Un'infermiera stringe le mani di una paziente Un'infermiera stringe le mani di una paziente

Papa: eutanazia, dështim i dashurisë. Të mbrohet dinjiteti deri në fund të jetës

Mesazhi i Françeskut për pjesëmarrësit në Simpoziumin "Drejt rrëfimit të shpresës: Simpozium Ndërkombëtar Ndërfetar mbi Kujdesin Paliativ", që po zhvillohet në Toronto: "T’i ndihmojmë të sëmurët, edhe në prag të vdekjes, të kuptojnë se nuk janë të izoluar apo vetëm e se jeta e tyre nuk është barrë e rëndë!”.

R.SH. / Vatikan

Në ditët e sotme, përballë “pasojave tragjike të luftës, dhunës dhe padrejtësive të llojeve të ndryshme, është shumë e lehtë t'i nënshtrohesh dhimbjes, madje edhe dëshpërimit”. Megjithatë, si anëtarë të familjes njerëzore dhe "sidomos si besimtarë, jemi thirrur të shoqërojmë, me dashuri dhe dhembshuri, njerëzit që përpiqen e luftojnë për të gjetur arsye shprese". Kështu shkruan Papa Françesku në mesazhin dërguar pjesëmarrësve në simpoziumin e parë ndërfetar ndërkombëtar për kujdesin paliativ me temë “Drejt narrativës së shpresës”, që do zhvillohet në Toronto të Kanadasë, nga data 21 deri më 23 maj. Në takim do të marrin pjesë presidentët e dy organeve promovuese - për Akademinë Papnore të Jetës, Kryeipeshkvi Vincenzo Paglia, ndërsa për Konferencën Ipeshkvnore Kanadeze, Ipeshkvi William McGrattan – si dhe profesionistë nga sektori i kujdesit shëndetësor, duke përfshirë mjekë dhe infermierë të besimeve të ndryshme fetare, nga e  gjithë bota.

Shenjë konkrete afrimi dhe solidariteti, për ata që vuajnë

Në mesazhin anglisht, lëshuar sot, 22 maj, Papa, duke pasur parasysh temën e simpoziumit, kujton se shpresa "na jep forcë për të përballuar pyetjet që na i shtrojnë sfidat, vështirësitë dhe shqetësimet e jetës". Në të vërtetë, të gjithë ata, të cilët e kanë provuar "pasigurinë që shpesh vjen nga sëmundja dhe vdekja - vëren Françesku - kanë nevojë për dëshminë e shpresës, dhënë nga njerëzit që kujdesen për ta dhe u rrinë përkrah". Në këtë drejtim, kujdesi paliativ, ndërsa “përpiqet të lehtësojë sa më shumë barrën e vuajtjes, është para së gjithash shenjë konkrete e afërsisë dhe e solidaritetit me vëllezërit dhe motrat tona që vuajnë”. Në të njëjtën kohë, kjo lloj "vëmendjeje i ndihmon pacientët dhe të dashurit e tyre të pranojnë se njeriu nuk është prej guri, se mund të sëmuret e edhe të vdesë, fenomene, që karakterizojnë jetën në këtë botë".

Eutanazia, dështimi i dashurisë

Papa thekson qartë se kujdesi i vërtetë paliativ "është krejtësisht i ndryshëm nga eutanazia, e cila nuk është kurrë burim shprese apo shqetësim i vërtetë për të sëmurët dhe ata që vdesin". Përkundrazi, është dështim i dashurisë, pasqyrim i "kulturës së hedhurinës" në të cilën "njerëzit nuk konsiderohen më vlerë themelore për t'u kujdesur dhe për t’u respektuar" (Fratelli tutti, 18). Eutanazia - nënvizon Papa - "shpesh paraqitet si formë e rreme dhembshurie". Në vend të saj, "dhembshuria", që do të thotë "të vuash me të sëmurin", nuk synon t'i japë fund jetës së tjetrit, por përkundrazi, të ndajë barrën me njerëzit që janë në fund të shtegtimit tokësor. Kujdesi paliativ «është formë e mirëfilltë dhembshurie, sepse i përgjigjet vuajtjes fizike, emocionale, psikologjike apo shpirtërore, duke pohuar dinjitetin themelor dhe të pacenueshëm të çdo personi», veçanërisht të atij që vdes, “të cilin e ndihmojnë ta pranojë çastin e pashmangshëm të kalimit nga kjo jetë, në jetën e amshuar".

Të ndihmosh të sëmurët dhe ata që vdesin të kuptojnë se nuk janë vetëm

Në këtë këndvështrim, "besimet fetare ofrojnë një kuptim më të thellë të sëmundjes, vuajtjes dhe vdekjes, duke i konsideruar si pjesë të misterit të Provanisë hyjnore e, për sa i përket traditës së krishterë, mjet për të arritur shenjtërimin”. Nuk është rastësi - thekson Papa - "që puna e dhembshur dhe respekti i treguar nga personeli mjekësor dhe punonjësit e specializuar të kujdesit shëndetësor shpesh kanë arritur t’u sigurojnë njerëzve në fund të jetës së tyre paqe shpirtërore, shpresë dhe pajtim me Zotin, me anëtarët e familjes dhe me miqtë e tyre". Françesku e quan këtë shërbim "të rëndësishëm - madje themelor - për të ndihmuar që të sëmurët dhe ata që vdesin, të kuptojnë se nuk janë të izoluar apo vetëm, se jeta e tyre nuk është  barrë, por se mbeten gjithnjë të çmuar në sytë e Perëndisë dhe të bashkuar me ne për lidhjen e  pandarë në jetën e pasosur.

nga L'Osservatore Romano

22 maj 2024, 15:08