Kërko

Papa Françesku Papa Françesku

Mesazhi i Papës në fund të Ramazanit: “të kapërcehet nata e urrejtjes, të nisë përqafimi i dritës së jetës”

Françesku, përmes një mesazhi drejtuar rrjetit Al Arabiya në përfundim të Ramazanit, shpreh ankthin për luftën dhe u bën thirrje kombeve t'i japin fund konfliktit në Palestinë dhe Izrael: shpresa lind vetëm "nëse dimë të njohim të drejtat e çdo populli për të jetuar dhe për të pasur një Shtet”. Thirrje të krishterëve të Lindjes së Mesme që “ta dëshmojnë fenë e tyre"

R.SH. / Vatikan

Një thirrje e re për t’i bërë të heshtin armët, thirrje e dhimbshme për të refuzuar luftën, gjithmonë me një sy të ngulur tek viktimat e gjithë Lindjes së Mesme, nga Izraeli - në Gaza, nga Siria - në Liban. Papa Françesku bën thirrje për paqe në mesazhin e tij për fundin e Ramazanit, muajit shenjt të agjërimit islamik, dërguar rrjetit televiziv Al Arabiya:

“Jam i shqetësuar nga konflikti në Palestinë dhe në Izrael: të pushojë menjëherë zjarri në Rripin e Gazës, ku po ndodh një katastrofë e vërtetë humanitare; të arrijë ndihma tek popullsia palestineze, që po vuan shumë; të lirohen pengjet rrëmbyer në tetor! E, mendoj për Sirinë e torturuar, për Libanin, për të gjithë Lindjen e Mesme: të mos lejojmë që flakët e inatit të ndizen, të shtyrë nga erërat vdekjeprurëse të garës së armatimeve! Të mos lejojmë që lufta të përhapet! Ta ndalojmë inercinë e së keqes!”.

Lufta është rrugë pa cak

Festa e gëzueshme e Ramazanit, që përkoi me kremtimin e Pashkëve të krishtera, siç kujton Papa në mesazh, “çirret me trishtim të dhimbshëm mbi gjakun që rrjedh në tokat e bekuara të Lindjes së Mesme”. Prandaj Françesku kërkon të kapërcehet nata e urrejtjes, e të nisë nga lart përqafimi i dritës së jetës:

“Zoti është paqe dhe dëshiron paqe. Kush beson në Të, nuk mund të mos e mohojë luftën, e cila nuk i zgjidh, por i shton konfliktet. Lufta, nuk lodhem s’e përsërituri, është gjithmonë dhe vetëm disfatë: është rrugë pa krye; nuk hap perspektiva, por e shuan shpresën”.

Fëmijët kanë nevojë për shtëpi, jo për varre

Papa bëhet zëdhënësi i dëshirës për paqe të familjeve, të rinjve, punëtorëve, të moshuarve, fëmijëve, duke menduar për lotët e tyre teksa kërkojnë t’i jepet fund luftës:

“Mjaft më! Ua përsëris edhe unë, atyre që kanë përgjegjësinë e rëndë të qeverisjes së kombeve: mjaft, ndaloni! Ju lutemi ndalojeni vringëllimën e armëve dhe mendoni për fëmijët, të gjithë fëmijët, si fëmijët tuaj. Ta shikojmë të gjithë të ardhmen me sytë e fëmijëve. Ata nuk pyesin veten se kush duhet ta shkatërrojë armikun, por me kë duhet të luajnë miqësisht; kanë nevojë për shtëpi, për parqe e shkolla, jo për varre e gropa!”.

Thirrje për të krishterët e Lindjes së Mesme

Ashtu si mund të lulëzojnë shkretëtira në natyrë, mund të ndodhë edhe në zemrat dhe jetët e njerëzve dhe të popujve - përfundon mesazhi - por vetëm në kushte të caktuara:

“Nga shkretëtirat e urrejtjes do të mbijnë filiza shprese vetëm nëse dimë të rritemi së bashku, njëri përkrah tjetrit; nëse dimë të respektojmë besojmat e të tjerëve; nëse jemi në gjendje ta njohim të drejtën e çdo populli për jetë dhe të drejtën e çdo populli për të pasur shtet; nëse dimë të jetojmë në paqe, pa demonizuar askënd”.

Papa Françesku e mbyll mesazhin e tij me një përqafim për të krishterët që   jetojnë në Lindjen e Mesme, ndërmjet shumë vështirësish" duke kërkuar "që ata gjithmonë dhe kudo të kenë të drejtën dhe mundësinë për të shpallur lirisht fenë e tyre, që flet për paqen dhe vëllazërinë".

12 prill 2024, 15:55