Kërko

 Papa përballë Bazilikës së Shën Gjonit në Lateran (arkiv) Papa përballë Bazilikës së Shën Gjonit në Lateran (arkiv) 

Corpus Domini, kremtimi kthehet në Bazilikën Lateranense

Mjeshtri i Kremtimeve Liturgjike Papnore rishikon kalendarin e kremtimeve të Papës: në solemnitetin e 2 qershorit Ati i Shenjtë do të kryesojë Meshën në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran. Rikthehet, pas disa vitesh pezullimi, edhe procesioni në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe.

R. SH. - Vatikan

Tradita rikthehet në kremtimin e lashtë, pas një sërë arsyesh të rastit, që e ndryshuan, duke nisur nga viti 2018. Atë vit Papa nuk deshi ta kremtonte Korpin e Krishtit në Bazilikën Lateranense, si deri atëherë, por në periferinë romake të Casal Bertones e, një vit më pas, në Ostia, me procesionet e kryesuara nga kardinali i atëhershëm Angelo De Donatis, emëruar  një muaj më parë  kryependestar.

Ndërmjet Covid-it dhe shëndetit

Më pas, nga viti 2020, ishin pengesë kufizimet e vendosura nga pandemia, e më pas akoma, shëndeti i Françeskut, që kërkonin ndryshime të mëtejshme në vitet 2020 dhe 2021, me meshën e kremtuar në Shën Pjetër   në atmosferën e emergjencës shëndetësore, me praninë e një numri shumë të vogël besimtarësh. Ndërsa në vitet 2022 dhe 2023 u anulua  vetë liturgjia, në rastin e parë për shkak të dhimbjes së gjurit që pësoi Françesku, ndërsa vitin e kaluar, për shkak të shtrimit të Atit të Shenjtë në Gemelli, pas operacionit abdominal.

Programi i këtij viti

Sivjet Solemniteti do kthehet në listën e kremtimeve papnore, të cilën mjeshtri i ceremonive, ipeshkvi Diego Ravelli, e përditësoi dje, më 4 maj, duke njoftuar se të dielën, më 2 qershor, në orën 17:00, Françesku do të kryesojë liturgjinë solemne në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran. E, pas përfundimit të Meshës, do të rikthehet edhe procesioni drejt Bazilikës së Shën Marisë së Madhe, nga ku do të jepet Bekimi Eukaristik.

05 maj 2024, 10:46