Papa shpalli zyrtarisht Jubileun e zakonshëm 2025. Bota ka nevojë për shpresë dhe durim
R.SH. – Vatikan
Në bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan, Papa Françesku shpalli sot pasdite zyrtarisht Jubileun e zakonshëm të vitit 2025 me prezantimin e bulës 'Spes non confundit' – “Shpresa nuk zhgënjen” Kishave të pesë kontinenteve gjatë lutjes së Mbrëmësores së dytë të Solemnitetit të Ngjitjes së Jezu Krishtit në Qiell. Paqja për botën, shenja e parë e shpresës së Jubileut 2025, që do të fillojë më 24 dhjetor 2024 dhe do të përfundojë më 6 janar 2026.
Është shpresa ajo, që dëshiron Papa si dhuratë gjatë Jubileut 2025, për një botë nën armë, nën vdekje e shkatërrim, nën urrejtje e uri, me "borxh ekologjik" e lindshmëri të ulët. Shpresa është balsami, që Françesku dëshiron të përhapë mbi plagët e njerëzimit të shtypur nga "brutaliteti i dhunës", pre i rritjes eksponenciale të varfërisë. “Spes non confundit” – “Shpresa nuk zhgënjen”: ky është titulli i bulës, që shpall Jubileun e zakonshëm, dorëzuar sot pasdite, më 9 maj, nga Papa, Kishave të pesë kontinenteve gjatë Mbrëmësores së dytë të Solemnitetit të të Shëlbuemit. Bula papnore, e ndarë në 25 pika, përmban lutje, propozime, thirrje për të burgosurit, të sëmurët, të moshuarit, të varfërit, të rinjtë dhe njofton risitë e një Viti Shenjt, që do të ketë si temë "Shtegtarë të shpresës".
Një datë e përbashkët për Pashkët
Në dokument, Papa Françesku kujton dy përvjetorë të rëndësishëm: kremtimin e 2000 viteve të Shëlbimit, në vitin 2033 dhe, 1700-vjetorin e Koncilit të parë të madh Ekumenik të Nikesë, i cili, ndër temat e tjera, trajtonte edhe datën e Pashkëve. Edhe sot, “qëndrimet e ndryshme” pengojnë që “ngjarja themeltare e fesë” të kremtohet në të njëjtën ditë, nënvizon Ati i Shenjtë, duke kujtuar se, megjithatë, Provania Hyjnore bën që pikërisht në vitin 2025 Pashkët të bien në të njëjtën datë për gjithë të krishterët. “Qoftë kjo thirrje për gjithë të krishterët e Lindjes dhe të Perëndimit që të hedhin një hap vendimtar drejt bashkimit përsa i përket datës së përbashkët për Pashkët”, thekson Papa.
Hapja e Portës Shenjte
Ndërkaq, Papa ka vendosur që Porta Shenjte e Bazilikës së Shën Pjetrit të hapet më 24 dhjetor 2024, vigjilja e Krishtlindjes. Të dielën e mëpasme, më 29 dhjetor, Papa do të hapë Portën Shenjte të bazilikës së Shën Gjonit në Lateran; më 1 janar 2025, Solemniteti i shën Marisë Nënës së Zotit, do të hapet ajo e bazilikës së Zojës së Madhe dhe më 5 janar ajo e Shën Palit jashtë Mureve. Të trija dyert do të mbyllen brenda së dielës, 28 dhjetor 2025. Jubileu do të përfundojë me mbylljen e Portës Shenjte të Shën Pjetrit më 6 janar 2026. (6)
Shenjat e kohërave
Françesku uron që "shenja e parë e shpresës" e Jubileut të jetë “paqja për botën, e cila, edhe një herë, gjendet e zhytur në tragjedinë e luftës".
“Duke harruar tragjeditë e së kaluarës, - shkruan Papa - njerëzimi i është nënshtruar një sprove të re dhe të vështirë, me shumë popullsi, që shtypen nga brutaliteti i dhunës. Çfarë u mungon këtyre popujve, që nuk e kanë vuajtur ende? Si është e mundur që thirrja e tyre e dëshpëruar për ndihmë nuk i nxit udhëheqësit e Kombeve t'u japin fund konflikteve të shumta rajonale, të vetëdijshëm për pasojat e mundshme në nivel global? A është e tepërt të ëndërrosh që armët të heshtin dhe të mos sjellin më shkatërrim e vdekje? (8)”
Thirrja për lindjen e fëmijëve
Papa Françesku vëren me shqetësim "uljen e lindjeve" të regjistruar në vende të ndryshme dhe për arsye të ndryshme, si: "Ritmi frenetik i jetës", "frika për të ardhmen", "mungesa e garancive për punë dhe mbrojtje sociale", "modele shoqërore" ku mbizotëron kërkimi i fitimit dhe jo i marrëdhënieve. Për Atin e Shenjtë, është "urgjente" mbështetja e besimtarëve dhe e shoqërisë civile për "dëshirën" e të rinjve për të pasur fëmijë, në mënyrë që e ardhmja të "karakterizohet nga buzëqeshjet e shumë djemve dhe vajzave, që duhet të mbushin djepat, tashmë të zbrazët" (9).
