Papa: të jeni barinj sipas Zemrës së Krishtit
R. SH. - Vatikan
Duhet lutje, studim, vëllazërim për të qenë meshtarë “sipas Zemrës së Krishtit”. Ky është synimi për të cilin seminaristët duhet të përpiqen me ndihmën e formuesve të tyre. Françesku e përshkroi rrugën e formimit duke u folur bashkësive të Seminarit Metropolitan dhe Seminarit Redemptoris Mater të Seviljes, në Spanjë, mirëpritur sot paradite në Vatikan, shoqëruar nga Kryeipeshkvi, Imzot José Ángel Saiz Meneses. Takimi u mbajt në Sallën Klementine.
Jeta shpirtërore dhe vëmendja ndaj vëllezërve
Françesku kujtoi se sot është nata e festës së Bariut të Mirë, që do të kremtohet nesër. Ditë e rëndësishme për seminaristët, të cilëve Ati i Shenjtë u përsëriti çka u është thënë edhe në raste të tjera në lidhje me udhën e tyre, domethënë se "kjo udhë e ngjasimit me Jezusin, Bariun e Mirë, duhet bërë duke u kujdesur në katër aspekte: në atë të jetës shpirtërore, të studimit, të jetës komunitare dhe veprimtarisë apostolike”:
“Ky integrim është i domosdoshëm, madje do të thoja se është urgjent, për t'u bërë plotësisht priftërinj dhe për t'iu përgjigjur thirrjes që morët, në dhurimin e plotë të vetes ndaj Zotit dhe vëllezërve, veçanërisht më të vuajturve”- u shpjegoi.
Virtyti dhe shkenca duhet të shkojnë krah për krah
Seminaristëve Papa u kujtoi edhe një figurë të madhe bariu nga toka andaluze, Kardinalin e Lum Marcelo Spínola y Maestre, "mjeshtër meshtarësh". i cili thoshte:
“Virtyti dhe shkenca janë dy gjëra, që duhet të mësohen me përparësi nga dëshirtarët për meshtari, sepse shkenca pa virtyt fryn po nuk themelon e virtyti pa shkencë ndërton, por nuk udhëzon. Kjo, siç kujtuam, do të thotë se çdo gjë në priftin - lutja, studimi, vëllazëria, misioni - duhet të jenë të bashkuara”.
Transmetojeni gëzimin e Ungjillit
Papa Françesku i këshilloi seminaristët e pranishëm në takim të përfitojnë nga koha e tyre e formimit, duke i ftuar t’i kenë "zemrat drejtuar kah Zoti", pa harruar "buzëqeshjen për t'i përcjellë gëzimin e Ungjillit kujtdo që takojnë".