë, nuk buzëqeshin: e kanë humbur buzëqeshjen. Lufta e bën këtë: i bën fëmijët të humbasin buzëqeshjen. Punoni në mënyrë që ata të rifitojnë aftësinë për të vënë buzën në gaz”.

"Kisha - vërejti Françesku - është familje", duhet prandaj "të punohet në bashkëpunim të ngushtë me dioqezat" larg krenarisë, mbylljes, ndarjes, thashethemeve.

Jo, thashethemeve

Thashethemet i bëjnë shumë dëm bashkësive fetare. Zgjidhja më e mirë për një rregulltar, një rregulltare, do të ishte të kafshonte gjuhën sa herë i pëlqen të shpërrallojë ndokënd. Do të ishte një ide e mirë, apo jo?

Me sytë ngulur tek Maria

 Papa i porositi mësuesit e krishterë "të mos humbasin gëzimin" ndërsa e përtërijnë shenjtërimin e Institutit kushtuar Zemrës së Papërlyer të Marisë:

“Pedagogjia juaj qoftë gjithmonë e frymëzuar nga Ajo, e cila me "po"-në e saj të palëkundur, pranoi që plani shpëtimtar të Zotit për njerëzimin të  përmbushej përmes Saj. Ajo ju ndihmoftë ta kultivoni zellin për t’u nisur, për të shërbyer, për ta kultivuar përvujtërinë, besimin në Zotin dhe gëzimin  që buron, kur mendoni se jeni shërbëtorë të butësisë dhe të mëshirës së Tij”.

22 prill 2024, 11:38