Kërko

 Familjet e viktimave të Hamasit kujtojnë gjashtë muajt pas sulmit, i cili goditi edhe një festival muzikor  Familjet e viktimave të Hamasit kujtojnë gjashtë muajt pas sulmit, i cili goditi edhe një festival muzikor   (ANSA)

Papa: të inkurajohen gjeste që mundësojnë bisedimet në Ukrainë e në Tokën Shenjte

Pas kremtimit të Mbretëreshës Qiellore, Papa kërkoi të vazhdojnë lutjet, që t'u jepet fund konflikteve, duke i inkurajuar ata që punojnë për të ulur tensionet dhe për të favorizuar zgjidhje diplomatike. Një lutje edhe për 45 shtegtarët, që humbën jetën në aksidentin rrugor, në Afrikën e Jugut

R. SH. - Vatikan

Forcë për të biseduar e për të siguruar paqen, për të cilën bota ka gjithnjë  më shumë nevojë. Këtë i kërkoi Papa Françesku, me ndërmjetësimin e Zotit, bashkësisë ndërkombëtare dhe prijësve politikë, në fund të lutjes së Mbretëreshës Qiellore.

“Të mos mungojë lutja jonë për paqe, paqe të drejtë dhe të qëndrueshme, veçanërisht për Ukrainën e martirizuar, për Palestinën dhe Izraelin. Shpirti i Zotit të ringjallur i ndriçoftë dhe i mbështetët ata, të cilët punojnë për të ulur tensionin dhe për të inkurajuar gjestet, që i bëjnë të mundura bisedimet. Zoti u dhëntë udhëheqësve aftësinë për t’u ndaluar pak e për të biseduar”.

Lutja për viktimat e aksidentit në Afrikën e Jugut

Papa kujtoi edhe 45 viktimat e aksidentit rrugor që ndodhi më 28 marsin e kaluar në Afrikën e Jugut. ku një autobus me shtegtarë të krishterë, që vinte nga Botsvana dhe nisej për qytetin Morias, në Afrikën e Jugut, për të kremtuar Pashkët, doli nga rruga dhe ra në një luginë në provincën veriore të Limpopo-s - rreth 400 km. nga Johanesburgu. Të gjithë shtegtarët humbën jetën, përveç një vajze tetëvjeçare, e cila shpëtoi dhe ndodhet jashtë rrezikut. “Të lutemi për ta dhe për familjet e tyre” - kujtoi Ati i Shenjtë.

07 prill 2024, 13:12