Kërko

Takim me Famullitarët n Famullinë e  Shën Henrikut,  në Casalmonastero Takim me Famullitarët n Famullinë e Shën Henrikut, në Casalmonastero  (Vatican Media)

Papa: takim me 35 famullitarë, në famullinë romake të Shën Henrikut

Françesku rifilloi vizitat në famullitë e Dioqezës së tij për të takuar klerin. Sot pasdite, në zonën verilindore të kryeqytetit, në lagjen Casal Monastero. Dialog me dyer të mbyllura me priftërinjtë e Prefekturës XI në sektorin verior, shoqëruar nga ipeshkvi ndihmës Salera

R. SH. - Vatikan

Shën Maria e Shëndetit në Primavalle në shtator; Shën Maria Nënë e Mikpritjes, në Villa Verde, në nëntor; Shën Gregori  në Acilia, në dhjetor dhe tani, në prill - pas një pushimi prej disa muajsh - Shën Henriku në rrethin Casal Monastero. Papa Françesku ka rifilluar vizitat në famullitë  periferike të Romës për të takuar priftërinjtë, veprimtari e nisur në shtator 2023 për të vazhduar takimet në Dioqezën e tij (ndërprerë nga pandemia) dhe, në një farë mënyre, edhe të famshmet "Të Premtet e Mëshirës” gjatë Jubileut të Mëshirës, kur Papa shkeli “në skajet” e kryeqytetit. Sot pasdite, rreth orës 16:00, Jorge Mario Bergoglio shkoi në kishën e zonës verilindore të kryeqytetit, pak jashtë unazës, mbi Via Tiburtina, kushtuar shenjtit të cilin Benedikti VIII në vitin 1014 e pati kurorëzuar perandor të Perandorisë së Shenjtë Romake. Lajmin e bëri të ditur Salla e Shtypit e Vatikanit.

Një lagje mikpritëse, jo pa vështirësi

Famullia - e katërta e vizituar nga Papa në këta muaj - e ndërtuar ndërmjet viteve 1997 dhe 1998 me një stil modern e me një strukturë druri, e rrethuar nga parqe dhe zona lojërash e edhe nga mbetje të epokës mesjetare, ndodhet në Prefekturën XI të Dioqezës, në sektorin e Veriut. Një lagje e vogël dhe mikpritëse me trafik të paktë, ku zhurma e mjeteve të transportit nuk duket të jetë shqetësuese por ku, megjithatë, banorët vuajnë nga një ndjenjë e përgjithshme braktisjeje dhe shpërfilljeje e zonës.

Në bisedë me meshtarët

Papës, pas një udhëtimi prej rreth 40 minutash me makinën e vogël të zakonshme, i uruan mirëseardhjen ipeshkvi-ndihmës Daniele Salera, famullitari Don Massimiliano Memma dhe 35 meshtarë të Prefekturës, me të cilët Jorge Mario Bergoglio, si në raste të tjera, nisi një dialog me dyer të mbyllura për tema të ndryshme, kryesisht baritore.

Vizita e Gjon Palit II

Françesku është Papa i dytë që viziton Shën Henrikun, pas Gjon Palit II, i cili në shkurt 2002 pati kremtuar meshën të dielën e parë të Kreshmëve (ishte famullia e 301-të romake e vizituar nga Wojtyla).

“Juaja është bashkësi e re”- pati thënë Papa asokohe, “përbëhet kryesisht nga familje të krijuara vonë e të vendosura në lagje gjatë dekadës së fundit... Shumë fëmijë dhe të rinj e popullojnë, e gëzojnë dhe e mbushin me gjallëri”.

Një realitet ky, i përshkruar nga Gjon Pali II, i cili vazhdoi në kohë, pavarësisht nga vështirësitë objektive, kryesisht nga mungesa e shkollave fillore dhe të mesme, të ndërtuara vetëm vitet e fundit. Vështirësi për të cilat famullitarët e ndryshëm sot biseduan me Ipeshkvin e tyre.

05 prill 2024, 17:51