Kërko

Cookie Policy
The portal Vatican News uses technical or similar cookies to make navigation easier and guarantee the use of the services. Furthermore, technical and analysis cookies from third parties may be used. If you want to know more click here. By closing this banner you consent to the use of cookies.
I AGREE
Rondo: Allegro
Programe Podcast

Papa: virtyti i qëndresës na bën të reagojmë dhe t’i themi "jo" së keqes në botë

Françesku ia kushtoi katekizmin e sotëm virtytit kryesor, qëndresës "që na ndihmon të përballojmë frikën, ankthet dhe provat e jetës". E na bën detarë të patundur, që nuk tremben as nuk e humbasin kurrë guximin, ndërsa e marrin seriozisht sfidën e së keqes dhe të indiferencës. Sot njerëzit "shqetësues e vegimtarë" janë të rrallë - kujtoi Papa, duke na ftuar të rizbulojmë "forcën e Jezusit" në Ungjill.

R.SH. / Vatikan

Papa Françesku ia kushtoi katekizmin e sotëm virtytit “më luftarak”, atij “që na ndihmon të japim fryte në jetë”: është qëndresa, virtyti i tretë kryesor, pas maturisë dhe drejtësisë. Në audiencën e përgjithshme, sot, 10 prill, Papa Françesku vazhdoi, në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, serinë e katekizmave mbi virtytet, duke krahasuar mendimin e tij me atë të Katekizmit të Kishës Katolike dhe të të parëve, filozofëve grekë dhe teologëve të krishterë. "Qëndresa është virtyt moral, që siguron ngulm në vështirësi e qëndrueshmëri në kërkimin e së mirës. Ajo forcon vendimin për t'u bërë ballë tundimeve dhe për t’i kapërcyer pengesat në jetën morale"- siç shprehet Katekizmi.

 Jezusi i njeh emocionet njerëzore

Për të lashtët, virtyti i guximit lidhej me "gjaknxehtësinë", domethënë me pasionet e njeriut. Prej këndej, Papa komenton se pasionet nuk janë gjithmonë "mbeturina mëkati", por se ato duhet të edukohen dhe të drejtohen në shërbim të së mirës. "Edhe Jezusi kishte pasione"- kujtoi Papa:

“I krishteri pa guxim, që nuk e përdor forcën për të mirë, që nuk shqetësohet as nuk shqetëson kënd, është i krishterë i kotë. Të mendojmë për këtë. Jezusi nuk është Zot i brishtë e i  akullt, që nuk i njeh emocionet njerëzore. Përkundrazi! Kur merr vesh vdekjen e mikut të tij, Lazrit, shpërthen në lot; e në disa nga shprehjet e tij shkëlqen qartë shpirti i apasionuar”.

Mos u dorëzoni para frikës, që lind brenda nesh

Duke vijuar të flasë për mendimtarët e lashtë, Papa kujtoi se qëndresa  "ka prirje të dyfishtë: pasive e aktive". Shpjegoi, prandaj, se prirja e parë "është brenda vetes", për të luftuar ata "armiq të brendshëm", si frika, faji dhe ankthi, nga të cilat rrezikojmë të paralizohemi. Bëhet fjalë për të korrur fitore "kundër vetvetes" - vërejti Françesku - duke mos iu dorëzuar asaj frike që zakonisht "nuk ekziston fare".

“Atëhere është më mirë t’i lutemi Shpirtit Shenjt dhe ta përballojmë gjithçka me durim: një problem me radhë, aq sa mundemi, por jo vetëm! Zoti është me ne. Nëse besojmë tek Ai dhe kërkojmë sinqerisht çka është e mirë, atëherë, në çdo situatë, mund të mbështetemi në Provaninë e Zotit, që vepron si mburoja dhe armatura jonë”.

Prania e së keqes në botë duhet marrë seriozisht

Pas luftës kundër armikut të brendshëm, domethënë, vetvetes - nënvizoi në vijim Papa – duhet kujtuar lufta kundër “armiqve të jashtëm, provave të jetës”.  E këtu shohim lëvizjen e dytë të virtytit të qëndresës, më aktiven. Përballë ngjarjeve të paparashikueshme të jetës, guximi “na bën detarë  durimtarë, që nuk tremben, as nuk e humbasin guximin”. Duhet - ftoi Ati i Shenjtë - ta marrim seriozisht sfidën e së keqes në botë e të mos pretendojmë se ajo nuk ekziston:

“Por mjafton të shfletosh një libër historie, apo fatkeqësisht edhe gazetat, për të zbuluar se jemi pjesërisht viktima dhe pjesërisht protagonistë të mizorive të saj: luftëra, dhunë, skllavëri, shtypje e të varfërve, plagë të pashëruara që ende rrjedhin gjak. Virtyti i këmbënguljes apo i qëndresës na bën të reagojmë dhe t’i themi një "jo" të vendosur gjithë kësaj”.

 Ta përsërisim "jo"-në tonë kundër së keqes dhe indiferencës

Ta përsërisim "jo"-në- tonë kundër së keqes dhe indiferencës! Një “jo”, që na trondit në disa rrethana, në ato perëndimore, e që Papa pohon se “e kanë shpërlarë gjithçka”, duke e konsideruar gjithçka të njëllojshme e duke na bërë kështu ndonjëherë të ndjejmë “nostalgji të shëndetshme për profetët”, figura “shqetësuese e vizionare”:

“Ndjehet nevoja për dikë që të na tundë nga vendi i butë ku jemi ulur dhe të na bëjë të përsërisim me vendosmëri "jo"-në tonë kundër gjithçkaje, që çon në indiferencë. “Jo” së keqes e “jo” indiferencës; “po” rrugës, rrugës që na bën të përparojmë e për të cilën duhet të luftojmë”.

Papa Françesku e përfundoi katekizmin e audiencës së sotme të përgjithshme duke na ftuar për të shikuar qëndrueshmërinë e Jezusit në Ungjill dhe shembullin e shenjtorëve, në mënyrë që edhe ne të mësojmë ta jetojmë jetën si ata.

10 prill 2024, 11:54
Prev
April 2025
SuMoTuWeThFrSa
  12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
27282930   
Next
May 2025
SuMoTuWeThFrSa
    123
45678910
11121314151617
18192021222324
25262728293031