Për të burgosurit respekt, kushte dinjitoze, heqje e dënimit me vdekje
Më pas, Françesku kërkon "shenja të prekshme shprese" për të burgosurit. Ai u propozon qeverive "forma amnistie, ose falje dënimi", si dhe "rrugë për integrimin në bashkësi". Papa shpreson në "kushte dinjitoze për të burgosurit, në respektimin e të drejtave të njeriut" dhe në "heqjen e dënimit me vdekje"(10). Për një shenjë konkrete afërsie me të burgosurit, vetë Papa do të hapë një Portë Shenjte në një burg.
Shpresa për të sëmurët dhe entuziazmi për të rinjtë: "Nuk mund t'i zhgënjejmë"
Shpresë u duhet dhënë edhe të sëmurëve, në shtëpi apo në spital: “Kujdesi për ta është himn për dinjitetin njerëzor”(11). Edhe të rinjtë, të cilëve u shemben shpesh ëndrrat, kanë nevojë për shpresë.
“Iluzioni i drogës, rreziku i ekzagjerimit dhe kërkimi i gjërave të përkohshme krijojnë tek ata më shumë konfuzion sesa tek të tjerët dhe ua fshehin bukurinë e kuptimin e jetës, duke i bërë të rrëshqasin në humnera të errëta dhe duke i shtyrë të kryejnë gjeste vetëshkatërrimtare (12)”.
"Nuk mund t'i zhgënjejmë", pohon Papa Françesku.
Jo paragjykimeve dhe mbylljeve ndaj emigrantëve
Papa kërkon sërish që shpresat e emigrantëve “të mos zhgënjehen nga paragjykimet dhe mbylljet”.
“Të mërguarve, të shpërngulurve dhe refugjatëve të shumtë, të cilët detyrohen nga ngjarjet konfliktuale ndërkombëtare të ikin për të shmangur luftërat, dhunën dhe diskriminimin, t’u garantohet siguria dhe qasja në punë e arsim, mjete të nevojshme për përfshirjen e tyre në kontekstin e ri shoqëror (13)”.
Sasia e njerëzve të varfër në botë është shkandulluese
Në bulën e Jubileut, Papa nuk harron të moshuarit, që përjetojnë vetminë dhe braktisjen. E as “miliarda” të varfërit, që “nuk kanë më të nevojshmen për të jetuar” dhe “vuajnë nga përjashtimi dhe indiferenca e shumë njerëzve”. "Është skandaloze", sipas Françeskut, që të varfërit përbëjnë shumicën e popullsisë së një bote "të pajisur me pasuri të mëdha, kryesisht të destinuara për armatime"(15). Më pas, Ati i Shenjtë kërkon bujari nga të pasurit dhe e përsërit thirrjen për të krijuar "një fond global që eliminon përfundimisht urinë" me paratë e përdorura aktualisht për shpenzimet ushtarake (16).
Të falen borxhet e vendeve të varfra
Një tjetër ftesë u drejtohet kombeve më të pasura që " të falin borxhet e vendeve, të cilat nuk mund t'i shlyejnë kurrë". “Është çështje drejtësie – shkruan Papa Françesku – rënduar sot nga një formë e re e pabarazisë”, siç është “borxhi ekologjik”, veçanërisht ndërmjet Veriut dhe Jugut (16).
Dëshmia e martirëve
Në bulën jubilare, Papa na fton të shohim dëshminë e martirëve, që u përkasin traditave të ndryshme të krishtera dhe shpreh dëshirën që gjatë Vitit Shenjt “të mos mungojë një kremtim ekumenik” (20).
Rëndësia e Rrëfimit dhe shërbimi i Misionarëve të Mëshirës
Më tej, Françesku flet për Sakramentin e Pendesës dhe njofton vazhdimin e shërbimit të Misionarëve të Mëshirës, themeluar gjatë Jubileut të Jashtëzakonshëm të Mëshirës. Ai u kërkon ipeshkvijve që t'i dërgojnë në vende ku "shpresa vihet në provë", ose ku "shkelet dinjiteti i njeriut" (23).
Ftesa për Kishat Lindore dhe Ortodokse
Papa u drejton "një ftesë të veçantë" besimtarëve të Kishave Lindore, që "kanë vuajtur shumë, shpesh deri në vdekje, për besnikërinë e tyre ndaj Krishtit dhe Kishës". Këta vëllezër "duhet të ndihen veçanërisht të mirëpritur në këtë Romë, e cila është nënë edhe për ta". Një mendim edhe për vëllezërit dhe motrat ortodokse, që po përjetojnë "shtegtimin e Udhës së Kryqit", të detyruar të largohen nga tokat e origjinës, për shkak të dhunës dhe të paqëndrueshmërisë.
Ndalesë lutjeje në shenjtëroret mariane
Së fundi, Françesku i fton shtegtarët, që do të vijnë në Romë, të luten në shenjtëroret mariane për t’i kërkuar Zojës mbrojtje, në mënyrë që të "përjetojnë afërsinë e më së dashurës ndër nëna, e cila nuk i braktis kurrë bijtë e vet" (24).