Kërko

Dhimbja e Papës për rrëshqitjen shkatërruese të dheut në Papua Guinenë e Re

Në një telegram të nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kard. Parolin, dërguar Nuncit Apostolik imzot Lalli, Papa siguron afërsinë e tij me familjet e viktimave të rrëshqitjes së dheut më Papua Guinea e Re, ku mbi 2000 vetë mbetën të varrosur nën tokë, sipas OKB-së. Lutje dhe inkurajim për operacionet e shpëtimit të të zhdukurve. Fatkeqësia, që ndodhi midis 23 dhe 24 majit, shkatërroi rreth 150 shtëpi, në gjashtë fshatra të ndryshme, në një zonë të thellë e vështirë për t'u arritur.

R.SH. / Vatikan

Papa Françesku shpreh "dhimbje të thellë" për tragjedinë që goditi Papua Guinenë e Re, ku një rrëshqitje dheu në provincën e Enga goditi dhjetëra shtëpi dhe disa fshatra duke shkaktuar deri tani - sipas parashikimeve të Kombeve të Bashkuara - 2 mijë të vdekur, të varrosur nën baltë.

Në një telegram nënshkruar nga Sekretari Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin, drejtuar imzot Mauro Lalli-t, nunc apostolik në vendin jugor, të cilin Papa do ta vizitojë shtatorin e ardhshëm, Ati i Shenjtë Françesku siguron "afërsinë e tij shpirtërore" për të gjithë ata që u prekën nga kjo fatkeqësi dhe lutet për përpjekjet e ndihmës.

 Rrëshqitja e dheut në Papua Guinenë e Re, ndoshta mbi 2 mijë viktima

Papa lutet për të vdekurit dhe "për ata që vajtojnë humbjen e tyre", ndërsa siguron lutjet për operacionet e vazhdueshme të shpëtimit "të shumë njerëzve të zhdukur". Prej këndej, "inkurajimi i autoriteteve civile dhe personelit të urgjencës, ndërsa vazhdojnë përpjekjet e tyre të shpëtimit". Mbi të gjitha, Françesku kërkon "bekimet hyjnore të ngushëllimit dhe të forcës".

Fatkeqësia

Masa vigane e dheut u shkëput nga një mal gjatë natës ndërmjet të enjtes dhe të premtes, 23 dhe 24 maj, në një zonë malore pothuajse të paarritshme të Papua Guinesë së Re. Rrëshqitja e dheut varrosi më shumë se 2,000 njerëz të gjallë dhe shkaktoi shkatërrime serioze, siç raportoi qendra kombëtare e fatkeqësive të vendit në zyrën e OKB-së në Port Moresby. Llogaritet se rrëshqitja e dheut mori rreth 150 shtëpi, të ndara në gjashtë fshatra, të banuara të paktën nga 4 mijë banorë. Vështirësitë në përcaktimin e saktë të numrit të besueshëm të vdekjeve varen nga fakti se katastrofa ndodhi në një zonë të vështirë për t'u arritur e edhe  për shkak të dyndjes së fundit të shumë njerëzve në zonë,  në ikje nga konfliktet fisnore në zonat e afërta.

27 maj 2024, 13:34