Kërko

Vizita baritore e Papës në Venecia Vizita baritore e Papës në Venecia   (Vatican Media)

Patriarku i Venedikut, Moraglia: Papa në Venecia na bëri sërish thirrje të jemi Kishë

Patriarku rikujton "ditën e paharrueshme" të Françeskut në qytetin lagunor: nga takimi me të burgosurit e Giudecca, tek ai me të rinjtë, deri në meshën në Piazza San Marco. "Në motobarkë biseduam pak dhe pashë në kërkesën e tij për t'u lutur për të, gëzimin por edhe përkushtimin ndaj sfidave të Kishës. Jemi të thirrur të marrim pjesë në të gjitha këto me lutje."

R. SH. - Vatikan 

“I dashur Papa Françesku, Zoja e Shëndetit Ju shoqëroftë gjithnjë e ne, përzemërsisht, ju drejtojmë përshëndetjen e dashur për venecianët: rroftë Shën Marku, rroftë Venediku”.

Kështu e përshëndeti Papën Françesku në fund të Meshës kremtuar në Sheshin e Shën Markut dje, e diel, 28 ​​prill, në praninë e 10.500 besimtarëve të pranishëm, Patriarku i Venedikut Francesco Moraglia i cili, pak orë pas largimit të Atit të Shenjtë nga laguna, pohoi për mediat e Vatikanit: “Pjetri, Marku, Papa, na bëjnë thirrje të jemi Kishë, duke nisur nga lutja e duke e gjetur forcën nga zanafilla!”.

E kur Papa, në përfundim të këtij takimi të pazakontë e të pasur me ngjarje, mori rrugën e kthimit drejt Romës, mediat e Vatikanit i drejtuan Patriakut  Moraglia disa pyetje, duke nisur nga:

Nisi me takimin në burg në Giudecca, me të rinjtë në fushën e shëndetësisë e vijoi me Meshën në Sheshin e Shën Markut: cili është vlerësimi juaj për ditën?

Një ditë e paharrueshme në Venedikun historikisht mikpritës por edhe qytet arti. Papa deshi të fillonte me një gjest mikpritës në burgun e grave, ku i inkurajoi të ftuarat të shpresonin dhe ta rindërtonin pa frikë jetën e tyre. Ishte një mesazh i ndërprerë nga një sërë ndërhyrjesh, madje të paplanifikuara, me të cilat disa të burgosura shprehën çka u buronte nga historia e, sidomos, nga zemra e tyre e plagosur prej jetës! Nuk munguan as homazhe të vogla, punime që kryhen me bashkëpunimin e kooperativave. Papa donte t'i kalonte rreshtat një nga një dhe t'i përshëndeste të burgosurat një nga një, duke i parë në dritë të syrit, që është edhe tema e ekspozitës së Pavijonit të Vatikanit në Bienale. Çasti i dytë në burg ishte dialogu me artistët. Papa kujtoi vlerën e artit që nuk duhet të bëhet treg. Arti vlen shumë më tepër se tregu!”

Patriku i Venedikut me Papën
Patriku i Venedikut me Papën

Në takimin me të rinjtë, Papa mbajti një fjalim me disa shtesa jashtë tekstit të shkruar, duke u kujtuar të rinjve se nuk janë fytyra për rrjetet sociale, por fëmijë të qiellit, bij të Zotit…

“Përdori dy folje: ngrihu dhe shko! Donte t'i nxiste fëmijët duke i pyetur nëse e kishin kuptuar dhe duke i përsëritur këto dy folje disa herë, të cilat më pas i zgjedhoi në një mënyrë tjetër: nënvizoi, për shembull, se nuk mund të shikohen të tjerët nga lart-poshtë, përveç një rasti të vetëm, kur përkulesh mbi të rrëzuarin, për ta ndihmuar të ngrihet. E sapo të ngrihet, duhet të ecë. Nënvizimi tjetër kishte të bënte me qëndrueshmërinë: gjërat ndërtohen me qëndrueshmëri. Çohu, shko, mos nxito: a dini ta jetoni jetën?   Mund të themi duke buzëqeshur se edhe ata që nuk besojnë në Zot, vijojnë t’i ndezin akoma një qiri Zojës! Papa nënvizoi  sa rëndësi ka që breznitë e reja t’i ruajnë këto rrënjë, prej nga e kanë zanafillën, duke na pasuruar në marrëdhëniet tona me të tjerët”.

Pastaj Papa kaloi urën e barkave dhe mbërriti në Shën Mark: gjatë homelisë, tha shumë gjëra për Venedikun, për brishtësinë e tij si qytet i ngritur mbi ujë, por edhe për potencialin e tij;  madje e quajti Venedikun “tokë, që bën vëllezër”….

  Kjo frazë e fundit ishte sinteza e vlerësimeve të tjera: Venecia, qytet i përshtatshëm për burrat, për fëmijët, familjet; qytet ku e bukura duhet ofruar me bujari, por edhe qytet, që mbrohet nga një turizëm që mund ta gllabërojë. Venecia duhet të mbetet qytet i banuar, qytet takimesh, jo vend kalimi, por vend ndërtimi i së tashmes dhe i së ardhmes. Bukuria e Venecias është uji, laguna, urat që lidhin një sërë ishujsh... Venecia nuk është vetëm qytet i bukur, por është unik. Papa na foli për një ide të ardhshme të Venecias, në të cilën gjithëpërfshirja është thelbësore. Ai na kujtoi një përgjegjësi të veçantë. Në Venecia gjejmë verifikimin e asaj që shkruan Papa në enciklikat e tij Fratelli tutti dhe Laudato si', tekste tejet profetike e, në të njëjtën kohë, edhe konkrete.

Në lutje para relikeve të Shën Markut
Në lutje para relikeve të Shën Markut

Çfarë udhe thirret të ndjekë dioqeza, tani me mësimet e Papës?

Papa u ndal për disa minuta në lutje të heshtur në altarin e bazilikës- katedrale, domethënë mbi varrin  Shën Markut ungjilltar: atje m'u duk se ndjeva thirrjen për rikthim në Ungjillin e shkruar nga ai, që ishte sekretari i Pjetrit, Papës së parë. Ky Ungjill, shumë i rëndësishëm, që i paraprin të tjerëve, në të cilin Jezusi duket i mërzitur nga versetet e shkurtra dhe ndonjëherë nervoze të Markut, është thirrja për të gjetur forcën tonë nga zanafilla, siç na e kujton vetë bazilika-katedrale. Pjetri, Marku, Papa, na kërkojnë të jemi Kishë!

Në motoskaf, duke shkuar drejt helikopterit për rinisjen, biseduam pak me të dhe dëgjuam kërkesën për lutje, për gëzim por edhe për angazhim ndaj sfidave të Kishës. Ne jemi thirrur të marrim pjesë në të gjithë këtë, duke nisur nga lutja.

 

29 prill 2024, 11:31