Kërko

 Audienca e Papës me pjesëmarrësit në takimin e promovuar nga Fondacioni Età Grande (Vatican Media) Audienca e Papës me pjesëmarrësit në takimin e promovuar nga Fondacioni Età Grande (Vatican Media)  (Vatican Media)

Françesku: të moshuarit, pasuri për brezat e rinj, nuk duhen lënë vetëm

Françesku, merr pjesë, në Sallën e Palit VI, në takimin me përfaqësues të të moshuarve dhe të rinjve, titulluar "Përkëdhelja dhe buzëqeshja", organizuar nga Fondacioni Età Grande dhe nënvizon se sa e rëndësishme është të mos i harrosh gjyshërit. Duke kujtuar mësimet e paraardhësve, tregon se e dëgjoi së pari nga i gjyshi shprehjen "lufta është gjë e tmerrshme".

R. SH. - Vatikan

Brezat e ndryshëm, popujt e ndryshëm dhe dallimet, nëse harmonizohen, "mund të zbulojnë", si anët e një diamanti, "vezullimin e mrekullueshëm të njeriut dhe të krijimit". E edhe të gjithë gjyshërit, të moshuarit dhe nipërit e mbledhur në Sallën Pali VI nga Fondacioni Età Grande - kryesuar nga Imzot Vincenzo Paglia - ishte shprehje e kësaj mrekullie për Papën Françesku. Të pranishëm, gjashtë mijë vetë, mbledhur për iniciativën "Përkëdhelja dhe buzëqeshja", në të cilën ishte i pranishëm edhe "gjyshi i Italisë", aktori Lino Banfi, i cili në fund të audiencës u bëri thirrje të gjithëve ta vlerësojnë Papën si "avuelo del mundo", "gjyshi i botës". I pranishëm, dhe këngëtari Al Bano. Përfaqësues të moshës së tretë dhe të rinj të Moshës së Madhe ishin së bashku, me synimin për të ri-humanizuar botën dhe për të flakur tutje individualizmin. E Françesku i inkurajoi "të mos lejojnë larminë të krijojë çarje" dhe "të mos e pluhurosin diamantin, thesarin më të bukur që na dhuroi Zoti, dashurinë":

"Shoqëria jonë është përplot me njerëz të specializuar në një mori gjërash, e pasur me njohuri dhe mjete të dobishme për të gjithë. Megjithatë, nëse nuk ka ndarje të përbashkët dhe secili mendon vetëm për veten, e gjithë pasuria humbet e shndërrohet në varfërimin e mbarë njerëzimit. E ky është rrezik i madh për kohën tonë: varfëria e copëtimit dhe e egoizmit”.

Bëhemi më të mirë së bashku

Papa nënvizoi gjithashtu se "egoizmi varfëron", ndërsa "dashuria na bën më të mirë, na bën më të pasur, na bën më të mençur, në çdo moshë", duke shtuar se besimi bashkon brezat dhe duke kujtuar se ka marrë shumë nga gjyshja, domethënë, ka mësuar shumë prej saj "për të njohur Jezusin, që na do, që nuk na lë kurrë vetëm dhe që na inkurajon të jemi pranë njëri-tjetrit dhe të mos përjashtojmë kurrë askënd":

“Vetëm duke qenë bashkë me dashurinë, duke mos përjashtuar askënd, bëhemi më të mirë, më njerëzorë!”

 Duke menduar projekte për moshën e tretë

"Të bësh gjithçka vetë i vetë" dhe "të jetosh si ishujt", do të thotë të zhytesh në vetmi" - theksoi Françesku - Siç ndodh “kur, për shkak të kulturës së të flakurve, të moshuarit mbeten vetëm dhe duhet të kalojnë vitet e fundit të jetës larg shtëpisë, të harruar deri nga njerëzit e tyre të dashur”:

“Të moshuarit nuk duhen lënë vetëm, duhet të jetojnë në familje, në bashkësi, të rrethuar nga dashuria e të gjithëve. Dhe nëse ata nuk mund të jetojnë me familjen e tyre, ne duhet të shkojmë t'i kërkojmë dhe të jemi pranë tyre. Ta mendojmë për një çast. A nuk është shumë më e mirë një botë, ku askush nuk duhet të ketë frikë t'i përfundojë ditët e veta i vetëm? Është e trishtuar kjo botë. Po, është e qartë, e trishtuar. Pra, le ta ndërtojmë këtë botë së bashku, jo vetëm duke zhvilluar programe ndihme, por edhe duke kultivuar projekte të ndryshme ekzistence, në të cilat vitet të cilat kalojnë nuk konsiderohen si humbje që zbehë dikënd, por si një e mirë që rritet dhe i pasuron të gjithë: e si të tillë, të moshuarit vlerësohen, nuk frikësohen”.  

Kultivoni ndjenja më të rëndësishme

Më pas Papa iu drejtua nipërve, duke u shpjeguar se gjyshërit janë kujtesa e botës dhe se për këtë arsye mund të merren shumë mësime prej tyre: “Dëgjojini gjyshërit tuaj, sidomos kur ju mësojnë me dashurinë dhe dëshminë e tyre të kultivoni ndjenjat më të rëndësishme, të cilat nuk fitohen me forcë, nuk duken me sukses, por ta mbushin përplot jetën”.

Të moshuarit dinë të shohin larg

Pikërisht dy të moshuar, Simeoni dhe Ana, e njohën "Jezusin kur Maria dhe Jozefi e çuan në Tempullin e Jeruzalemit - shtoi Françesku - e mirëpritën dhe e kuptuan se "Perëndia ishte atje, i pranishëm" dhe "se Mesia, Shpëtimtari, që të gjithë e prisnin, kishte mbërritur. "Ishin të moshuarit ata, që e kuptuan misterin". E kjo, sepse të moshuarit "shikojnë shumë përpara, ngaqë kanë jetuar për shumë vjet dhe kanë shumë gjëra për të mësuar: p.sh. sa e keqe është lufta”. Papa kujtoi se e mësoi këtë nga i gjyshi, i cili jetoi gjatë Luftës I Botërore:

“Me tregimet e tij më bëri të kuptoj se lufta është një gjë e tmerrshme, që nuk duhet bërë kurrë. Më mësoi edhe një këngë të bukur, të cilën ende e mbaj mend. A doni që unë t'jua kujtoj? Mendoni mirë, kështu kënduan ushtarët në Piave: “Gjenerali Cadorna i shkroi mbretëreshës, nëse do ta shohësh Trieshten, shikoje në kartolinë!" Është e bukur! Këndonin ushtarët!”.

Mos i lini gjyshërit ndër skuta

Pastaj Papa Françesku i ftoi të pranishmit t’i kërkojnë dhe të mos i përjashtojnë gjyshërit, sepse “çkujdesja për të moshuarit i zymton të gjitha stinët e jetës, jo vetëm atë të pleqërisë”:

“Mësoni urtinë nga dashuria e tyre e fortë e edhe nga brishtësia e tyre… do t'ju ndihmojë të mos ngecni në të tashmen dhe ta shijoni jetën si marrëdhënie”.

Të rrish bashkë, gjyshërit dhe nipërit, të moshuar e të rinj, duke u kujdesur për njëri-tjetrin, krijon dashuri - përfundoi Papa, "frymë ajri të pastër që freskon botën dhe shoqërinë". Është edhe mesazhi, që na jep Jezusi mbi kryq: "T’i duhemi të gjithë, si një familje e madhe".

27 prill 2024, 15:17