Kërko

Papa me Veprimin Katolik Italian Papa me Veprimin Katolik Italian

Papa, Veprimit Katolik: zhvilloni "kulturën e përqafimit"

60 mijë anëtarë të Veprimit Katolik u takuan me Papën Françesku, në Sheshin e Shën Pjetrit, në një manifestim titulluar: “Me krahë hapur”. Pati shumë përqafime, ato që mungojnë, për shkak të konflikteve, që “këto ditë i kemi para syve”, ato që shpëtojnë dhe ato, që ta ndryshojnë jetën

R.SH. – Vatikan

         "Duke kaluar mes jush, pashë sy plot gëzim dhe shpresë. Faleminderit për këtë përqafim kaq intensiv dhe të bukur": këto ishin fjalët e Papës Françesku, në takimin e sotëm me rreth 60 mijë anëtarë dhe miq të Veprimit Katolik Italian, në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan.  Të rritur, të rinj dhe fëmijë udhëtuan drejt Romës nga e gjithë Italia me rreth 600 autobusë, por edhe me tren e me makina, për këtë manifestim me titull “Me krahë hapur”.

Jeta jonë rrethohet nga dashuria e Zotit

Para mbërritjes së Atit të Shenjtë, të pranishmit në Shesh morën pjesë në lutje të përbashkëta, shfaqje dhe dëgjuan një sërë dëshmish, në praninë e disa artistëve italianë, si këngëtarët Stefano Picchi dhe Giovanni Caccamo, Banda Rulli Frulli, aktori Neri Marcorè. Papa Françesku i ra rreth sheshit me papamobilin e tij e pastaj, mori fjalën.

“Përqafimi është një nga shprehjet më spontane të përvojës njerëzore”, u shpreh Bergoglio, duke iu referuar temës së takimit. Për secilin prej nesh, përqafimi i parë nga prindërit pasohet nga shumë të tjerë, por, mbi gjithçka, jeta jonë “rrethohet nga përqafimi i madh i Zotit, që na do, na do i pari”. Tre, llojet e përqafimeve që Françesku u propozon të pranishmëve për reflektim: "përqafimi që mungon, përqafimi që shpëton, përqafimi që ndryshon jetën".

Përqafimi që mungon

Jo gjithnjë ndjenjat e miqësisë dhe të mikpritjes, që shpreh përqafimi kuptohen dhe pranohen gjithmonë në shoqëri, pohoi Papa. Ato shpesh hasin rezistencë dhe kundërshtime, deri sa kalojnë në konflikt:

“Po, në zanafillën e luftërave shpesh ka përqafime, që mungojnë ose refuzohen, të cilat pasohen nga paragjykime, keqkuptime dhe dyshime, deri në atë pikë sa ta shohim tjetrin si armik. E gjithë këtë, fatkeqësisht, këto ditë, e kemi para syve, në shumë vende të botës! Megjithatë, me praninë dhe me punën tuaj mund t'u dëshmoni të gjithëve se rruga e përqafimit është udhë e jetës”.

Përqafimi që shpëton

Pastaj, Papa foli për përqafimin, që është shpëtim: ndodh kur vlerat pozitive, që përmbahen në këtë gjest, i shtohen përmasës së fesë, në qendër të së cilës është pikërisht "përqafimi i mëshirshëm i Zotit, që shëlbon", dëshmuar nga Jezu Krishti me vdekjen në kryq. Edhe ne duhet të mësojmë të bëjmë të njëjtën gjë, nënvizoi Françesku.

“Prandaj, të mos e harrojmë kurrë përqafimin e Atit që shpëton, paradigmën e jetës dhe të zemrës së Ungjillit, model i dashurisë radikale, që ushqehet dhe frymëzohet nga dhurata e lirë dhe gjithmonë e jashtëzakonshme e Zotit. Vëllezër e motra, ta lëmë Atë të na përqafojë, siç bëjnë fëmijët. Secili prej nesh ka diçka fëminore në zemrën e vet, që ka nevojë për një përqafim. Ta lejojmë Zotin të na përqafojë. Kështu, në përqafimin e Zotit, mësojmë si të përqafojmë të tjerët”.

Përqafimi që e ndryshon jetën

Papa kujtoi se, shpesh, një përqafim i vetëm ia ka ndryshuar dikujt jetën. Siç ndodhi me shën Françeskun e Asizit, për shembull, i cili vendosi të ndiqte Krishtin "pasi përqafoi një lebroz". Përqafimi i dashurisë, theksoi Ati i Shenjtë, është e vetmja “shenjë thelbësore e dishepujve të Krishtit”.

“Atëherë, vëllezër e motra, përmes udhëve tuaja personale dhe komunitare, ‘kultura e përqafimit’ do të zhvillohet në Kishë dhe në shoqëri, duke përtërirë marrëdhëniet familjare dhe edukative, proceset e pajtimit dhe të drejtësisë, përpjekjet për bashkim dhe bashkë-përgjegjësi, duke krijuar lidhje për një të ardhme paqësore”.

Bëhuni "flamurtarët e sinodalitetit"

Papa Françesku e mbyll fjalimin e tij duke iu referuar Sinodit e duke u kërkuar anëtarëve të Veprimit Katolik të bëhen “shtegtarë të shpresës”, njerëz sinodalë, që dinë të dialogojnë, të bisedojnë e të kërkojnë së bashku. “Bëhuni flamurtarë të sinodalitetit”, kërkesa e fundit e Atit të Shenjtë, i cili, para së të largohej, përshkoi sheshin, duke shtrënguar duar e duke dhuruar buzëqeshje. Takimi vazhdoi me dëshmitë e të rinjve nga Ukraina e nga Toka Shenjte, si edhe me leximin e dëshmive të anëtarëve të Veprimit Katolik, që kanë marrë pjesë në rezistencën kundër fashizmit e në lindjen e republikës.

25 prill 2024, 13:23